"Big Brother i Ali Express-it": Përshtypjet e para për Big Brother VIP Kosova - NACIONALE

"Big Brother i Ali Express-it": Përshtypjet e para për Big Brother VIP Kosova

1 vit më parë

nga Halil Halili

Nuk kemi faj që jemi mësuar me një Big Brother ku është Iliri e Donaldi, dy figura që me argumentet e tyre gjatë debateve, të shtynin t’i japësh të drejtë sa njërit, sa tjetrit. Të mësuar me një cilësi e organizim më ndryshe, zhgënjimi fillestar me Big Brother VIP Kosova është i natyrshëm. Në këtë shtëpi të famshme, kanë hyrë dy “shkencëtarë kundërthënës” si Getinjo e “Lugati”, që konkurrojnë pasuksesshëm me imazhin e Ilirit e Donaldit.

Big Brother Vip Kosova, sidomos nëse e krahasojmë me shijen që na ka lënë Big Brother i fundit shqip, meriton cilësimin e një Big Brother-i të porositur në AliExpress.

Çka ka të ngjashme Big Brother Vip Kosova me produktet e Ali Express? Nuk është i ndonjë cilësie të lartë dhe është vonuar shumë derisa ka nisur.

Niveli i diskutimeve në shtëpi është shqetësues. I mangët, shpesh seksist, provincial, e patriarkal. Me një fjalë: i shkretë. Nuk dallon prej muhabeteve të pasdarkës që bëhen në shitoret, ndryshe të njohura si “zadrugat” e mahallës, teksa burrat e mbledhur, nën tymin e cigarës, luajnë “zhol”, me bastin se kush humb paguan pije.

Fatkeqësisht, një numër i madh i VIP-ave kosovarë në fushën e artit, nuk përfaqësojnë më shumë se një njeri krejt të zakonshëm me një talent të lindur. Më lejoni t’i argumentoj me “kaqikun” tim, pretendimet e mia fillestare për këtë Reality Show, me disa ndodhi të ketyre tri ditëve të para brenda shtëpisë.

Jashtë kohe e konteksti

MC Beka, një hip hop artist i vjetër, është një figurë e harruar. MC Beka, që dikur me Gilin i këndonte Zvicrës e Gjermanisë, deklaron se “martesa është edhe mu perla, edhe për naj shuplakë najhere”. I njëjti në pyetjen e “Lugatit”, një tjetër banor i shtëpisë, se pse një femër nëse ka marrëdhenie me disa persona quhet prostitutë, ndërsa mashkulli i të njejtës vepër quhet “burrë”, ka një deklarim krejtësisht seksist, që mirëmban e arsyeton interpretimet e padrejta gjinore.

Emsia” i arsyeton burrat duke pretenduar se prej burrit një gjë e tillë pritet, duke shtuar se e njëjta është e natyrshme, ndërsa gruaja është simbol i pastertisë, si ka hije me humbë këtë titull.

Nuk është femra tempull, me hy e me dalë shumëkush. Femra sjell jetë” – vazhdon MC Beka, duke e reduktuar gruan në një fabrikë të prodhimit të fëmijëve.

Mashkulli është bredhacak…” sipas tij i ka hije me kcy gardhin sahere t’i duket e nevojshme.

Zotëri Drag Queen, që emrin e skenës e ka Victoria, që gjatë diskutimit ishte dy metra larg Bekës, rri e kqyrë seri pa bërë asnjë reagim ndaj këtyre vlerësimeve. E papritshme dhe e paarsyetueshme për një njeri që aty ka hyrë për të na emancipuar e për të na “çelë sytë për botën perëndimore”.

Artani, që zakonisht njihet si djali i Cimës, është ngujuar në disa tema që unë me shoqe i diskutonim në vitin e dytë të shkollës së mesme. Dashuria, leksikoni, kush dashuron më shumë, çikat apo djemtë. Gjatë nje diskutimi te tillë, që dorën në zemër veç Artani i inicon, ai e shpreh një shqetësim, që uroj mos te jetë prej përvojave të tij personale.

Gruja duhet me lan burrin me dal me shokë, s’duhet me xhelozu, kur lidhesh me dikon ti duhesh mi besu.” - shprehet ai.

Getinjo tashmë ka një nofkë të re: shkencëtar kontravers. Ai po i shkund themelet e shkencës, me zbulimet e tij. Getinjo me deklaratat e tij po na ilumon, duke na informuar për formën reale të tokës, e cila, sipas tij, është si “tepsi” e jo “egji”.

Përderisa banorët tjerët ia kishin ngulë sytë si hoxhës xhemati në ditën e xhuma, duke e dëgjuar me interesim maksimal, Getinjo tregonte se qysh në shkollë fillore e ka sfidu profesorin e Gjeografisë. “Nëse toka koka e rrumullaktë, pse nëse unë gropoj, hiç bre pa nal, veç gropoj, veç gropoj, veç gropoj, pse nuk po dal ne Tailande?” Çuditërisht askush prej banorëve prezent, e që nuk ishin pak, nuk reaguan e as nuk tentuan ta kthejnë në “rrugë të zotit”.

