Kah po shkon o moj zanë: Pse VV-ja kopjoi idenë e Nismës së Fatmir Limajt që e përqeshte dikur?
A kopjoi, dhe nëse po, pse e kopjoi Lëvizja Vetëvendosje premtimin e Nismës së Fatmir Limajt?
Ishte viti 2017 dhe Nisma për Kosovën nisi të garonte së bashku me PDK-në dhe AAK-në. Sidoqoftë, tri partitë e dala nga lufta i zhvillonin fushatat ndaras, dhe edhe premtimet i bënin ndaras me elektoratet respektive.
Në majin e atij viti, kryetari i kësaj partie që mban emrin Fatmir Limaj, kishte folur për një premtim që u përsërit sot edhe nga Hekuran Murati, ministri aktual i Financave nga Lëvizja Vetëvendosje.
"Diku duhet ta nisim për ta ndaluar degradimin e shtetit dhe për të krijuar barazi tek qytetarët. Me Nisma nuk do të ketë asnjë familje pa një anëtarë të punësuar dhe kjo është barazia. Andaj, çdo familje do ta ketë nga një anëtar të punësuar. Me Nisma, si social demokrate, do t’ia kthejmë identitetin e Kosovës," – kishte premtuar z. Limaj në një aktivitet në komunën e Prizrenit.

Duke qenë se Nisma po bëhej social-demokrate, domethënë parti e majtë, ky premtimi nxiti një varg përqeshjesh nga aktivistët e Vetëvendosjes. "Kush qesh, e veshë," - është një fjalë e urtë popullore që mësyn t'i dalë kundër bullizmit, dhe e cila si duket mund t'i përshtatet këtij momenti.
Shumë prej tyre e shihnin premtimin në fjalë si të prapambetur sepse përsëri bënte një lidhje me familjen. Kujtojmë që Nisma – ashtu si partitë e tjera që ishin në pushtet – akuzoheshin në atë kohë për punësime në baza familjare e nepotiste dhe ky premtim për një të punësuar në familje përngjante me këto praktika.
Historia e kopjimit
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve që quhet Hekuran Murati në raportimin e sotëm para anëtarëve të Komisionit parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale prezantoi një plan të ngjashëm.
“Ideja është që të punësojmë nga një anëtar të familjes. Projektligji për pagën minimale parasheh heqjen e tatimit për pagën që e ka 250 euro. Secilit të punësuar ajo pjesa që është ndalë tatim i dalin shtesë për pagën. Kemi rritur subvencionet për 60 për qind për bujqit marrë parasysh edhe krizën e çmimeve,” – u shpreh z. Murati.
Por, historia e këtij ‘kopjimi’ të idesë nga Nisma është pak më e gjatë se te mbledhja e sotme e komisionit dhe z. Murati.
Dy vjet pas premtimit të bërë nga Fatmir Limaj (2017), Albin Kurti e kishte bërë një premtim të tillë për zgjedhjet e 6 tetorit të 2019-s.
Kryeministri i tanishëm ishte në një mbledhje në Kaçanik kur premtoi se përmes një skeme të punësimit sezonal do të garantonte “një të punësuar për çdo familje”.
“Skema jonë e punësimit sezonal do të garantojë një të punësuar për çdo familje që është në skemë sociale,” – ishte shprehur Albin Kurti.

Ky premtim i Kurtit ishte përsëritur edhe në Programin e Qeverisë së Kosovës (2021-2025).

Sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) për vitin 2011 (nuk ka pasur regjistrim të popullsisë prej atëherë) numri i ekonomive familjare në Kosovë është 279 mijë e 90. Kjo nënkupton se “numri mesatar i personave për ekonomi familjare” është 5.9 anëtarë.
Ndërkohë, numri i familjeve kosovare që jetojnë në varfëri të skajshme raportohet të jetë afër 30 mijë.
Kryeministri Kurti ka përsëritur vazhdimisht se janë hapur 25 mijë vende të reja të punës prej kur e mori mandatin (mars 2021), shifra këto që janë kontestuar nga opozita dhe shoqëria civile.
Kujtojmë se këshilltari i kryeministrit Kurti, Jeton Zulfaj, dikur kishte punuar për Nisman e Fatmir Limajt. Në një opinion të titulluar “Kush është “Nisma për Kosovën” të cilit i vinte pikëçuditje në fund, ai shprehej se programi i saj ishte të angazhohej edhe në politika sociale.
Në anën tjetër, mungesa e ideve dhe vizionit është një ndër kritikat kryesore të shoqërisë civile ndaj Qeverisë Kurti II.