Sot a po vishemi portokalli dhe po vajtojmë për pagat e gjyqtarëve? - NACIONALE

Sot a po vishemi portokalli dhe po vajtojmë për pagat e gjyqtarëve?

3 vjet më parë

nga Vullnet Krasniqi

Ministret e Arsimit dhe Drejtësisë, Arbrie Nagavci dhe Albulena Haxhiu, ishin nisur të premten në mëngjes drejt shkollës fillore të mesme të ulët “Faik Konica” në Prishtinë për të marrë pjesë në aktivitetin e parë të fushatës “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës ndaj gruas”, kur në lajme doli një informacion makabër: një mësuese në një shkollë tjetër në Prishtinë është vrarë me sëpatë nga bashkëshorti i saj.

Normalisht, ky aktivitet dhe të tjerë që do të mbahet gjatë këtyre 16 ditëve do të duhej ta humbnin kuptimin dhe e gjithë vëmendja të kthehej te puna praktike, jo te fushatat. Por kjo nuk është e mundur. Kjo fushatë është një projekt i “UN Women” dhe organizohet në Kosovë qe afro dy dekada. Për çdo vit, nga 25 nëntori, nja 16 ditë, nëpër Kosovë organizohen turli aktivitetesh për vetëdijësimin e popullatës kundër dhunës ndaj gruas. Kjo datë është gjithashtu edhe Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave.

Për çdo vit, gjatë këtyre 16 ditëve mbahen aktivitete të ndryshme që, shumica e tyre, janë të vizituara e të dëgjuara vetëm nga një grup i caktuar i njerëzve, që janë shumica aktivistë feministë, gra të ndryshme nëpër pozita, artistë e gazetarë. Të gjithë gjatë këtyre 16 ditëve vishen me ngjyrë portokalli. Shumica e këtyre njerëzve, figura të ndryshme publike të dikastereve të llojllojshme publike e private, janë të njëjtë nëpër shumicën e aktiviteve. Ata veshin shalle ngjyrë portokalli si simbolikë e kësaj jave. Kupolat e Bibliotekës Kombëtare bëhen të portokallta. Gjithçka është e portokalltë, thua se kjo ngjyrë është ndonjë armë e fortë që i ndalon dhunuesit dhe vrasësit.

Çdo vit përsëritet e njëjta gjë. Përsëritet i njëjti skenar: politikanë, njerëz të OJQ-ve, artistë e aktivtistë bëhen bashkë në do panele diskutimi, në do shfaqje teatrale, në do diskutime me shumë panele, në do filma, në do pritje me ushqime, në do koncerte.

Çdo vit, numri i vajzave dhe grave që dhunohen e vriten, rritet. Sivjet, teksa Ministria e Arsimit vendosi që në orët e para të mësimit në shkollat fillore dhe të mesme të flitej për dhunën ndaj grave, nxënësit u tronditën me lajmin se viktimë mund të jetë edhe një mësuese e tyre, madje pranë pensionimit.

“Një mësuese 65-vjeçare u vra me sëpatë nga bashkëshorti i saj”

“Një e mitur 11-vjeçare dhunohet nga një 19-vjeçar”

“Një tjetër e mitur 12-vjeçare tentohet të dhunohet nga një 30-vjeçar”

“Një grua 30-vjeçare vritet nga bashkëshorti i saj”

“Një e mitur dhunohet nga 6 persona”

Lajmet me tituj të tillë janë të çdoditshëm. Gjatë 365 ditëve, këto lajme na janë bërë rutinë. Në një shoqëri normale, vrasja e grave, ose femicidi, dhe dhuna ndaj tyre nuk do të duhej të ishin normale. Në fakt, nuk janë normale në asnjë shoqëri. Sidoqoftë, në shoqërinë tonë, këto janë bërë normale, njashtu sikurse ngjarjet që organizohen kundër tyre.

Protesta ku protestojnë edhe ministrat. Ngjarje të ndryshme ku të gjithë shkojnë e vajtojnë për atë po na ndodh. Njerëz të pushtetshëm, politikanë zakonisht, tronditen për çdo rast. Por nuk bëjnë asgjë për t'i ndaluar ato. Në vend të shpenzimit të energjisë dhe parave të shpenzuara për t'i ndalur femicidin dhe dhunën ndaj grave, ata/ato na ofrojnë pallavra me gjuhë moralizuese dhe aktivitete vetëdijësuese. Por asgjë më shumë. Ja nja dy deklarata "fresh" për ta kuptuar këtë që po e flas.

Jemi tronditë me këtë lajm. Kjo vrasje makabre është pjesë e femicidit. Shoqëria dhe institucionet duhet ta pranojnë këtë problem dhe të eliminohet kjo formë e vrasjes vetëm pse janë gra. Shpresoj që drejtësia ta kryejë punën e vet. Femicidi është prezent në shoqërinë tonë”- tha Nazlie Bala, zëvëndësministre e Drejtësisë.

Në bashkëbisedim me nxënës theksova se është shumë e rëndësishme të ngritet vetëdija e shoqërisë për raportimin e rasteve të dhunës, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të minimizohen dukuri të tilla. Me rastin e shënimit të 25 Nëntorit - Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Gruas, do të mbahen aktivitete të shumta vetëdijësuese edhe në fushën e arsimit. Me vendim tim, sot ora e parë e mësimit do t’i dedikohet parandalimit të dhunës ndaj gruas, me pëmbajtje në përputhje me grupmoshat e nxënësve”- tha ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Kjo gjuhë, që është bërë e zakonshme në 20 vitet e fundit, e ka prodhuar këtë situatë të jashtëzakonshme, kur Kosova është bërë vend i pasigurt për vajzat dhe gratë tona. Dhe kjo pasiguri është rezultat i mospunës së gjyqtarëve dhe prokurorëve në Kosovë. Është rezultat i mungesës totale të punës së sistemit të drejtësisë, që dështon t'i dënojë dhunuesit dhe vrasësit. Dhe çuditërisht këtë vit, 16-ditëshi i qeverisë dhe shoqërisë civile e artistike po nis me një ngjarje makabre sikurse kjo e vrasjes së një 65-vjeçareje. Çuditërisht, shumica e këtyre aktorëve të shoqërisë civile po vajtojnë për një vendim të qeverisë për t'i ulur pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Një vajtim që po rënkon për një “tragjedi” se kinse i ka ndodhur sistemit të drejtësisë. Por vajtimi me shalle për viktimat e dhunës dhe femicidit nuk do të ndalë asgjë. Vetëm do të prodhojë më shumë dhunë dhe vrasje.

Lajme të ngjashme