Trumpi thotë se “mund të dalë diçka” nga vizita e panjoftuar e drejtorit të CIA-s në Moskë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se “diçka mund të dalë” nga takimi i së martës mes drejtorit të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA), John Ratcliffe, dhe zyrtarëve të shërbimeve ruse të inteligjencës.
Ka pasur spekulime për arsyen e vizitës së Ratcliffe në Moskë të martën, i cili shkoi në kryeqytetin rus me një aeroplan ushtarak dhe u largua disa orë më vonë, raporton televizioni BBC.
Presidenti amerikan nuk zbuloi se çfarë është diskutuar gjatë këtyre bisedimeve, por e përshkroi takimin si “gjysmërutinë”, duke shtuar se Uashingtoni “do të donte ta shihte përfundimin e luftës në Ukrainë”.
Kremlini tha se Ratcliffe nuk është takuar me presidentin rus, Vladimir Putin. “Pati kontakte me shërbimet e inteligjencës” – tha para gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
“Nuk pati takime me presidentin e Rusisë. Kjo është e tëra që mund të them për këtë temë. Natyrisht, presidenti Putin njoftohet menjëherë për gjithçka” – shtoi Peskovi.
Redaktori i BBC-së për Rusinë, Steve Rosenberg, e pyeti Peskovin se cila ishte tema e bisedimeve me drejtorin e CIA-s.
“Nuk kam asgjë për t’i shtuar asaj që tashmë e thashë për temën” – u përgjigj zëdhënësi i Kremlinit.
Ndërkohë, presidenti amerikan tha se i duhet që “t’i zhgënjejë njerëzit”, por asnjëra nga thashethemet në lidhje me vizitën e drejtorit të CIA-s në Rusi nuk janë të sakta.
Sipas tij, është shumë herët që të thuhet se çfarë ndikimi do të ketë ky takim në përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe ShBA – Rusi.