Unë e Vullneti si Lajçaku e Kurti për darkë në 'Garden': Qe qysh ju presin kur jeni figura të pushtetshme - NACIONALE

Unë e Vullneti si Lajçaku e Kurti për darkë në 'Garden': Qe qysh ju presin kur jeni figura të pushtetshme

1 vit më parë

nga Burim Pacolli

Si Lajçaku me Kurtin që po prisnin drekën në "Garden" në atë foton e famshme, ashtu edhe unë me Vullnet Krasniqin vepruam, derisa vizituam hotelin/restorantin “Garden”, me pesë yje, në dalje të Prishtinës.

Qëllimi ishte të rikrijonim tavolinën negociuese me atë të emisarit special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak dhe kryeministrit Albin Kurti, që kishte zënë vend në Hotel "Garden" më herët këtë vit.

Me të ardhur në zyrë, të enjten në mëngjes, telefonova për një rezervim për dy persona në orën 16:00, me të dy që vendosëm të vinim kostumin më të mirë që kishim, që të portretizonim sa më denjësisht figurat kryesore të dialogut.

Me të hyrë, na drejtuan te tavolina, me kamarierin që nuk vonoi për të ardhur me përshëndetje e kërkesë për të bërë porosi.

Gjithçka ndryshoi për mënyrën si do të shkonin gjërat dhe si do t’i përceptoja zhvillimet në ambientin fantastik të restorant “Garden” në të cilin gjendeshim, pasi shërbyesi më pyeti: “Ti gazetar je a?” Qartazi, kishte dëgjuar e, me gjasë, kishte lexuar recensionet që kisha bërë për lokacione të ndryshme gastronomike.

Pas kësaj, po merrnim trajtim të njëmendtë me pesë yje nga shërbyesit. Tre apo katër persona po merreshin vetëm me tavolinën tonë, duke ndërruar pirunë dhe duke pyetur nëse është gjithçka në rregull më shpesh se që ndodh e duhet të ndodh zakonisht.

Në praktikë po e përjetonim atë që potencialisht kanë mundur të përjetonin Lajçak e Kurti në të njëjtin ambient, si figura të pushtetshme në popull. Pavarësisht pushtetit dukshëm më inferiorë të Vullnetit dhe timin, disi për restorantin ishte ndoshta gati-gati e peshës së njëjtë, pasi tashmë ata e kishin marrë konfirmimin – në formën e përgjigjes “po, jam gazetar” - nga unë se isha ai që do të shkruaja një artikull 700-800 fjalësh për eksperiencën time në atë restorant.

Kujdesi ndaj tavolinës tonë dallonte dukshëm me kujdesin ndaj tavolinës tjetër aty afër, e cila po humbte shumë nga trajtimi me pesë yje që po na bëhej neve.

Pasi i bëra pyetjen që i bëj secilit shërbyes gjatë procesit të recensionit, “çka po më rekomandon?” shkova për salmon, i cili m’u tha se “sapo ka ardhur dhe është i freskët”.

Paraprakisht na u soll një enë me atë që shërbyesi e quajti “ajvar i shtëpisë i veçantë, i bërë me arra”, por koncensusi i përbashkët mes meje dhe Lajçakut (Vullnetit) ishte se ishte ajvar i zakonshëm, pasi të dy e provuam dhe po mundoheshim të krijonim lidhje të shijës së ajvarit të zakonshëm me një ajvar që përmban arra, por nuk arritëm ta bënim kurrësesi edhe pas dy-tre kafshatash.

Pas rreth 20 minutash, ja ku ishte salmoni që kushtonte 15 euro. Një copëz nën mesatare për nga madhësia, por që kishte shije freskie e pjekje dinjitoze, pak të ëmbël, ndërsa po më servohej me një teksturë delikate, që karakterizohej me një krem lulelakre e bërë me qumësht.

Krejt servimi po vinte me një mori sjelljesh brilante të shërbyesve. Padyshim, duhet të jetë një prej salmonëve më të shijshëm që kisha ngrënë kohëve të fundit.

Nga ky moment, ia kaloj fjalën Lajçakut (Vullnetit) për të dhënë qëndrimet e tij:

Politikisht, pozita e negocuesit është një nga punët më të zorshme, sidomos kur ke të bësh me dy palë që janë krejtësisht të kundërta dhe refuzojnë të pajtohen. Por kur vjen puna te ushqimi, pozita e negociuesit i takon kamarierit. Megjithatë unë pranoj menjëherë propozimin.

“E kemi mishin shumë të freskët sa e morëm, ta rekomandoj një biftek”, më thotë kamarieri.

I bindem. Pas nja 1 minuti, “negocuesi i Gardenit” kthehet me një pyetje.

“A e don të pjekur apo gjysmë të pjekur?”. Nëse do të vendosja me mendjen e “një shqiptari” do të shkoja me zgjedhjen “pjeke mirë mishin”. Por unë jam duke ngrënë si një evropian, për aq sa mund ta quajmë evropian një sllovak.

“Gjysmë të pjekur” i përgjigjem. Ashtu më vjen porosia. Bifteku është në formë kubi, i vendosur mbi disa perime si lulelakër, patate dhe karrotë të zier. Lëngu i mishit dhe i perimeve nisë të përzihet teksa po e preja mishin dhe perimet.

Shija ishte ashtu sikurse pjekja, gjysmë e mirë. Por, kur kuptoj faturën e atij mishi të gjysmë pjekur që quhet biftek, disi sikur më iku edhe ajo pak shije e mirë që e kisha.

“20 euro një biftek”, i them Albinit (Burimit) i cili çuditet pak me çmimin. Edhe Albini i vërtetë do të çuditej. Nëse do të dilte ndonjë faturë që kryeministri ka ngrënë biftek 20 euro, do të ishte lajm.

Lajmi im për ju nga kjo eksperiencë është se nuk ia vlen t’i shpenzoni 20 euro për atë copë mishi. Përpos nëse jeni adhurues shumë i madh i mishit, ose keni shumë para.

Dy ditë pas kësaj dreke, pash një dokumentar për “industrinë e mishit” dhe ishte aq i tmerrshëm me fakte sa u ndjeva fajtor që kisha paguar 20 euro (nejse ka paguar redaksia) për një copë mishi lope, apo më mirë me thënë një kafshe që është therrur kushedi në çfarë forme. Mu kujtuan edhe vuajtjet e kafshëve në atë dokumentar. Nota ime për biftekun e Gardenit është 2.5. Nëse do të isha i pasur dhe person që nuk ndjej asgjë për kafshët tjera, sigurisht do të ishte 4.5.

Vlerësimi: 3.5 – Salmon me shije fantastike, bifteku ashtu-ashtu, pritje e jashtëzakonshme, edhe pse ishte e qartë se kjo po vinte për shkak të pozitës dhe profesionit tonë, e cila na u konfirmua me pyetjen e kamarierit “a je gazetar ti?” Në rast se nuk do ta bënte këtë pyetje dhe do të vazhdonte me pjesën tjetër ashtu siç rrodhi, padyshim se “Garden”-it do t’i jepja vlerësimin e parë perfekt 5/5.

Lajme të ngjashme