Restorantet| Farë, i pari vend në Kosovë krejtësisht vegan - ushqim dhe ngirje e pazakontë
Mishngrënësit "e varur" bëjnë mirë të shikojnë në anën tjetër - sot vendosa për një tjetër lloj ushqimi, derisa vizitova barin e parë 100% vegan në Kosovë, i cili refuzon të përfshijë kafshët në çfarëdolloj forme në shërbimet e tyre.
Atëherë, veganët në Kosovë - për befasinë e disave nga ju - kanë një përfaqësim dinjitoz me plot 386 persona (sipas grupit 'Vegans in Kosova' sigurisht ka më shumë) që nuk konsumojnë asgjë me përmbajtje shtazore. Mund të jetë ushqim, mund të jenë produkte higjenike, veshmbathje, grim etj – ndalohet konsumi nëse krijimi i këtij produkti ka nënkuptuar sakrificën e ndonjë shtaze.
"Farë, The Vegan Bar", me lokacion në Rrugën "Universiteti 2" në Prishtinë, afër atyre që njihen si "Kafet e Rakisë", konsiderohet të jetë kafeneja e parë që shërben produkte 100% vegan në Kosovë, dhe unë isha i hapur t'i jepja një mundësi sot në kohë pauze.

"Farë" më herët kishte funksionuar si kafiq që shërbente vetëm pije por, pas renovimit, është rihapur me risinë e ushqimeve vegane, dhe mezi po prisja të provoja pak nga ato që kishin për të ofruar.
Me t'u futur e kupton se është vetëshërbim, pasi në secilën tavolinë ishte vendosur një letër ngjitëse me shkrimin "Self Service" (vetëshërbim). Edhe më mire po të ishte shkruar në shqip. Sidoqoftë, vendosja e kësaj letër ngjitëse ishte e mirëseardhur për të shmangur sikletin e pritjes së gjatë në tavolinë, pa e ditur se kemi të bëjmë me vetëshërbim, siç ndodh zakonisht në vende të tilla. Faculeta për pastrim goje vinte në forma perimesh të ndryshme, si më poshtë.

Fantastike, apo jo?
Ambient modest, por i bërë me kujdes e shije, "Farë" të jep një ndjesi të jashtëzakonshme komoditeti, falë edhe pritjes së ngrohtë.
Oh, dhe më duket se nuk e ceka se është biznes krejtësisht familjar? Motra vegane në kuzhinë përgatiste, vëllai dhe nëna në shank - po, isha i ngazëllyer me pamjet. Ishte e portretizuar në praktikë storia e një aktiviteti familjar, larg investimeve marramendëse, larg lidhjeve me burime të forta oligarke, thjesht një biznes që e bën gjënë e vetë dhe mbijeton me të ardhurat që vijnë krejtësisht nga shërbimet që ofrojnë. Çmimet po ashtu ishin me këmbë në tokë, ndryshe nga vendet e tjera ku mund të shërbejnë ushqim vegan, i cili jo rrallëherë vjen me fatura për ngritje vetullash.
Në "Farë", ushqimi më i shtrenjtë që mund ta gjeja në meny kushtonte 4 euro.
Porosia ime ishte ajo që në meny quhej "Nagi Salad", një "pesto sandwich" dhe për pije emri "Mimosa" në listën e koktejëve më tërhoqi vëmendjen.
Pra, një sallatë, një sanduiç pesto dhe një “Mimosë” për një vakt pauze në "Farë", barin e parë 100% vegan në Kosovë. Edhe “makiatoja” shërbehet vegane. Në vend të qumështit përdoret soja.
Pija e quajtur "Mimosa", e cila m'u shërbye e para - pasi përgjegjësja nga kuzhina mori mundin të dilte dhe të më njoftonte se porosia mund të vonohej ca minuta për shkak të kërkesave të shumëta - kishte një shije tejet interesante. Me një përbërje prej lëngu portokalli dhe "prosseco" (verë e bardhë), "Mimosa" ishte në rregull për një ditë me diell gati verbërues siç ishte sot në Prishtinë.

