Pak bukë për minatorët e Trepçës!
Minatorët e kërkojnë pagën. Edhe më saktësisht, minatorët po kërkojnë pak bukë për barqet e zbrazura të familjeve të tyre. Është një tablo tipike e fillimit të industrializmit britanik, ku dy lloje të forcave antagoniste përballeshin. Në njërën anë, një pronar borgjez, krejt i pashpirt karshi rropatjes së minatorit, ndërsa në anën tjetër, punëtorët e deformuar nga puna e vështirë në minierë.
Mund të tingëllojë si ndonjë roman klasik ose ndonjë kritikë e Marksit e Engelsit për kapitalizmin e shekullit XIX. Megjithatë, nuk është as njëra, as tjetra. Madje, më lejoni t’jua tërheq vërejtjen: ky shkrim s’është as pjellë e imagjinatës së autorit, por është realiteti i mbi një mijë minatorëve të Trepçës, të cilët nuk kanë marrë pagë që dy muaj.
Në Kosovën e vitit 2024, gjeografikisht evropiane, mijëra minatorë luftojnë për pagën e tyre...dhe nuk është hera e parë. Pra minatorët e revoltuar nuk kërkojnë as ndonjë rritje pagash, ndonëse është kërkesë legjitime, e as ndonjë zhvillim të mirëqenies sociale e sigurisë në punë. Krejt çfarë ata po kërkojnë është që ta marrin pagën e tyre, një e drejtë e përcaktuar me ligj. Në një gjuhë migjeniane, revolta e minatorëve është një apoteozë e pagës.
Edhe sot u mbajt një mbledhje mes minatorëve dhe menaxhmentit të lartë të Trepçës. Sikurse pritej, asgjë e re nga fronti i pagës, përveç përsëritjes së kërkesës absurde dhe bajate për rikthim në punë, pa ndonjë premtim dhe zotim për ekzekutimin e rrogës së merituar e të garantuar ligjërisht. Natyrisht dhe me të drejtë, minatorët e refuzuan kërkesën e kryeshefit ekzekutiv, Bashkim Kurti, i cili tentoi në mënyrë dëshpëruese që të përafrohej emocionalisht me minatorët.
“As unë nuk kam marr pagë si ju” – ishte fjalia e kryeshefit të Trepçës, që u kundërshtua përbrenda një sekonde nga ana e një minatori të vëmendshëm. “Ti e ke marrë 3 mijë euro, na sa e marrim?” – ishte pyetja retorike e Miftar Mehmetit, rrëfimi i të cilit për Nacionalen është thellësisht emocional dhe shënues i kësaj gjëme pagash.
Nga kjo përplasje, dy mësime fillestare janë lehtësisht të rrokshme. E para, heshtja shurdhuese e pushtetit qendror. Albin Kurti, kryeministri deklarativisht i majtë i Kosovës, nuk ka bërë zë deri tani për çështjen e pagave të minatorëve të Trepçës. Përderisa minatorët apelojnë për rroga, duke e treguar përpëlitjen e vazhdueshme me borxhe, kredi e familjarë të sëmurë, Kurti po sorollatet në mënyrë të panevojshme në Parisin luksoz.
Në Parisin e Sartrit, filozof që protestonte bashkë me minatorët, Kurti zgjedh që të kënaqet në shoqërinë e shpurës dhe familjes së tij. Për shkak të kësaj heshtjeje të Kurtit për minatorët pa paga, me shumë gjasë, po të ishte Sartri gjallë, nuk do ta pranonte Kurtin në tavolinën e “Café de Flore”. Kurti është transformuar nga një opozitar i majtë në një pushtetar me jakë të bardhë. Në biografinë e Kurtit, heshtja e sotme do të jetë një njollë e turpit.
Mësimi i dytë është edhe më i dhimbshëm. Shoqëria është absolutisht e painteresuar për fatin e minatorëve të Trepçës. Është një pllakosje e topitje shoqërore që e përfaqëson vdekjen e opozitarizmit në Kosovë. Sot, askush, asnjëherë, për asgjë nuk proteston. E gjithë revolta është e koncentruar, fatkeqësisht, në shkrime në rrjete sociale, të cilat nuk materializohen në terren. Është një opozitarizëm virtual, pa kurrfarë prekjeje shoqërore. Është shoqëri shterpe, prandaj do të duhet kohë e gjatë e mund i madh që të rikthehet nervi opozitar mbarëshoqëror.
Tashmë llogoret mes minatorëve dhe pushtetit janë hapur dhe çarja është aq e madhe, sa të tolerohet më tutje një neutralitet fiktiv. Logjika e dyzuar është më e thjeshtë se kurrë më parë në këto tri vite e gjysmë-pushtet të VV-së. Kush është kundër minatorëve, është me pushtetin, që nuk e çan kokën për dertet e punëtorëve që hapërojnë në mijëra metra nën tokë. E di, duket e çuditshme, por jepjuani pagat minatorëve, mos i lini pa bukë!