Drejtori i OEAK-ut: Duhet zvogëlim i TVSh-së ose heqje totale të saj për disa produkte
Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, ka reaguar ndaj arsyetimit të deputetes së Listës GUXO, Jeta Statovci, lidhur me moszvogëlimin e TVSh-së, ose heqjes totale të saj.
Statovci tha nuk mund të bëhet zvogëlimi i TVSh-së, sepse aty përfitojnë vetëm tregtarët.
Megjithatë, me këtë nuk u pajtua Zeka, që shtoi se qytetarët kosovarë nuk kanë faj që shteti ka numër të vogël të inspektorëve.
Ai tha se për këtë nuk duhet të mendojnë qytetarët, por shteti. Inspektorët duhet të angazhohen për këtë e për të vërejtur nëse ndonjëri prej tregtarëve shpërfill masat e autoriteteve.
"Nuk është faji i shoqërisë sonë që kemi numër të kufizuar të inspektorëve të tregut që do duhej të ishin nëpër terren dhe të shihnin nëse ka tregtarë që do të abuzonin me situatën e re të krijuar pas zvogëlimit ose heqjes totale të TVSH-së për disa produkte, andaj ky arsyetim nuk vlen", tha ndër të tjerash Zeka në Rubikon.
