Lushi: Në një të ardhme të afërt, Qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë do ta kenë mbledhjen e përbashkët
Rreth një orë më parë u publikua edhe episodi i radhës i Ditarit të Buzhalës, prodhim i Gazetës Nacionale.
I dyti për nga koncepti me mysafir dhe i 25 në përgjithësi, emisioni po shënon rritje galopante dhe kjo vërehet qartë nga qindra-mijërat shikimet e deritanishme në plaformat sociale.
Ashtu siç edhe e keni parë, këtë javë mysafir është Uk Lushi, aktivisti i lobit shqiptaro-amerikan, ish-luftëtar i UÇK-së dhe ekonomist.
Mes shumë çështjeve që u diskutuan është edhe ajo për raportet Kosovë – Shqipëri.
Këtu foli edhe autori Buzhala, duke thënë se këto raporte asnjëherë nuk kanë qenë më të këqija.
“Politikisht, kurrë raporte më të këqija nuk i kemi pasur me Shqipërinë, pra janë dy kryeministra, që komunikimin më shumë e kanë kortuaz sesa praktik. Dmth, ai sentimenti vëllazëror është zhduk prej Kurtit edhe Ramës. Nuk dua të fajësojë as njërin as tjetrin”, vazhdoi ai, teksa kërkoi mendimin edhe të mysafirit.

Ky i fundit i krahasoi këto raporte me faktin se në jetën shoqërore duhet të punosh edhe me njerëz që nuk të pëlqejnë, duke aluduar kështu se Kurti e Rama, me patjetër duhet të bashkëpunojnë, pavarësisht asaj nëse pëlqejnë njëri-tjetrin apo jo.
“ Zhgënjyese ndoshta është fjalë e butë, por e gabuar, për arsye se në jetë ne nuk i zgjedhim partnerët. Në jetën shoqërore ti duhet të punosh edhe me njerëz që nuk të pëlqejnë, me njerëz që edhe të luftojnë e ajo nuk mund të ndodhë. Mes shqiptarëve nuk mund të ndodhë”, shtoi Lushi.
Veç kësaj ai komentoi edhe vizitën e kryeparlamentarit Konjufca në Hagë, duke thënë se ishte një gjest i mirë. Pati kritika edhe edhe për Gjykatën Speciale, ku tha se nuk e posedon arsyetimin e kohës, për shkak se po i mban njerëzit të arrestuar pa pasur prova të gatshme.
Në anën tjetër, komentoi pak edhe zhvillimet në Mal të Zi. Ai kritikoi edhe Abazoviqin, duke thënë se nuk mund të zgjidhen problemet në Ballkan me mentalitet të Amerikës, ose problemet e Lindjes së Mesme me mentalitet të Azisë ose diçka tjetër kështu.
“Ky imponimi i modeleve çon në konflikt. Secili vend i ka specifikat e veta”, shtoi ndër të tjerash ai.
Lushi bashkë me autorin Buzhala ka shtjelluar shumë çështje nga politika e lufta, teksa me ëndje ka shpalosur edhe periudhën kur ishte pjesë e Batalionit "Atlantiku".
Madje, sa për kuriozitet, një nga detajet që tregoi për shikuesit e Ditarit të Buzhalës ishte ai që vetëm në grupin ku bënte pjesë Lushi në batalionin respektiv, ishin tetë milionerë, që kishin lënë gjithçka anash, për të luftuar për vendin e tyre.
“Jo, nuk kam qenë unë i vetmi. Sa për info, në batalionin Atlantiku atëbotë kanë qenë diku tetë milionerë, dmth të tjerë, njerëz që kanë pasë pasuri multi-milionëshe. Tetë milionerë në grupin tonë kanë qenë", tha Lushi mes të tjerash.