Unë isha në publikun e “Big Brother”-it të Kosovës, ky është rrëfimi im: "O Allah" - NACIONALE

Unë isha në publikun e “Big Brother”-it të Kosovës, ky është rrëfimi im: "O Allah"

1 vit më parë

nga Burim Pacolli

Një korridor i pakryer pritjeje, duartrokitje të nxitura, prezantuesja në telashe me takat, Beka kërkonte “zgjidhje për gruan” nga përgjegjësit, ndërsa opinionistët dukeshin gati të fiksuar për fotografi.

Veç disa prej hollësive sa mund të përmblidhen në një nëntitull derisa vendosa të shkoja për t’i shikuar zhvillimet në “Prime”-in e “Big Brother”-it nga afër, të hënën mbrëma, si pjesëtar publiku.

Me vendndodhje në Fushë Kosovë, salla e madhe e “Big Brother”-it gjendej në të njëjtin objekt ku ndodhet shtëpia në të cilën qëndrojnë ata që produksioni ka vendosur t’i quajë “VIP”-a, (siç ishte evidentuar edhe nga eleminimet e mëhershme, kur tregohej rruga e banorit të larguar nga shtëpia deri në studio).

Hyrja ishte e thjeshtë, një rezervim nga një numër që m’u shfaq diku në internet dhe isha aty. M’u kërkua të isha i pranishëm në orën 20:15, para se, 30 minuta më vonë, një përgjegjëse të fillonte ta fuste prapa perdeve publikun duke i përzgjedhur pesë nga pesë.

Me t’u ulur, na sollën edhe ujë dhe vazhdimisht po na inkurajonin që të duartrokisnim. Në fakt, të gjitha duartrokitjet vinin të nxitura nga një punonjës që qëndonte i ulur në njërin nga pesë grupet ku ishte pozicionuar publiku, me nga 16 persona.

Derisa mirëmbajtësja po e pastronte skenën me një leckë të thatë, Beka u shfaq duke i përshëndetur të pranishmit, para se një prej përgjegjësve t’i kërkonte të ulej, për ta marrë përgjigjen: “Jo, unë s’po ulna, se e kom gajlën e grusë”- e cila kishte ardhur me të, por po priste të merrte direktiva se ku të pozicionohej. “Hajt se unë ta rahatoj qitash”- ia ktheu përgjegjësja që na kishte akomoduar edhe ne paraprakisht.

Një gjë që po e vlerësoja më shumë, ishte dukja jashtëzakonisht “flutur” e Alaudinit. Njëmend, njeriu po i linte nën hije të pranishmit e tjerë në skenë - edhe pjesmarrëset gra, sa i përlet stilit. Bashkëprezantuesja Jonida Vokshi po e gjente jashtëzakonisht të vështirë që ta përballonte ecjen me takat e larta. Menjëherë pas ndërprerjes së parë të spektaklit, opinionistja Afërdita Paqarada ishte ajo që e sakrifikoi ulësen e saj për të. Vokshi, që duke çaluar, kërkoi të ulej. Takat po i sillnin shumë vështirësi derisa Alaudini, duke e parë kolegen e tij të zhytur në probleme ecjeje, po i thoshte: “Hë, meniherë fillunë a?” Me gjasë, me sfida të tilla kolegia e tij përballet javë pas jave.

Opinionistët nuk po rreshtnin së bëri fotografi ndërkohë. Një djalosh dukej se ishte shumë i lumtur që i materializonte dëshirat për poza.

Olti Curri i doli krah grupit tim të publikut, kur dikush erdhi dhe na tha: “Mos m’i ndalni duartrokitjet” dhe “mos rrini shumë në telefon”, derisa opinionisti nga Shqipëria ndërhyri, pasi po qëndonte shumë afër nesh, duke thënë: “Jo, këta nuk kanë faj, duhet të jetë dikush që i nxit”.

“Ani, nxiti ti pra”- ia ktheu ajo duke qeshur, por reagimi i saj rezultoi në një irritim të dukshëm të Currit.

Nxitësi ishte faktor kyç, në fakt, në duartrokitjet e publikut, duke inicuar kërcitje duarsh pas secilës situatë të mundshme, ndërsa ne të tjerët gati ishim të detyruar ta përcillnim – unë më së shumti nga frika se mos po vërehesha nga ndonjë përgjegjës se nuk po bashkëpunoja e do të pësoja ndonjë masë rigoroze.

Alaudini më linte goxha përshtypje me mënyrën se si po i trajtonte situatat, tash qartazi me më shumë përvojë e vetëbesim pas një fillimi jo shumë pozitiv në “Prime”-in e parë. Mënyra se si u del krah atyre ndaj të cilëve është kthyer kundër krejt shtëpia, është për t’u vlerësuar dhe tash që po e shihja nga afër, ishte edhe më kuptimplote.

Realisht, po më pëlqente. Për tri orë sa isha i pranishëm, për asnjë moment ajo që po shihja nuk po qëndonte nën pritshmëritë e zbavitjes që vinte si rezultat i dramave brenda shtëpisë.

Më shumë fotografi pasuan pas një tjetër ndërprerjeje publicitare.

Në momentin e nominimeve, plot mbetën gojëhapur në audiencë, pasi Getinjo vendosi që ta nominonte Vivienën. Kur flasim për reperin ferizajas, pas “Prime”-it të mbrëmshëm, ai pati një tjetër moment absurd derisa u mundua që ta mbronte teorinë e Tokës së rrafshët, duke thënë se “për sene që jon enigmë kom t’drejtë me mendu çka t’du”, çuditërisht duke neglizhuar një mal faktesh të vërtetuara shkencore.

Në momentin kur u përmend emri i Viktorias që të shkonte në vendin ku shprehen nominimet, një koment nga prapa u dëgjua me zë: “O Allah, e kisha vra!”, sikur për të nënvizuar energjinë homofobe e cila është shprehur aty-këtu në rrjetet sociale dhe brenda shtëpisë.

Nata u mbyll me një tjetër situatë me siklet të çiftit të dalë, pasi ish-banorja me emrin Alisa krijoi atmosferë të pakëndshme, duke rihapur plagë nga javët e kaluara me Olti Currin - episod krejt i pakuptimtë.

Kaq për një natë “Prime” në studion e “Big Brother”-it.

Lajme të ngjashme