Kurti i shkeli me thembër këmbe – Prishtina dhe Ferizaji i dhanë 83, 469 vota VV-së - NACIONALE

Kurti i shkeli me thembër këmbe – Prishtina dhe Ferizaji i dhanë 83, 469 vota VV-së

1 vit më parë

nga Col Mehmeti

Për katër vjet qeverisje, Vetëvendosja i ka ndëshkuar kolektivisht pjesën më të madhe të komunave në Kosovë, me përjashtim të katër çerdheve të saj tek të cilat i ka përqëndruar investimet e reja kapitale. Strategjia e saj parazgjedhore ishte e tillë që përshkruhet me nocione si ‘fushatim mbrojtës’ dhe ‘mobilizim i bazës’ —ato iu referohen realiteteve ku investimet kahëzohen vetëm në komunat ku partia në pushtet e ka hambarin e votave. Sado që VV nuk ka ndjekur ndonjë strategji ekspansive, pra përqëndrim në komuna ku nuk ka mbështetje, Prishtina dhe Ferizaj, njësoj si edhe komuna të tjera, kanë rrokëqiellëzuar me vota për Kurtin. Janë dy komunat që e kanë përjetuar më së shumti ndëshkimin kolektiv të Vetëvendosjes, nuk morën investime kapitale, iu bllokuan projektet e hëngrën penalizime të tjera. Megjithatë, 83,469 njerëz nga këto dy komuna e votuan partinë në pushtet.

Col Mehmeti

Gjatë mandatit të saj katërvjeçar, Qeveria e Albin Kurtit ishte bërë nënë për një grusht komunash e njerkë për shumë syresh.

Shumë lehtë e përshkrueshme si ndëshkim kolektiv, ato qytete ku nuk ka qeverisur Vetëvendosja kanë përfituar pak e hiç investime kapitale.

Dy shembujt klasikë janë Prishtina dhe Ferizaj si dy komunat me përqëndrimin më të madh të popullsisë në rrafshin e Kosovës.

Sipas regjistrimit të vitit 2024, komuna e parë banesëzon 227,154 njerëz, kurse e dyta 109,255 banorë.

Por, gjykuar nga shkalla e investimeve të reja kapitale për vitin e kaluar, Prishtinës i ishin ndarë 2,300,000 euro ose 10.5 për qind, përderisa Ferizaji as nuk kishte figuruar në listën e investimeve për 18 komuna.

Bujari prej nëne ishte shfaqur vetëm për ato komuna ku Vetëvendosje gëzon pushtetin prej katër vitesh: Gjilani me 28.8 për qind investimeve të reja (6,300,000 euro), Shtimja me 12. 6 për qind (2,753,333 euro) dhe Kamenica me 9.6 për qind (2,100,000 euro).

Yrysh për VV-në që nuk investoi

Përkundër këtij diskriminimi, vota për Lëvizjen Vetëvendosje në dy komunat e zëna në gojë ka rrokaqiellëzuar.

Nga rezultatet e gjertanishme të KQZ-së, 54, 796 njerëz ose 46.91 për qind në komunën e Prishtinës kanë votuar për Vetëvendosjen, Njashtu, në komunën e Ferizajt 28,673 njerëz ose 51.96 për qind e kanë votuar partinë e Kurtit.

Mu këtu e kanë vendin disa përqasje krahasimore: në zgjedhjet parlamentare të para katër vitesh, në komunën e Prishtinës Vetëvendosjen e patën votuar, 71.873 qytetarë (ose 65 për qind), kurse në atë të Ferizajt 35.158 qytetarë (ose 61 për qind).

Me dinamika krejt të tjera, në zgjedhjet e fundit lokale Vetëvendosja kishte rënë në vota në Prishtinë duke i marrë 26,988, kurse në Ferizaj 9,924 vota.

Në raportin e vjetshëm të Institutit GAP ishte thënë se “investimet e reja kapitale të nivelit qendror nëpër komuna edhe këtë vit vazhdojnë të favorizojnë komunat e udhëhequra nga Vetëvendosje”.

Njësoj si më 2023, edhe vitin e kaluar gjysma e investimeve të reja kapitale ishte kahëzuar për katër komunat e udhëhequra nga Vetëvendosja (Gjilan, Kamenicë, Podujevë dhe Shtime), ndonëse që të katra marrë së bashku nuk përbëjnë as 11.6 për qind të popullatës.

