6 dhunues të lirë dy muaj, viktima e pambrojtur nga shteti dhunohet sërish - Pse Sveçla e Haxhiu janë ende ministra? - NACIONALE

6 dhunues të lirë dy muaj, viktima e pambrojtur nga shteti dhunohet sërish - Pse Sveçla e Haxhiu janë ende ministra?

1 vit më parë

nga Vullnet Krasniqi

E di që keni lexuar shumë dhe gjithçka këto ditë për rastin e dhunimit të 11 vjeçares. Por mes kësaj shumësie lajmesh e raportimesh është nevoja të qartësojmë diçka sërish: Një skenar dhunimi kolektiv ndaj një 11 vjeçare që ka ndodhur para syve të Qeverisë, Policisë, Gjykatave, Prokurorisë dhe Qendrës Sociale. Por duhet ta rikujtojmë këtë itinerar për të kuptuar diçka të thjeshtë: shteti ka dështuar për dy muaj të arrestojë të dyshuarit për dhunimin e një 11 vjeçares, e cila më pas ra pre e një dhunimi tjetër pas dy muajsh.

ITINERARI I DËSHTIMIT TË NJË SHTETI

Qershor 2022
Vajza e mitur lajmërohet e zhdukur nga familja në javën e fundit të qershorit. Rastin e merr në dorë “Departamenti për të Mitur” i Prokurorisë. Policia pasi interviston të miturën, e vendosë në strehimore, Qendrën Sociale në Prishtinë. Vajza është lejuar të kthehet tek prindërit edhe pse ajo ishte viktimë e dhunimit dhe trafikimit. Askush në Kosovë nuk e merr vesh këtë rast, përpos institucioneve që duhet ta dinin. Institucionet si Policia, Prokuroria e Qendra Sociale kanë pasur të gjitha mundësitë që pa presionin publik ti arrestonin të dyshuarit. Të ofronin mbrojtje të viktimës. Jo vetëm duke i siguruar vend, por duke i siguruar mbështetje që i duhet një viktime të mitur që sapo ka kaluar dhunimin nga 6 të rritur.

Korrik 2022
Policia, Prokuroria e Qendra Sociale nuk bëjnë asgjë për rastin. E fusin nën hetime. Askush nuk e di për rastin. Dhunuesit janë të lirë, askush nuk arrestohet. As nuk tregohet për të.

Gusht 2022
Policia, Prokuroria e Qendra Sociale ende nuk bëjnë asgjë. Dhunuesit janë ende të lirë. Vajza është e pambrojtur. Me 22 gusht, ajo dhunohet prap. Nga 6 persona të tjerë. Rasti bëhet publik. Zbulohet autori kryesor, një 26 vjeçar me të tjera vepra penale, i lënë i lirë nga shteti. Kallet interneti. Frustrim e mosdurim qytetar. Protesta masive.

Shtator 2022
Policia arrin t’i gjej krejt të dyshuarit brenda një jave. Edhe ata që ishte duke i kërkuar prej qershorit 2022. Shikojeni pak itinerarin e arrestimeve:

28 gusht arrestohen Ekrem Rexhepi 26 vjeçar dhe vëllai i tij i mitur G.R

29 gusht arrestohen edhe dy të tjerët e dyshuar për dhunim Xh. S. dhe G. J.

30 gusht arrestohet personi i pestë i dyshuar për dhunimin e të miturës me 22 gusht

3 shtator arrestohen edhe 6 personat që dyshohet se trafikuan e dhunuan 11 vjeçaren në qershor

2 MUAJ ASNJË ARRESTIM - 11 ARRESTIME PËR 1 JAVË

Brenda një jave Policia, Prokuroria arrijnë t’i arrestojnë të 11 personat që dhunuan 11 vjeçaren. Duhet të jesh fort naiv që të mos lindin disa pyetje. S’ke nevojë me prit asnjë përgjigje, që ta kuptosh një gjë të qartë: kur shteti do, mund t'i arrestojë dhunuesit brenda javës.

Vetëm duhet të caktohet si prioritet. Si diçka e rëndësishme.

Këtu faktet po na flasin hapur: Askush që qeverisë e drejton shtetin tonë, prej Ministrisë së Drejtësisë, Punëve të Brendshme, Policisë, Prokurorisë e deri tek Qendrat Sociale nëpër Komuna, nuk e ka prioritet arrestimin e dhunuesve e aq më pak mbrojtjen e viktimave nga dhunimi ose në këtë rast ri-dhunimin.

QYSH? QYSH? QYSH?

