Ish-kryediplomatja: Kurti të shtyejë afatin për targat edhe për dy muaj, në mirëbesim ndaj Amerikës
Ish-kryediplomatja e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka kërkuar nga kryeministri, Albin Kurti që ta shtyejë afatin për targat dhe kjo sipas saj, duhet të bëhet në mirëbesim ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA).
Haradinaj-Stublla ka thënë se kjo shtyrje të bëhet për 2 muaj e jo 10 muaj siç u kërkua.
Sipas saj, nëse qeveria Kurti shtyen afatin atëherë Kosova do të jetë palë konstruktive dhe do të shtohet persioni ndaj Serbisë si palë destruktive.
“Më pas, ky lëshim (lexo: koncesion) të përdoret si levë në dialog për të shtuar presionin ndaj Serbisë si palë destruktive dhe kërcënuese e vazhdueshme e sigurisë/paqes në Ballkan, si dhe për të avancuar shtrierjen e pakompromis të rendit e ligjit në veriun e vendit.”, ka shkruar ndër të tjera ajo.
Shkrimi i plotë i saj:
KM KURTI TË SHTYEJË AFATIN PËR TARGAT, NË MIRËBESIM NDAJ AMERIKËS!
Dy muaj më parë, Kurti kushtëzoi shtyerjen me heqjen e barrikadave nga bandat kriminale të Vuçiqit, duke i bërë praktikisht ata hisedarë të ‘paqes dhe rendit e ligjit’ në veri.
Nëse nuk ka shtyerje të re, është e pritshme që bandat do të aktivizohen përsëri javën e ardhshme me rivendosjen e barrikadave, duke shkaktuar tension artificial në veri.
Këtë herë, KM Kurti t’ia falë mirëbesimin aleatit tonë amerikan dhe të pranojë një shtyerje të fundit fare për konvertimin e targave, e mos të pritet derisa bandat kriminale riaktivizohen dhe rrjedhimisht bëhen sërish palë vendimtare në shtensionimin e situatës me kushtëzime ndaj Qeverisë së Kosovës.
Qeveria të bëjë shtyerjen vetëm edhe për 2 muaj (jo 10 sa kërkohet) dhe poashtu të paralajmërojë se pas datës 31 dhjetor 2022 secila veturë me targa ilegale do të konfiskohet deri në konvertim në targa RKS!
Më pas, ky lëshim (lexo: koncesion) të përdoret si levë në dialog për të shtuar presionin ndaj Serbisë si palë destruktive dhe kërcënuese e vazhdueshme e sigurisë/paqes në Ballkan, si dhe për të avancuar shtrierjen e pakompromis të rendit e ligjit në veriun e vendit.