Kurti: “Nuk investoj se nuk i lëndoj votuesit e mi”

Kryeministri, Albin Kurti nuk e kishte fshehur mosdëshirën e tij për t’i shtyrë përpara projektet jetike në kryeqendrën e Kosovës.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Drejtori i Investimeve Kapitale në Komunën e Prishtinës, Krenar Xhaferi, gjatë një interviste në emisionin ‘Frontal’ të T7, kishte bërë të ditura disa hollësi interesante.

Në një takim mes drejtuesve të Komunës së Prishtinës dhe kryeministrit, Albin Kurti e ministrit të Financave, Hekuran Murati, kreu i Qeverisë e kishte pranuar që mosinvestimet në Prishtinë lidhen me humbjen e partisë së tij.

“Kurti pati thënë se ata që më më sollën mua në këtë karrige janë shumë të lënduar për humbjen në Prishtinë, ndaj nuk mund të bie ndesh me vullnetin e tyre”, kishte thënë Xhaferi duke evokuar hollësitë e këtij takimi.



Një afri me Fideszin hungarez

Nuk është se nuk ka pasur raste kur një parti politike që ka pushtetin qendror të fitojë edhe në ato pjesë ku nuk ka investuar asnjë dyshkë.

Një shembull që mund të thirret për këtë është partia Fidesz e Viktor Orbánit dhe fitorja e saj e stuhishme në zgjedhjet parlamentare të 2018-s.

Kjo parti kishte pasur bereqet votash në shumë nga viset e pazhvilluara rurale që nuk e kishin ndjerë aspak dorën e qeverisë për investime në infrastrukturë, industri a programe sociale.

Sipas njohësve të familjarizuar me kontekstin hungarez, popullariteti i Fideszit i detyrohej jo pak antagonizmit që Orbáni i bënte Bashkimit Evropian.

Rrjedhimisht, kjo rezononte me votuesit që e prioritarizonin këtë gjë më shumë sesa stagnimi ekonomik në rrafshin lokal.

Në shumë nga pjesët rurale të Hungarisë verilindore dhe jugore, Fideszi u votua edhe për shkak të mediave që u tërhiqej kapistra prej qeverisë—ato ndihmuan jo pak që të formëzohej perceptimi publik i Fideszit dhe mesazhet politike të kësaj partie apelonin më shumë sesa vetë çështjet ekonomike lokale.

U ndëshkuan, por prapë e votuan VV-në

Por, shndrrimi i Prishtinës dhe Ferizajt në një pellg votash për Vetëvendosjen nuk është i përputhshëm në të gjitha pikat me kontekstin hungarez.

Derisa Fideszi fitoi në rajone të prapambetura rurale ku nuk investoi, Vetëvendosja, në zgjedhjet e së dielës, pati një konstituencë tejet numerike në Prishtinë dhe Ferizaj.

Këto të dyja, në të vërtetë, mbajnë primatin e komunave më të zhvilluara në Kosovë, me pjesën më të lartë të taksave të paguara si dhe numrin më të madh të bizneseve.

Por pavarësisht kësaj, ato nuk ia panë hajrin nivelit qendror të pushtetit.

Lojëra strategjish

Mbajtja stabile e numrit të votave të Vetëvendosjes në Prishtinë dhe Ferizaj mund të shpjegohet edhe me terma të fushatave politike.

Është e qartë që politika e nivelit qendror kundrejt dy komunave në fjalë nuk ka të bëjë me ‘strategji ekspansioni’ (Expansion Strategy), ‘shënjestrim logbeteje’ (Battleground Targeting) apo ‘strategji sfidimi’ (The Challenger’s Strategy).

Këto nocione përshkruajnë taktika partish që të zgjerohen në formë investimsh në ato vende ku kanë popullaritet të mekët për t’i nxjerrë jashtë loje partitë konkurente.

Në të vërtetë, atituda e Qeverisë Kurti 2 më tepër përafron me atë strategji zgjedhore të quajtur ‘fushatim mbrojtës’ (defensive campaigning).

Me favorizimet që i ka bërë së paku përmes alokimit të fondeve investive në katër komunat që i udhëheq, Vetëvendosja i ka vënë syrin konsolidimit të besnikërisë së saj votuese.

Fushata e Vetëvendosjes ishte po kaq përgjatë nocionit të ‘strategjisë së mobilizimit të bazës’ (base mobilization strategy)—në zemër të kësaj strategjie qëndron energjizimi dhe mbajtja e mbështetësve bazë të partisë më fort sesa përpjekjet për të fituar votues të papërcaktuar.

Lajme të ngjashme