Skandali "Ramiz Buzhala", reagon edhe Zyra e Kryeprokurorit të Kosovës
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Ramiz Buzhala, dyshohet se ka dërguar disa pyetje në adresë të gazetares së Kallxo.com, ku thotë “Këto janë pyetjet për testin me shkrim”. Gjithashtu, i njëjti i thotë Adelinës ta shfrytëzojë kohën deri në ora 13.
Buzhala më pas është kontaktuar nga gazetarja e mediumit, ama pastaj e ka vërejtur se pyetjet i ka dërguar gabimisht.
Për këtë çështje ka folur edhe Zyra e Kryeprokurorit të Kosovës, duke thënë se të gjitha veprimet e nevojshme do të ndërmerren për dyshimet për keqpërdorimet e mundshme nga ana e gjyqtarit Buzhala.
"Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, njofton opinionin publik se Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, pas pranimit të informacionit nga mediat lidhur me dyshimet e ngritura për shpërndarje të pyetjeve të testit për bashkëpunëtorë profesionalë nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ramiz Buzhala, në bazë të kompetencave që ka do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas legjislacionit në fuqi", thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeprokurorit.
Lidhur me rastin gjegjës ka reaguar edhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila ka thënë se ky gabim i kryeprokurorit është mjaftueshëm i nevojshëm për t'i filluar hetimet ndaj tyre.
"Janë të panumërta ankesat që adresohen në Ministri të Drejtësisë lidhur me procedurat e rekrutimit në sistemin e drejtësisë. Kandidatët në vazhdimësi ankohen për punësimin e familjarëve, miqve pra për procese të kurdisura.Lajmi i sotëm nga portali kallxo.com, që kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, i ka dërguar pyetjet një kandidati për bashkëpunëtor profesional (por që gabimisht ia ka dërguar gazetares), është arsye e mjaftueshme për nisjen e hetimeve ndaj kryeprokurorit dhe suspendim të tij.Tejkalimi i detyrave, favorizimi i kandidatëve dhe keqpërdorimi i pozitës nuk duhet të tolerohen!", shkroi ndër të tjera Haxhiu.

