Flet pas dy dekadash: Pse Luljeta Pula-Beqiri u harrua nga politika e pasluftës? (VIDEO)
Intervista e Buzhalës, prodhim i Gazetës Nacionale, që për synim ka të sjellë te lexuesit dhe shikuesit një emision më ndryshe, me të ftuar që rrallëherë shihen në studio televizive.
Dhe ku ka më mirë se një seri të tillë emisionesh ta fillosh me heroinën Luljeta Pula-Beqiri, që intervistën e fundit e kishte dhënë 22 vite më parë.
Gjeneratat më të vjetra me patjetër se e dinë kush është ajo. E dinë kontributin e saj në periudhat më të errëta të vendit tonë.
Duhet përmendur si fakt, përgjatë angazhimit të shquar, ajo humbi edhe një foshnje ende të pasjellur në jetë, saktësisht në muajin e shtatë të shtatëzënisë. Kjo si shkak i demonstrave, ku e njëjta kishte pësuar nga gazi lotsjellës.
"Në shoqërinë tonë, ka tendenca perverse për të rehabilituar lloj-loj figure të kompretuar, historike dhe politike. Dikush provon me rehabilitu gjyshin, dikush kushëririn, dikush një të afërm. Ka ide për shembull një lideri komunist t'i ngritet një bust, një lideri fashist t'i rehabilitohet kulla, e në anën tjetër mbesin të paprekura dhe të harruara figura që kanë dhënë jashtëzakonisht shumë që Kosovë të arrijë këtu ku është sot", tha fillimisht autori i emisionit.
Tutje, ai pohoi se kontributi i saj është i pamatshëm dhe se nuk mund të çmohet sa duhet.
"Njëra prej tyre është Luljeta Pula-Beqiri. Prej demonstratave të vitit 1968 ku ka qenë adoleshente, e deri kur ka krisë pushka e parë në Kosovë, në luftën e fundit, 1998-1999, Luljeta Pula-Beqiri është angazhu për popullin e vet. Kontributi i saj është i pamatshëm dhe nuk mund të çmohet sa duhet. Ajo mbahet mend nga një gjeneratë që është pak më e vjetër për debatet e saj të zjarrta në studiot e Beogradit, ku vetëm atmosfera e të qenurit shqiptar ishte asgjësuese", vazhdoi ai.
Veç kësaj, gazetari Buzhala shpalosi atë se për çka mbahet mend më së shumti Pula-Beqiri, duke përmendur këtu edhe një paraqitje fenomenale, rrëqethëse në Kongresin Amerikan.
"Luljeta Pula-Beqiri mbahet mend edhe për paraqitjen e saj në Kongresin Amerikan. Ajo mbahet mend për takime e takime me qindra e qindra diplomatë evropianë dhe botërorë duke lobuar për shtetin e Kosovës. Gjatë karrierës së saj, në periudhën më të errët të Kosovës, në periudhën më të errët të 100 viteve të fundit, ajo në demonstrata, si pasojë e gazit lotsjellës, e kishte humbur edhe një foshnje, duke qenë në muajin e shtatë të shtatëzënisë".
Në pjesën e fundit të hyrjes, Berat Buzhala kujtoi faktin se përkundër gjithë këtij kontributi, nuk ka qenë arsye e mjaftueshme që e njëjta të ftohet e të ulet në njërën prej karrigeve të rezervuara për mysafirë të nderit në ditën e shpalljes së Pavarësisë.
"Asnjëra prej këtyre arsyeve nuk u janë dukur të mjaftueshme institucioneve të vendit tonë, që ta ftojnë, ta dekorojnë, ta falënderojnë, për kontributin që e ka dhënë. Është mjaft ironike, edhe kur është shpall Pavarësia e Kosovës, me 17 shkurt 2008, Luljeta Pula-Beqiri nuk ka pasë vend në lozhë. Ka pasë vend për të afërmit e kryeministrit, ka pasë vend për të afërmit e presidentit, për këto që ka pasë interesim me marrë pjesë aty, po për Luljeta Pula-Beqirin nuk ka pasë një ftesë", përfundoi kreatori dhe ideatori i Intervistës.
Kujtojmë, për të gjithë shikuesit, emisioni "Intervista e Buzhalës" tashmë do të shfaqet çdo të hënë nga ora 21:30 në RTV21.