Qysh është e mundur që 6 personat e dyshuar për dhunim në qershor të mos arrestohen deri tash? Qysh është e mundur që 6 personat e dyshuar për dhunim në qershor arrestohen pas të dyshuarve për dhunim në gusht? Qysh mundet me u arsyetu “përgjegjësia” me dy dorëheqje?

Qysh mundet të jap dorëheqje drejtori i Policisë së Kosovës Samedin Mehmeti, atë dorëheqje t’ia miratoj kryeministri dhe kryeminsitri të mjaftohet më këtë miratim? Qysh është e pranueshme që ministri që e ka nën menaxhim Policisë, Xhelal Sveçla ta “falënderoj z. Mehmeti për angazhimin e deritanishëm dhe bashkëpunimin e mirë…” e më pas t’i “urojë suksese në detyrat e mëtejme në Policinë e Kosovës”?

Qysh mund të pajtohemi që ta falim një kryeministër që miraton dorëhejqen e drejtorit të Policisë por nuk e shkarkon minsitrin që është përgjegjës për Policisë? Qysh po e lejojmë një ministër sikur Sveçla që me qenë ende ministër, kur institucioni që ai e drejton, ka dështuar që ta mbrojë një të mitur nga dhunimi i dytë?

Qysh lejohet që të jap dorëheqje drejtori i Drejtoratit për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Miturve në Shërbimin Korrektues i Kosovës pasi “ndjehet përgjegjës moral që Ekrem Rexhepi një nga të dyshuarit për dhunim ka qenë në mbajtje të dënimit në institucione korrektuese për disa vepra penale”, pa u kërkuar llogari nga ministria nën ombrellën e së cilës funksionon Shërbimi.

Pra, si mundet të pranohet akti i drejtorit të Shërbimit Korrektues e të mos kërkohet akt i njejtë nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu? Mbi cilën logjikë kryeministri mjaftohet me dorëheqjen e një vartësi të ministrisë e jo ta shkarkojë drejtuesen e minsitrisë?

ÇKA DUHET ME NDODHË MA RËNDË?

Kam aq shumë “qysh” të tjera për këtë rast. Por asnjëra prej tyre nuk të qon dikah tjetër pos te fakti që ky skandal i sigurisë dhe drejtësisë në Kosovë nuk do të duhej të kalonte pa një dorëheqje politike. Jo për të fajësuar dikënd politikisht, por për të pranuar se “iu kanë dështuar politikat”.

Zërat se ministrat s’kanë pse të japin dorëheqje, nuk pijnë ujë. Të përdorësh arsyetime se “se ministria nuk përzihet në punët e drejtësisë” andaj s’kanë mundur të bëjnë asgjë që të parandojnë dhunimin e dytë të 11 vjecares, nuk pijnë ujë. Sepse ministrat si të emëruar politik kanë forma të ndryshme sesi kishin mundur ta ushtrojnë ndikimin e tyre.

Edhe nëse Albulena Haxhiu si minsitre e Drejtësisë e Xhelal Sveçla si ministër i Punëve të Brendshme nuk e kanë ditur se vartësit e tyre kanë liruar një person me vepra penale, se nuk po munden të arrestohen 6 të dyshuar për dhunim të një të miture se nuk është marrë nën kujdesje të shtetit një e mitur e dhunuar por është liruar tek familja që nuk ka arritur ta mbrojë atë nga trafikimi, ata janë përgjegjës.

Njejtë sa drejtori në Shërbimin Korrektues dhe Drejtori i Policisë. Ky rast qet në pah problemin e politikave të këtyre dy Ministrive. Një politikë që e kupton “epideminë e dhunimeve” që ka kapluar Kosovën, do të duhej të vendoste disa rregulla urgjente.

A ka mundur Albulena Haxhiu që të krijojë këto 2 vite sa është minsitre së paku një mbrojtje të specializuar për viktimat e dhunimit, sidomos për fëmijët? PO.

A ka mundur Xhelal Sveçla të krijoj një politikë që do të ngrihte në prioritet numër 1, arrestimin e të dyshuarve për dhunime? PO.

Ama znj. Haxhiu po merret me veting një proces që do të zgjasë me vite e z.Sveçla bënë filma nëpër pika kufitare me Serbinë për letërnjoftima. Këta prioritetet i kanë të qarta, ama aty nuk hynë parandalimi i dhunimeve. Në ndërkohë që dhunimet në Kosovë janë bërë "epidemi".

Pse janë atëherë këta dy minsitra kur një "epidemi" që ata nuk e kanë prioritet po shkatërron jetë fëmijësh? Këtë e din kryeministri. Por nuk do që kabineti i tij të përlyhet në këso ngjarje morbide. Por këtë përlyerje s’ka kush e pastron më. Pos shkarkimi i tyre ose dorëheqjet e tyre.

Lajme të ngjashme