Kuota për gratë është ofendim, duhet të suprimohet - NACIONALE

Kuota për gratë është ofendim, duhet të suprimohet

3 vjet më parë

nga NACIONALE

GRUAJA SHQIPTARE DHE INSTITUCIONET E SAJ DO DUHEJ VETË TË KËRKONIN SUPRIMIMIN E KUOTËS GJINORE - KUOTËS SË TURPIT.

Këtë far kuote e quaj kuotë turpi. Ajo më fyen, më ofendon dhe më mungon respektin për gjininë së cilës i takoj. Kam ngritur zërin kundër saj që në vitin 2000 kur u diktua nga të huajt veç tjerash edhe me një prapavijë politike. Jam prononcuar shumë herë në institucione dhe me paraqitje publike duke argumentuar qëndrimin tim. Kam dëgjuar të thonë se e njëjta aplikohet edhe në Perëndim! Nuk e kam besuar, por edhe po të jetë kudo që është, është gabim!

Kur pas luftes u bë e ligjshme dhe e aplikueshme kjo e ashtuquajtur kuotë e grave për të imponuar një përfshirje të caktuar të grave në institucione, e ndjeva veten të fyer si grua.

Ky imponim bashkë me ligjësimin e përfshirjes së planifikuar të gruas në institucione ligjësoi në menyrë të turpshme pabarazinë gjinore e cila realisht ekzistonte. Veç pabarazisë gjinore edhe atë mendore!

Kjo kuote është një ofendim, injorim, një nënvleftesim i gruas dhe kapacitetit të saj mendor e intelektual dhe aftësive të saja intelektuale e udhëheqëse e menaxheriale. Ky është nençmim i qenies së gruas dhe integritetit të saj personal të legjitimuar edhe formalisht me pranimin e kësaj kuote.

Domethënë gruaja duhet të ketë favore dhe pozitë në shoqëri e institucione, jo pse e meriton, jo pse ka aftësi, jo pse mund ta kryejë si duhet punën që i është besuar, jo pse ka tru por thjesht pse është grua. Dhe sepse eshte grua mund t’ia zë vendin nje burri i cili mund t’i ketë gjithë kapacitetet duke e merituar atë vend. Kjo do të ishte e padrejtë, e dëmshme për institucionin dhe fyerje për gruan së cilës edhe formalisht do i pranohej konstitucioni më i ulët mendor në raport me burrat.

Qe thjesht nuk është e vërtetë!

Kjo më fyen, më nënvlefteson dhe më denigron. Mua dhe integritetin tim personal , intelektual e mendor. Dhe këtë nuk mund ta pranoj asnjëherë!

Nuk do pranoja kurrë të ulem në një të tillë vend mbi bazë të kësaj kuote. Sepse aty nuk do të ndjehesha e qetë asnjëherë.

Nga ndjenja e kundërshtisë së unit tim dhe neverisë ndaj vetës sime. Dua garën e konkurrencën dhe jo lëshimet e koncesionet mbi bazë të përkatësise gjinore!

Ky nuk është fare kontribut emancipimit të gruas sepse emancipimi nuk mund të bëhet me dekret!

Emancipimi është proces të cilit duhet t’i kontribuojë vetë gruaja në veçanti dhe shoqëria me nxitjen e rrjedhave shoqërore progresiste në përgjithësi.

Kjo formulë e dhimbshme që vazhdon edhe sot ofendon gruan, integritetin e saj, mohon vlerat e saj dhe e paragjykon atë pa turp e pa të drejtë mbi bazë të përkatësisë gjinore.

Kjo është loje e emancipimit të shpifur e artificial dhe të paqëndrueshem, është thjesht një përdhosje e gjinisë.

Kjo është në fakt një rrjedhë e imponuar që kundërshton emancipimin vetë. Emancipimi i gruas në Kosovë është në këtë nivel që është. Por kuota nuk është rrugë e avancimit të emancipimit. Ajo është amortizim i qëllimshëm i rrugës evolutive të stimuluar me veprime të duhura që e ndihmojnë emancipimin. Duhet goditur nga vetë shoqëria shkaktarët e pengesave të emancipimit si konservatorizmin, fanatizmin, patriarkalizmin, tradicionalizmin, gjendjen e rëndë ekonomike të gruas, shkallën e ulët të punësimit të saj e të tjera si këto.

Kuota do të thotë diskriminim pozitiv ndaj gruas. E diskriminimi pozitiv bëhet ndaj të dobëtit e të kufizuarit! Domethënë të pranojmë se jemi më të dobëta, me tru me të pazhvilluar, të pafuqishme dhe të retarduara! Jo në asnjë mënyrë! E dëboj më perçmim këtë far kuote të turpit dhe fyerjen që na bën ajo! Prandaj jam shumë e bindur se i takon gruas vetë dhe institucioneve të saja që të bëjnë të pamundurën për të ftuar edhe formalisht për suprimimin e kësaj kuotë të turpit.

Në emër të gruas, dinjitetit të saj, integritetit mendor e intelektual, në emër të krenarisë së saj!

Lajme të ngjashme