Gjeni rrymë më lirë, negociojeni vetë, kontraktojeni vetë - NACIONALE

Gjeni rrymë më lirë, negociojeni vetë, kontraktojeni vetë

1 vit më parë

nga Dafina Demaku

A mundemi me ble rrymë n’market ose në pazar t’kerreve? Ymer Zejnullahu i ZrrE-së na tha që po.

Deri tash, janë ofruar dy ‘mundësi’ për këdo që ka ngritur zërin ta kundërshtojë rritjen e çmimit të rrymës. E para, ka qenë më e lehtë – kuptohet – ta pranojmë rritjen. Kurse e dyta, shumë më e zorshme: me nejtë n’terr.

Duke na i përmend veç këto dy opsione në vazhdimësi, të dyja ekstreme, ne (me aq sa kemi pasë mundësi) e kemi zgjedhë të keqen më të vogël, pra rritjen e çmimit të rrymës, duke e ditë që në atë minutë që nuk do të kishim mundësi ta paguanim rrymën, rrymë s’do të kishim. Ta këpusin ashtu-kështu.

Pra, qysh do që kundërshton rritjen e çmimit të rrymës, me dy mundësi përpara që njëra thotë: ose rritje ose rri në terr, ajo nënkupton vetëm njërën: rritje.

Por, përveç se me pagu shtrenjtë ose të qëndrojmë në terr, kryetari i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, Ymer Fejzullahu në një prej intervistave të tij të fundit televizive, na ofroi edhe një mundësi, tha: mundeni me ble rrymën vet, personalisht, n’treg.

I kam bë goxha do vite, kam përjetuar reduktime të lehta e të ashpra të rrymës, veç këtë opsion nuk e kisha dëgjuar kurrë më parë.

Pra, kryetari i një prej agjencive, zyreve ma të rëndësishme – që ta sqarojmë shkurt - licencon operatorë ose furnizues të rrymës por edhe e rregullon çmimin e rrymës në treg, ose më mirë të themi, sa për xhepat dhe praktikat e fundit në vazhdimësi, e derregullon çmimin e rrymës, na ofroi mundësinë e tretë: bleni rrymë vetë, negocijeni vetë, bëni kontrata me furnizues vetë.

Opsioni i Tretë për kundërshtuesit e rritjes së çmimit të rrymës, po sqarohej herë-herë duke iu referuar ligjit dhe kjo e bënte shumë të besueshme të pabesushmen e atij momenti që po zhvillohej në studiot e televizonit 7.

Duket se zoti Zejnullahu po ia testonte kufijë e durimit autorit të emisionit ku po intervistohej dhe po jepte Opsionin e Tretë, pasi në një moment, gazetari shpërthen dhe i thotë se “rryma nuk është produkt që blihet në market”.

Sepse, mënyra se qysh Zejnullahu na flet qysh mundemi me ble rrymë ku t’dojmë, ku t’gjejmë ma lirë, na bën me paramendu një treg të rrymës, taman një si pazari i kerreve, ku ti ia kushton ni te shtune a të diele, e merr çantën me veti edhe del e blen rrymë.

Nëse janë 18 operatorë ekonomikë të licensumë për furnizim me rrymë, na sipas Zejnuallahut, mundemi me shku me folë me secilin prej operatorëve edhe me bo marrëveshje që neve na konvenon. Kjo nuk është hajgare, zotëriu në fjalë citoi edhe ligje që mundemi me ia bo kështu.

E pse, zoti Zejanullahu ma mirë ti s’po folë në emrin tonë me qata 18 operatorë ekonomik, e mos po gjen ti ma lirë për neve, edhe të ka hije ma shumë me u marrë me këtë punë sepse – mundësinë e tretë që ju e përmendët në këtë intervistë, më mirë mos ta përmendnit fare.

Ndoshta nuk po e kuptoj procedurën, ndoshta nuk po e kuptoj mirë aspektin juridik;

Por e kuptuam procedurën dhe aspektin qysh saktësisht Zejnullahu e mendonte.

Dhe ai tha: Rrymën mundeni me ble ku t’doni si secilin produkt tjetër që e bleni.

Na mjafton kaq, për të mos e marrë në shprehje këtë opsion dhe për ta paramenduar kaosin që do të shkaktohej, nëse secila shtëpi në Kosovë, do ta negocionte veç e veç rrymën;

Ose, nëse është opsion kaq i mirë, e ftojmë zotin Zejnullahu në Nacionale, ta elaborojë më gjatë dhe ta praktikojmë krejt, në mënyrë që rrymën mos me pagu ma shtrenjtë, qysh kemi me pagu tash e tutje.

Lajme të ngjashme