Pas një pritjeje 23-minutëshe, ja ku ishte sallata “Nagi” dhe sanduiçi pesto.
Çka nuk kishte në sallatë… gati gjithçka që unë do doja të kishte, dhe isha absolutisht i ngazëllyer të kuptoja se produktet bazike si sallata e gjelbër dhe trangulli, nuk ishin përfshirë fare. Në vend të tyre, po shërbehesha me një pjatë që kishte rukollë, domate, qershi, faro, rrepkë, arra, kivi, mandarinë, boronicë e thatë, fara kungulli, fara lule dielli, shegë dhe salcë shtëpie. Huh. Tërë këta përbërës, të cilët ishin vendosur në një pjatë të thellë e të mbushur mirë, për 3.70 euro, të jepte përshtypjen se po punonin në humbje. Mos të flasim për shijën, thjesht po e dashuroja gjithçka që kishte të bënte me të. Plus ndërdija që po më thoshte se po haja 100% vegan, domethënë shëndetshëm kokë e këmbë, po e përmirësonte dukshëm eksperiencën.

Nuk jam shumë i sigurt për sanduiçin pesto, megjithatë. Dy copë buke të zezë të prera, të vendosura mbi një mori përbërësish si pesto, spinaq, domate, tranguj, speca, fara luledielli, fara kungulli, rukollë, avokado dhe ajo që quhej “sriracha” e që ishte sos i djegëst, të vinin me një shije – natyrisht – të freskët, të gjelbër dhe të tokës. Nëse kjo ka ndonjë kuptim për ju, siç ka në kokën time. Por, po më vinte i thatë dhe e kisha të vështirë ta kapërdija e të përpija.

Zarzavatet tjera i jepnin një shije pak të hidhur dhe pak të ëmbël, ndërsa avokado ishte përbërësi që po vepronte në krye të detyrës, për shijën time. Fatmirësisht, ishte i lëngshëm dhe i prerë në copëza të buta (nuk ka gjë më të tmerrshme se avokadoja e fortë), e po kontribonte denjësisht në shijën krokante dhe barishtore.
E pamundur t’I përfundoja të dyja, edhe sallatën edhe sanduiçin, andaj rekomandimi im është të porositni vetëm njërën. Sallatën, nëse më pyesni mua.
Pagesa me kartelë në “Farë” nuk është e mundur, andaj bëni mirë të keni para të gatshme me vete.
Në fund, m’u servua një “teke imuniteti”, me përbërës si gjingjer, portokall, limon, piper i zi dhe shfaran indie, i cili po ashtu kishte një shije të pazakontë në kuptimin pozitiv të fjalës.

Ajo që po më bënte përshtypje pas ngrënies, qe lehtësia me të cilën po mund të ndërveproja pas tërë atij ushqimi të konsumuar. Oh, meqë ra fjala, sanduiçin nuk munda ta përfundoja të tërin. Zakonisht, stërngopja vjen me një çmim rëndese që duhet ta paguash pas kënaqësisë gjatë konsumit, por jo nëse vendosni të ushqeheni në “Farë”.
Totali i faturës: 11.20 (sallatë “Nagi”, sanduiç pesto, pije “Mimosë”).
Vlerësimi: 3.5 - Në përgjithësi, një ushqim vegan që ka të gjithë përbërësit e gjelbër mund të jetë një opsion freskues dhe aromatik për ata që kërkojnë të përfshijnë më shumë ushqime me bazë bimore në dietën e tyre. Unë, si mishngrënës, nuk do të ha çdo ditë në “Farë”, por do të kthehem herë pas here për sallatën “Nagi”. E rekomandoj fuqishëm ta vizitoni për një vakt krejtësisht të gjelbër.