Getinjo e përmend se si babai i tij e ka kundërshtuar fillimisht idenë e tij rreth teorisë se toka është e rrafshtë, mirëpo edhe ai dikur është bindur se “djali e ka mirë”. Uroj shumë që babai të mbetet i vetmi person të cilit Getinjo ia ka ndrru mendjen për formën e tokës.

Gjon Karrica a.k.a “Lugati”, që në dukje nuk duket si lugat (së paku, jo si ai lugati qe e kemi paramendu si femijë, kur na kanë tutë me na shti me fjetë), habitet se si një banore nuk ka dëgjuar se toka është e rrafshtë si tepsi. Ai thotë se kjo çka po deklaron Getinjo është e vertetë, duke bërë një zbulim tjetër po aq epokal se “ekziston edhe bota paralele”.

Sipas “Lugatit” në botën paralele është edhe një Halil që është duke e shkru një shkrim për Big Brother-in (natyrisht, jo kaq bukur sa unë). Nejse, “Lugati” thotë se nuk e di nëse une e ti që po lexon këtë shkrim, në atë botën paralele, jemi ma prapa, në të njëjtën kohë apo më përpara në kohë. Por që ekziston bota paralele, ku secili prej neve e kemi nga një sozi që bën komplet jetë të njejtë, për këtë Karrica se ka asnjë dyshim.

Shota Baraliu mendon se Getinjo është gjeni, këtë e thotë në një diskutim para gjumit përderisa flet me Artanin e “Lugatin”. Ata e plotësojnë duke thënë “është shumë i thellë, nuk e ka pasë edhe keq besom”.

Andi a.k.a ushtari i përhershëm i kërkimit të dashurisë, që njihet edhe për talentin e ecjes mbi duar, që një pjesë të jetës, e sidomos gjatë formimit të tij, e ka kalu ne Amerikë, në një diskutim me Julianën ai e “derdh” të gjitha bindjet e tij seksiste.

Meshkujt janë të marum më kanë ma të zot se femrat” – është përafërsisht fjalia e Andit, e cila është absolutisht e gabuar në të gjitha nivelet e mundshme.

Ai mundohet ta bind Julianen, që gratë duhët të pranojnë disa “realitete të natyrës”, duke shtuar se s’keni pse provoni me u barazu me “meshkujt”, sepse s’mundeni me bë më shumë se që natyra ua ka mundësu.

Juliana, disi si kunderargument, i thotë që gratë fatkeqësisht paguhen më pak se burrat për të njëjtat punë. Këtu Andi vjen me një përgjigje tipike “andiane”.

Po se bajnë punë më të rrezikshme meshkujt, qe për shembull qetë shpi kush e ka ndërtu? Meshkujt” – konkludon Andi.

Çka me thënë unë i shkreti për Alisën e Urimin. Alisa që vazhdimisht habitet me çkado që dëgjon, thu ti se nuk ka jetu mes njerëzve. Urimi që i shkon përmas si fëmija nënës, po luan me sistemin “një llaf, një lirë”. Nuk e merr guximin me çelë gojën e me thënë ndonjëherë diçka. Më duket pak sikur dhëndrri kur të shkon te miqtë për herën e parë e ngushtohet me ja kërsitë muhabetit.

Ana Kabashi, “I don't know, I mean s'po di bre, it's like hard”, ndoshta po m'kuptoni. Kaq për të aktualisht.

Stresin nuk dua ta komentoj aktualisht. Jo që po frikohem prej shokëve të tij gangster, por po i jap vetes edhe pak kohë me kriju një gjykim për të.

Deri tash, simpatia ime shkon për Julianen, një grua që i përfaqëson do vlera të kohës dhe i shtyn përpara disa kauza që sidomos shoqëria kosovare ka nevojë t’i dëgjojë e të reflektojë mbi to.

Per banorët e tjerë, flasim ndonjëherë tjetër.

Keshillë për kolegët e Klan Kosova:

Po i menaxhoni keq rrjetet sociale, disi si me ja pasë inati vetit. Edhe konkurrenti Valon Maloku do t’i menaxhonte më mirë nese ja leni në dorë këtë far pune. A dëshironi një shembull?

Dje Getinjo flet për Iluminatin e masonët, duke tregu qysh është takuar me mason, e ka parë lista me emra të masonëve shqiptarë të cilet i njeh, ndërsa admini pak i nderuar vlerëson se publikut më shumë i intereson se si banorët po e rregullojnë shtratin e po bëjnë aerobik, duke vendosur t’i postojë këto video e jo “shkencërimin” e Getinjos.

Lajme të ngjashme