Gjykata ua cakton nga një muaj paraburgim 6 personave që u arrestuan dje për trafikim të 11 vjeçares - NACIONALE

Gjykata ua cakton nga një muaj paraburgim 6 personave që u arrestuan dje për trafikim të 11 vjeçares

1 vit më parë

nga NACIONALE

Gjykata Themelore e Prishtinës ua ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji, gjashtë personave që u arrestuan të premten në lidhje me rastin e 11-vjeçares, nën dyshimet për veprën penale të trafikimit me njerëz, dhunim dhe shërbime seksuale të viktimës së trafikimit.

Gjykata përmes një komunikate për media, ka bërë të ditur se ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë dhe secilit veç e veç u është caktuar paraburgimi prej një muaji.

"Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh peshën e rëndë të veprës penale, mënyra dhe rrethanat në të cilat janë kryer veprat penale ku dyshohet se janë kryer ndaj viktimës e cila është e mitur dhe me lënien në liri të të pandehurve ekziston rreziku i ikjes së tyre, me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, ekziston rreziku që i njëjtit do të asgjësojnë, fshehin, ndryshojnë apo edhe të falsifikojnë provat e veprës penale, ndikimit në të dëmtuaren dhe në dëshmitarë andaj masa e paraburgimit tani për tani është e vetmja masë preventive që do të parandaloj të njëjtit në përsëritjen e veprës penale të njëjtë apo të ngjashme”, thuhet në komunikatën e Gjykatës.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

Vlen të theksohet se të enjten u mbajt një prej protestave më të mëdha në vend, pas publikimit të lajmit për dhunimin e 11-vjeçares.

Detaje rreth rastit

Qershor 2022
Vajza e mitur lajmërohet e zhdukur nga familja në javën e fundit të qershorit. Rastin e merr në dorë “Departamenti për të Mitur” i Prokurorisë. Policia pasi interviston të miturën, e vendosë në strehimore, Qendrën Sociale në Prishtinë. Vajza është lejuar të kthehet tek prindërit edhe pse ajo ishte viktimë e dhunimit dhe trafikimit. Askush në Kosovë nuk e merr vesh këtë rast, përpos institucioneve që duhet ta dinin. Institucionet si Policia, Prokuroria e Qendra Sociale kanë pasur të gjitha mundësitë që pa presionin publik ti arrestonin të dyshuarit. Të ofronin mbrojtje të viktimës. Jo vetëm duke i siguruar vend, por duke i siguruar mbështetje që i duhet një viktime të mitur që sapo ka kaluar dhunimin nga 6 të rritur.

Korrik 2022
Policia, Prokuroria e Qendra Sociale nuk bëjnë asgjë për rastin. E fusin nën hetime. Askush nuk e di për rastin. Dhunuesit janë të lirë, askush nuk arrestohet. As nuk tregohet për të.

Gusht 2022
Policia, Prokuroria e Qendra Sociale ende nuk bëjnë asgjë. Dhunuesit janë ende të lirë. Vajza është e pambrojtur. Me 22 gusht, ajo dhunohet prap. Nga 6 persona të tjerë. Rasti bëhet publik. Zbulohet autori kryesor, një 26 vjeçar me të tjera vepra penale, i lënë i lirë nga shteti. Kallet interneti. Frustrim e mosdurim qytetar. Protesta masive.

Shtator 2022
Policia arrin t’i gjej krejt të dyshuarit brenda një jave. Edhe ata që ishte duke i kërkuar prej qershorit 2022. Shikojeni pak itinerarin e arrestimeve:

28 gusht arrestohen Ekrem Rexhepi 26 vjeçar dhe vëllai i tij i mitur G.R

29 gusht arrestohen edhe dy të tjerët e dyshuar për dhunim Xh. S. dhe G. J.

30 gusht arrestohet personi i pestë i dyshuar për dhunimin e të miturës me 22 gusht

3 shtator arrestohen edhe 6 personat që dyshohet se trafikuan e dhunuan 11 vjeçaren në qershor

Lajme të ngjashme