Djali i varfër që u bë reper i njohur: Pse Getinjo meriton ta fitojë BBVK-në? - NACIONALE

Djali i varfër që u bë reper i njohur: Pse Getinjo meriton ta fitojë BBVK-në?

1 vit më parë

nga Mirlind Behluli

Getinjo është figura absolutisht më karizmatike nga të gjithë konkurrentët e tjerë të Big Brother VIP Kosova. Sigurisht, edhe më i komentuari. Por, ai është edhe shumë i paragjykuar. Në fakt, prapa paragjykimit ndaj Getinjos qëndron një kulturë e snobizmit, e mbështjellur me neverinë klasore e krahinore. Pse Getinjo, sipas meje, është më meritori të fitojë BBVK?

Getinjo është konkurrent tipik për shou të tillë. I zjarrtë në diskutime, këmbëngulës, rebel, joshës për ta ndjekur, i dashur nga publiku. E mbi të gjitha, tepër human dhe empatik sa herë e kërkon nevoja. Madje, paraqitja e tij në BBVK është nga shembujt e rrallë që do parapëlqeja ta citoja, kurdo që më vjen rasti të flas për nevojën e vendosmërisë në ndjekjen e ëndrrës. E kaluara e tij, të cilën Getinjo e rrëfen me shumë krenari e pa fije përtese, ja vlen të përmendet edhe këtu.

Një djalosh i ri nga Ferizaji me pak të holla në xhep, ka një ëndërr të madhe. Aq të madhe, sa duket krejtësisht e parealizueshme. Një lloj mirazhi, agimi i rrejshëm, që sado që njeriu "kalëron" nga drita e tij djallëzuese, nuk e arrin dot. Gjatë jetës së tij, Getoar Aliu, përveç ëndrrës së madhe, dallohet edhe për vendosmërinë e çeliktë për ta realizuar atë.

Në BBVK, ai rrëfeu se ka punuar shumë, madje "ka pastruar studion", vetëm e vetëm për të realizuar një këngë. Përpjekje pas përpjekjesh, i varfëri Getoar do të bëhej Getinjo, reper i njohur kosovar, që mbledh miliona shikime në këngët që i publikon.

Por, ai gjithnjë i kthehet origjinës së tij, si për të na përkujtuar se ai mbetet i njëjti njëri empatik, një reper me fytyrë humane. Si për ta bërë dallimin nga videoklipet e tij, për ta shquar Getoarin nga Getinjo, për treguar se personalja e mbisundon profesionalen tek ai. Getinjo më impresionoi me rrëfimin e tij. Sepse janë të rrallë këngëtarët, e shumë më të rrallë reperët, që kanë ndarë historitë e tyre personale, aspak "dinjitoze" në sytë e kosovarëvë, me publikun e gjerë.

Në një estradë ku glorifikohet paraja e dukja, Getinjo e rikthen Getoarin në skenë, për të flakur tutje të gjithë lavdinë me materialen, që vazhdon të mbetet shënjuesi më dallues për industrinë e shoubizit tonë. Ai na tregon se është një njeri si gjithë ne të tjerët, me një të kaluar krejtësisht kosovare, që disi i ngjan edhe historisë sime personale. Madje, ai e brendëson të kaluarën e tij, e vendos në fokus, e thekson vazhdimisht, duke mos u turpëruar të tregojë se "ka dalë me 2-euro në xhep" nëpër qytet. Cili reper tjetër ka treguar për "hjekat" e tij, për prejardhjen e dikurshme klasore, për punët para se të bëhej i famshëm? Hmmm...asnjë, apo jo?

Dhe pse përqeshet Getinjo? S'më ha mendja që përqeshja vjen për shkak të "teorisë" së tij të gabuar rreth "tokës së rrafshët". Ngase, në fund të fundit, kosovarët s'është që njihen fortë si popull i shkencës, përkundrazi. A nuk është shoqëria jonë e mbushur plot me besëtytni? A nuk është Burdushi njeriu më i frekuentuar për të rregulluar një martesë që nuk shkon apo për të luftuar "mësyshin"? Një shoqëri gati mesjetare, nuk besoj që e ka në qendër të mospëlqimit ndaj dikujt besimin nëse toka është e rrafshët apo vezake.

Getinjo është cak i përqeshjes e denigrimit ngase e shkërmoqë një imazh të paqenë të estradës si "avangardë kulturore". Duke e ndarë të kaluarën e tij me publikun, Getinjo tregon se estrada nuk është një "aristokraci", por një hapësirë e mbushur nga njerëz që talentin e kanë dyzuar me vullnetin e madh për punë.

Kosovarët janë mësuar me këngëtarë që hanë fruta deti, konsumojnë verë që mezi ua thonë emrin dhe udhëtojnë në Maldive për pushime. Dhe tash Getinjo e zhbën këtë imazh. Pra ka disi një racizëm kulturor që s'arrinë të kapërdijë dot ekzistencën e një reperi aspak mendjemadh, që e refuzon një identitet të paqenë, që vendosë të tregojë realitetin prapa "shkëlqimit mjerues" të estradës.

Megjithatë, është edhe një element tjetër në këtë stigmatizim. Përveç "supremacisë kulturore e intelektuale të pretenduar", ka edhe urrejtje klasore e krahinore ndaj Getinjos që e forcon tendencën për bullizim. Ai është i varfëri që u bë i njohur, i famshëm, i pasur, ardhacaku nga Ferizaji. Por, ai ka bërë një gabim të madh: nuk e ka harruar prejardhjen e tij të dikurshme klasore. Gabimi i tij i madh bëhet fatal e i pafalshëm pasi Getinjo vazhdimisht e rithekson varfërinë e dikurshme, duke përçuar një neveri ndaj pasurisë.

Getinjo s'është pjesë e 'shtisjes kolektive' të estradës dhe elitës së kafeneve të Prishtinës. Dhe kështu ai e heq nga ekuacioni të vetmen të shenjtë të shumë shqiptarëve: paranë. Getinjo publikisht e kumton disi mospëlqimin ndaj pasurisë, duke e tmerruar njeriun kosovar deri në palcë me indiferencën e tij kundrejt materiales.

Nuk e mohoj, më pëlqejnë njerëzit e përulur. I tillë më duket edhe Getinjo i BBVK, i cili me historinë e tij e ka fituar simpatinë time. Fitorja e tij në BBVK do të ishte mesazh për të gjithë të rinjtë se me talent, me shumë vullnet e punë të madhe "qielli është limiti".

PS: Po, Getinjo ka të drejtë. Sorrat janë ndoshta shpezët më të mençura që ekzistojnë.

Lajme të ngjashme