“Lumet na”: Bukë, kripë e "Big Brother" - NACIONALE

“Lumet na”: Bukë, kripë e "Big Brother"

3 vjet më parë

nga Halil Halili

Lumet na! “Nysave” të “Big Brother VIP Kosova” iu shtuan edhe “Yjet” e “Big Brother VIP Albania”. Yje u thënçin, siç do të kishin thënë në Shqipëri. Yje që duhej të prezantoheshin mes vete, kur u futën në shtëpi - jo për shkak të mirësjelljes, por sepse ishte e nevojshme, sepse as ata nuk njiheshin me njëri-tjetrin.

Këtë sezon, ani pse i kritikuam, pa dyshim se “nysat” e Libertës janë më VIP-a se “Yjet” e Arbanës. Libi, Bravoooo! (lexoje me zërin e “Priveeeh”).

Kur jemi te Nysat, edhe më tutje vazhdon të më fusë në siklet ky emër, sa herë që del nga goja e Alaudinit. Më hidhet ta fus kokën nën batanije nga sikleti, kur Dini bërtet “Nysaaaaaa”, një ndjesi “kringji”, një term që e përdorim në Nacionale për t’i përshkruar ndjenjat e sikletit.

Si duket, më në fund, edhe Alaudini e ka kuptuar “sikletin” e termit Nysa, prandaj kohën e fundit e thotë shumë rrallë. Për Dinin e kam edhe një kritikë tjetër, lëre Jonidën të inkuadrohet më shumë në prezantim, sepse edhe ajo merr rrogë.

Po kthehem edhe pak te Nysi. Po e paramendoj ditën, kur stafi i BBVK janë mbledhur rreth një tavoline për t’i diskutuar idetë se si t’i thërrasin banorët. Pas dhjetëra propozimeve të dështuara, dikush me buzëqeshje në fytyrë dhe besimin se e ka zgjidhjen e duhur, ka thënë “po i thërrasim NYSA”. Të gjithë e kanë shikuar njëri-tjetrin dhe njëzëri kanë bërtitur” “poooo, njeriiii, naaaaajs”, por siç edhe po duket, nuk ka qenë edhe bash najs.

Sidoqoftë, na bukën nuk po e hamë thatë, por me bukë e kripë e “Big Brother”. Me “Big Brother” po humbim kohë, po argëtohemi e besa po emancipohemi. Kjo e fundit ndoshta është fakti më i rëndësishëm pse duhet të ekzistojnë këto lloje të “reality show”. Kush do ta kishte paramenduar që dy reperë me profilin e gangsterit, siç janë Stresi e Getinjo, një ditë të bukur dhjetori do të visheshin si Drag Queen para një audience rekorde televizive.

Kush do të thoshte që një djalë biseksual, që vishet e grimohet si grua, do të gëzonte aq shumë respekt, përkrahje e dashuri në mesin e dhjetëra banorëve që konsiderohen VIP, por nuk kanë jetë e mentalitet ndryshe prej shumicës së popullit.

Këto “dukuri” që po na shfaqen në Big Brother, që shume prej nesh kanë dëshirë të mendojnë që ndodhin vetëm në perëndim e ju kanë hije vetëm atyre, kemi filluar t’i shohim si normale e t’i përqafojmë deri diku edhe ne.

Sigurisht që nuk mungojnë bullizimi, tallja në rrjete sociale e mes anëtarëve të shtëpisë në llogari të një djali që ka dëshirë të vishet e grimohet si grua, por ato po kalohen shpejt e me sportivitet, ndërsa ne po vazhdojmë ta shohim spektaklin bashkë me prindërit e gjyshërit, të cilët e lëvizin kokën herë pas here nga çudia nga ajo që po e shohin. Por vetëm kaq, asgjë më shumë.

Brenda shtëpisë së BBVK po ka shpesh edhe hipokrizi, kontradikta e moralizime të tepruara gjatë diskutimeve. Nuk e di pse, për shembull, Shota Baraliun e Stresin i ka kapur sikleti që të mbajnë ligjërata moralizuese.

E para, një aktore që më së shumti njihet dhe e promovon veten si vajzë që ka thyer e thyen ende tabu, tash tregon se çka është marre e si duhet të sillet një femër që t’i ketë hije vendi. Kjo “si i ka hije” në kontekstin e Shotës nënkupton një vajzë të urtë, të kujdesshme dhe e cila mbi supet e veta e mban dhe duhet ta ruajë moralin e krejt farefisit.

Stresi, në anën tjetër, që veç për edukatë e gjuhë të kujdesshme nuk njihet, po i akuzon banoret gra se si “nuk po u vjen turp të shprehen ndonjëherë banalisht”, apo se si po “kanë fytyrë” dhe po e marrin guximin të tregojnë për eksperiencat e tyre seksuale, në muhabetet e orëve të vona para gjumit. Thua ti se këto diskutime po ja prishin haxhi Stresit abdesin para namazit të natës.

Në anën tjetër, matanë Rrugës së Kombit, nisi një “Big Brother” tjetër shqip. Ashtu edhe siç pritej, qysh në orët e para filluan debatet, mospajtimet e zënkat mes VIP-ave “të panjohur”.

Për dallim prej “Big Brother”-it tonë, nëse mund të shprehem kështu, ku për disa ditë të gjithë duheshin e kishin konsideratë ndaj njëri tjetrit.

Në Kosovë, për dallim prej shqiptarëve të Shqipërisë, që nuk e kanë problem që në sekondat e parë që të njohin t’i përplasin gjërat në fytyrë, e kemi njëfarë rezerve, njëfarë konsiderate të zorit, që është tradicionale. Na duhet pak kohë të tregohemi të ligë e të zbrazemi e ta shfaqim troç se çfarë mendojmë për tjetrin.

Nuk e di se sa është fer ndaj shikuesit, por për çështje konkurrence, ne në Kosovë nuk po mund ta ndjekim “Big Brother VIP Albania” në platformat kabllore kosovare.

Pronarët e kabllorëve në Kosovë, që njëkohësisht janë pronarë edhe të mediumit që e transmeton BBVK-në, kanë vendosur të na e mohojnë të drejtën të zgjedhim vetë se cilin BB do ta përcjellim. Kështu, ne jemi të detyruar ta shohim vetëm BBVK-në, ndërsa BBVA-në vetëm për “Prime”, i cili këtë sezon transmetohet edhe në “Youtube”, bash për arsyet që i ceka më lart.

Lajme të ngjashme