Përballë vrasësve dhe në kujtim të Marigonës - NACIONALE

Përballë vrasësve dhe në kujtim të Marigonës

3 vjet më parë

nga Anita Nikaj

Shoqet nga Kolektivi i Mendimit dhe Veprimit Feminist më thanë para 2-3 ditësh se do të mbajnë një aksion simbolik para Gjykatës në Ferizaj.

Më ftuan të bëhesha pjesë e aksionit të tyre. Qëllimi im ishte të shkoja si gazetare nga Nacionale për të përcjellë fotot dhe deklaratat e tyre në redaksi.

Morëm rrugën në orën 8 të mëngjesit për në Ferizaj. Pasi shkuam në Gjykatë, aktivistet e Kolektivit shpalosën çarçafin e bardhë të shkruar me ngjyrë të kuqe, që është bërë simbol i veprimeve feministe në Kosovë.

Pas disa fjalësh, rojet e ndërtesës u thanë se nuk mund ta vendosnin çarçafin me mbishkrimin “NE NUK HARROJMË”, në muret e Gjykatës.

Natyrisht, këmbëngulja ishte edhe më e madhe nga ana e tyre që çarçafi të vendosej në murin e kësaj gjykate. Pas vendosjes së çarçafit dhe një paragrafi të aktakuzës ku shpjegohej dhuna ndaj Marigonës, fillimi i seancave po afrohej.

Shoqet e kolektivit vazhduan të qëndronin jashtë gjykatës, ndërsa unë vazhdova brenda me kolegët e mi gazetarë të mediumeve të ndryshme, të cilët ishin në numër të madh.

Policia që ishte caktuar të kujdesej për rendin brenda sallës, na udhëzoi se ku të uleshim, halli i çdo gazetari ishte se a ishin të pozicionuar në hapësirat më të afërta për të marrë pamje sa më të mira.

S'i hiqja dot sytë

Ndryshe nga ata, unë nuk mund t'i largoja sytë nga familja e tanimë të ndjerës, Marigona, e strukur në rreshtin e parë të sallës së mpirë nga dhimbja.

Pyesja veten se si ndihen kur pas pak minutash do të përballen me vrasësit e vajzës së tyre, por nuk mund të merrja asnjë shpjegim nga vetja. Ndoshta po t’i pyesja se si po ndiheshin, do ta merrja atë pergjigjie. Nuk pata vullnet të afrohesha te ta, edhe pse do të ishte rrëfim i rëndësishëm për redaksinë.

M'u kujtua 24 gushti i vitit 2021, ku grupe të ndryshme feministe dhe shumë aktiviste ishin mbledhur para Gjykatës Themelore në Ferizaj për të kërkuar drejtësi për Marigonën. Disa prej aktivisteve kishin hedhur ngjyrë të kuqe në drejtim të Gjykatës.

Ky veprim kishte ‘irrituar’ policinë ku kishin thënë se uniformat ishin dëmtuar.

Zëri i gjyqtarit ma ktheu vëmendjen në sallë, filloi procedura e zakonshme, por hyrja e dy të akuzuarve, Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, solli zymtësi, e mbi të gjitha zemërim.

I pajisur me jelek antiplumb, i rrethuar nga mbi 10 policë të njësisë speciale, Dardan Krivaqa u ul disa ulëse poshtë meje. Nuk kishte ndryshuar shumë për nga fiziku, përveç se i kishte rritur flokët. Ndërsa tjetri, i akuzuari Arbër Sejdiu, si duket nuk i ka bërë përshtypje askujt. Ai nuk kishte veshur jelek antiplumb dhe nuk ishte i rrethuar nga policia.

Familjarët e Marigonës nuk u kthyen asnjëherë për të parë dorasit e vajzës së tyre, të cilët vranë në mënyrën më mizore vajzën e tyre të madhe, e cila megjithatë nuk ishte aq e madhe për nga mosha - ishte vetëm 18-vjeç.

I akuzuari Arbër Sejdiu kishte angazhuar një avokat, për dallim nga Krivaqa, të cilin çdo avokat në Kosovë kishte refuzuar ta mbrojë. Nga ky refuzim, Oda e Avokatëve të Kosovës i kishte caktuar një avokat.

Neveri në vete

Lotët dhe zëri i tij që dridhej, që dukej se vinte nga një skenë filmi, ishin të neveritshëm për t'u parë dhe dëgjuar.

Ata lot, që në gjuhën popullore janë “lot krokodili”, ishin pikërisht për policët që e rrethuan dhe për gjykatën që nuk e ka dënuar me dhjetëra herë.

Nuk mund ta kuptoja se sa të qetë dhe bindës ishin që ishin të pafajshëm dhe nuk kishin kryer asnjë krim.

Edhe i akuzuari Arbër Sejdiu ka thënë se nuk ndihet fajtor, me një bindje aq të thellë saqë po të mos e kishte lexuar aktakuzën në fillim, do të besonte se është i pafajshëm.

Ndoshta ky refuzim është një lloj kamuflimi për dështimin e drejtësisë në Kosovë.

Dorasi, Dardan Krivaqa, ishte recidivist i më shumë se 100 veprave penale, por i kishte shpëtuar burgut. Ishte liruar pikërisht nga gjyqtarët që vrasjen e Marigonës e cilësuan si “Vrasje për motive të ulëta”. Për ta ‘motivet e ulëta’ ishin xhelozia.

Kaq mjafton që një Gjykatë në Kosovë t'i lërë të lirë vrasësit e grave.

Ky nuk është rasti i parë dhe as i fundit që gjykatësit e lehtësojnë dënimin dhe nuk i dënojnë as përdhunuesit dhe vrasësit e grave në Kosovë.

Tash e disa vite jam pjesë e protestave të panumërta. Diana Kastrati u vra nga ish-bashkëshorti, edhe pse kishte masë ndalimi - u ther dhjetëra herë nga ai në banesen e saj.

Lirie Qerimi u vra nga bashkëshorti i saj pas shumë raportimeve për dhunë, dhe në ditën e vrasjes ajo ishte në stacionin policor në Skenderaj - policia së bashku me gjyqtaren e kishte liruar dhunuesin e saj dhe më pas vrasësin, pas marrjes në pyetje të Liries, ku i kishin kërkuar që të shkonin së bashku në shtëpi. Gjyqtari në Pejë e dënon dhunuesin e një të miture me vetëm 8 muaj burgim, pasi dhunuesi ka krijuar familje dhe ka ndryshuar.

Kush të rrah, të do

Këto janë vetëm disa nga frazat me të cilat janë rritur vajzat tona. Policia nuk reagon, gjykata nuk dënon, dhe gratë vazhdojnë të vriten.

Në një nga parullat e protestave, 'Edhe sa thirrje të humbura', kaq shumë thirrje që nuk po adresohen në vendin e duhur, ku për gratë dhe vajzat tona as shtëpia, as rruga, as statcioni policor nuk janë vende të sigurta më.

Raportimet e dhunës që bien në vesh të shurdhër, neglizhenca nga të gjitha institucionet shtetërore që çdo ditë po na dëshmojnë se janë patriarkale dhe se zërat e grave të dhunuara, të keqtrajtuara e të vrara janë vetëm një statistikë më shumë.

Një protestë më shumë, një thirrje e humbur dhe një grua më pak.

Lajme të ngjashme