Skema e Qeverisë iu dha abuzuesve të punëtorëve një instrument tjetër abuzimi - NACIONALE

Skema e Qeverisë iu dha abuzuesve të punëtorëve një instrument tjetër abuzimi

3 vjet më parë

nga Jetlir Buja

Abuzuesit e të drejtave të punëtorëve sapo morën në dorë një instrument të fuqishëm shtesë abuzimi nga Qeveria e Kosovës, e obsesionuar me rritje numrash. Krejt papritmas, e gjithë veprimtaria abuzive e tyre, punëtorët e paregjistruar të tyre, u bënë aset i çmueshëm që mund të përkthehet në fitime të mëdha.

Jetlir Buja

Shifra prej 25 mijë të punësuarve tashmë është bërë bajate. Ka kaluar shumë kohë që përsëritet e përsëritet. Ndoshta qe tetë-nëntë muaj. Ndoshta qe rrafsh një vit. S’u bënë as 26 mijë, as 25 mijë e 500, as 25 mijë e dhjetë. Mbetën po ata 25 mijë! Prandaj, këtu hyn në lojë ideja e re e kësaj qeverie: një i punësuar për çdo familje!

Kjo ide ishte propozuar së pari nga Fatmir Limaj, edhe ky socialdemokrat i deklaruar. Por, meqë u dha prej tij, asocionte me nepotizmin dhe familjarizmin që karakterizonte partinë dhe ish partinë e tij. Të fusje në skemat e punësimit edhe familjen, dukej aq e parashikueshme sa të gërdiste. Familja ishte në skemat informale të punësimit. Kjo dukuri e shëmtuar – që fatkeqësisht po vazhdon – quhet nepotizëm. Dhe, të njëjtën ide e bëri vendim Albin Kurti, kryeministri i tanishëm. Por, kësaj here s’kemi të bëjmë thjesht me gërdinë prej pamundësisë për t’u ndarë një herë e mirë nga familja kur mendojmë për politikën, ekonominë e shoqërinë, por kemi të bëjmë me një mashtrim që mund të masivizohet në përmasa të paimagjinueshme.

Ashtu siç u prezantua, ideja është të subvencionohen punëdhënësit me një shumë që mund të shkojë deri në 70 për qind të rrogës (maksimumi 300 euro) për punëtorët që janë të vetmit brenda familjes së tyre që punojnë.

Problemi është se shkalla e ekonomisë informale në vendin tonë është tepër e lartë. Nuk ka as matje e as vlerësime, por ne e shohim përditë në mesin tonë. Gjithkund. Prandaj, ekonomia informale (në këtë rast, numri i madh i punëtorëve të paregjistruar) është leva përmes së cilës punëdhënësit më të tmerrshëm të vendit tonë do të nxjerrin përfitime marramendëse për bizneset e tyre.

Pra, punëdhënësit tanë dallaverxhi do të kërkojnë prej punëtorëve të tyre të paregjistruar informacione mbi ekonomitë familjare respektive. Ata që nuk kanë familjarë tjerë të punësuar (me letra) do të regjistrohen. Sigurisht se do ta marrin të njëjtën pagë, por e mira është se do ta nënshkruajnë një kontratë. Por, manovrat s’do të ndalen këtu, ato do të shumëfishohen. Ta zëmë, ndonjë punëdhënës mund ta “pushojë” nga puna zyrtarisht ndonjë punëtor me familjarë të punësuar (pra, do ta mbajë në punë por pa kontratë) që ta “punësojë” zyrtarisht punëtorin e tij pa familjarë të punësuar. Edhe të marrë subvencionet, edhe të mos paguajë tatime shtesë.

Kush ia sheh hairin kësaj? As punëtori, as familja e tij e as shteti. Vetëm punëdhënësi abuzues.

Pra, përfitimet financiare që do të marrin punëdhënësit më të këqij të Kosovës në emër të zbutjes së varfërisë do të jenë të mëdha. Për katër punëtorë të regjistruar në atë skemë, një punëdhënës do të mund të përfitojë (po e llogarisim maksimumin e përqindjes (70) së maksimumit të pagës (300)) deri në 840 euro në muaj ose 5040 euro për gjashtë muaj. Për katërdhjetë punëtorë, shifra shkon në 50 mijë e 400 euro. Për katërqind, në 504 mijë euro. E kështu me radhë.

Nëse marrim parasysh krizën ekonomike me të cilën po përballet vendi, këto shifra mund të jenë jashtëzakonisht fitimprurëse. Qoftë për biznese të vogla, qoftë për të mesme, qoftë për të mëdha. E duke qenë fitimprurëse, mashtrimi përmes familjeve më të dobëta ekonomikisht mund të bëhet kronik.

Pra, kjo është një përpjekje qeveritare për të ndërhyrë në tregun e punës, por e atillë që rrjepë edhe përpjekjet potencialisht serioze të së ardhmes. Ajo që po ofrohet nuk është një punë për familjet e papuna, por një mjet tjetër abuzimi ndaj shtetit për punëdhënësit abuzues. E përveç këtij mjeti, ofron potencialisht edhe qasje – e përmes saj kontroll - në ekonomitë e dobëta familjare të punëtorëve të tij. Mos të flasim edhe për krejt ata punëtorë me familjarë të punësuar që mund të humbasin vendet e punës apo edhe mundësitë e punës si pasojë e diskriminimit ‘pozitiv’ nga punëdhënësit.

Natyrisht, kjo skemë do të rris numrat e punësimit për Qeverinë. Por, ashtu siç nuk është besuar shifra e 25 mijë të punësuarve e siç nuk është besuar rritja e përditshme e punësimit gjatë karantinave të pandemisë nga Besnik Bislimi (përmes një pakoje që po ashtu shpërbleu punëdhënësit abuzues, që i morën 170 eurot nga paga e punëtorëve të tyre) nuk do të besohet as shifra e re.

Por, unë besoj që krejt këto i di mirë Qeveria. Mos të harrojmë, ata kanë vënë një pagë maksimale prej vetëm 300 eurove në skemë, sepse e dinë që s’do të ketë kurrfarë efekti pozitiv (pse jo 500 e 600 psh?) dhe se qëllimi i vërtetë është që dëmi të jetë sa më i vogël.

Në anën tjetër, përmes maksimumit të 300 eurove duan që shënjestra e abuzimit të jetë fuqia më e lirë dhe më e shtypur punëtore që fatkeqësisht është edhe shtresa më e paarsimuar dhe më e papërfaqësuar politikisht në shoqërinë tonë. S’do të dëgjohet kur të rënkojë për kontrollin e punëdhënësit jo vetëm mbi të por edhe mbi familjen e tij; s’do t’ia varë kush kur të pëshpëris se si merr gjysmën e pagës me letra e gjysmën pa letra; se si e humbë (me letra) vendin e punës pas gjashtë muajve kur mbaron subvencionimi qeveritar për punëdhënësin. E kështu me radhë.

Pra, përveç 300 eurove është edhe afati gjashtëmujor që na tregon se Qeveria po e dëmton buxhetin me dije të plotë. E para, nëse një punëtor regjistrohet si punëtor, cila do të jetë shtysa për punëdhënësin që ta mbajë të regjistruar edhe pas gjashtë muajsh? Për më keq, cila do të jetë shtysa që potencialisht t’ia rris rrogën kur nuk do të marrë më subvencione për të?

Natyrisht, i njëjti joseriozitet në Projektligjin e Pagës Minimale, ku natyrisht se nuk ka kurrfarë studimi prapa, e as pritje, qëndron këmbëkryq edhe te kjo skemë.

Lajme të ngjashme