Çfarë sjell marrëveshja me MCC-në për të cilën Kurti e Osmani shkuan në SHBA, flet eksperti i energjisë
Kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani kanë udhëtuar sot drejt ShBA-ve për nënshkrimin e marrëveshjes me MCC-në, e cila konsiderohet si investimi më i madh ndonjëherë në fushën e energjisë.
Lidhur me këtë marrëveshje në vlerë prej 236,7 milionë dollarësh, eksperti i energjisë, Lulzim Syla ka folur në T7, duke njoftuar se çfarë do të thotë nënshkrimi i saj për Kosovën.
“Është një projekt shumë i mirë dhe vjen në një moment shumë të mirë për vendin, sepse ka të bëjë drejtpërdrejt me fuqizimin e sektorit të energjisë, duke pasur parasysh që bazohet në tri komponentë, dy prej të cilave janë shumë me rëndësi vitale për vendin. Kemi parasysh se njëra ka të bëjë me instalimin e një baterie prej 300 megavat orë, që parashihet të jetë përveçse potencial për ruajtjen e energjisë elektrike në rastet e krizave të caktuara, gjithashtu edhe një mekanizëm që do ta rregullojë edhe frekuencën e energjisë”, u shpreh Syla.
Ai po ashtu shtoi se nga kjo marrëveshje Kosova, pritet të përfitojë edhe një “sistem i cili i balancon kërkesat për energji”.
Më tej Syla tha se tani për tani është e vështirë të parashikohet kohëzgjatja e këtij projekti.
“Po të flisnim para 3 viteve, do të ishte shumë më i lehtë parashikimi deri në përfundimin e këtij projekti”, tha ai.
Ndërkohë, sipas qeverisë, objektivi kryesor i këtij projekti është sigurimi i stabilitetit të furnizimit me energji elektrike në Kosovë dhe tranzicioni në energji më të pastër në të ardhmen. Ndërsa si, objektiv tjetër është edhe zhvillimi i shkathtësive në fushën e energjisë dhe rritja e punësimit të grave në këtë fushë.

