Restorantet| 'Mexican', stërngopje dhe shije ok deri diku - çamçakëzi i nevojshëm më vonë - NACIONALE

Restorantet| 'Mexican', stërngopje dhe shije ok deri diku - çamçakëzi i nevojshëm më vonë

3 vjet më parë

nga Burim Pacolli

Llogarite që po folë me një person që nuk ka hongër kurrë ushqim meksikan, çka po m'propozon - i thashë shërbyesit, para se të më rekomandohej burrito. Qe qysh shkoi pauza në "Meksikan".

Kuzhina meksikane është stil gatimi vibrant me shije potente e sosë kryesisht të djegëst, që është influencuar historikisht nga kultura spanjolle, afrikane por edhe të tjera. Karakterizohet kryesisht me përdorimin e përbërsve të freskët e djegës, barishte dhe erëza, të cilat krijojnë shije që të duhet pak guxim për ta provuar për shkak të eksperiencave picante që pasojnë.

Me lokacion në rrugën "Edit Durham" në qendër, "Mexican" gëzon reputacionin si një prej restoranteve të para që shërben pjata që pretendohen të jenë nga kuzhina e shtetit latino amerikan.

Me të shkuar, ishte zhgënjyese të kuptoja se nuk mund të ulesha jashtë, në një mesditë të enjteje shkurti me diell, pasi mungonin karriget dhe tavolinat, megjithatë, zhgënjimi u zbut dukshëm me t'u futur. Një korridor i ngushtë me ca shkallë të renditura për t'u ngjitur lart u përcoll para një reklame druri të vendosur poshtë e ku shkruante "Mexican".

Me t'u ulur na u soll edhe një shpuzore, që të jepte më shumë disponim xhamajkani se sa meksikani. Sidoqoftë, për mu si jo duhanpirës ishte paksa shqetësuese të kuptoja se do haja në një vend ku do tymosej duhan sipas dëshirës, por bashkëpjesmarrësi (si duhanpirës) ishte mëse i lumtur ta shihte enën për shkundjen e cigares të servuar mbi tavolinë.

Për më tepër, shpuzorja ishte e printuar me fletë marihuane për ta bërë edhe më komode eksperiencën për të rinjtë, të cilët gjenin përfaqësim masiv brenda lokalit ku unë sapo kisha porositur burrito, ndërsa bashkëpjesmarrësi shkoi për quesadillas (po ashtu me rekomandim të shërbyesit).

Përshkrimi në meny sa i përket burritos, potenconte: "Tortillë e madhe e lyer me nachos djathë dhe kremë, e mbushur me oriz, kashkavall, salcë dhe mish sipas zgjedhjes suaj (pulë ose viç)."

Saktësisht 10 minuta e 10 sekonda pasi kishim bërë porosinë, ja ku ishte burrito e ndarë në dy pjesë të shkurtëra por të mbushura.

Pjata u servua edhe me dy sosë, njëri pikant e tjetri jo, ndërsa burrito si ushqim mund të ketë dallime nga lokacioni në lokacion për nga përbërsit, por në përgjithësi pritet të jetë një kombinim i shijeve dhe teksturave, kryesisht me oriz, fasule, djathë, salsa dhe perime.

Ky i restorant “Mexican”-it ishte i mbushur me oriz dhe copëza pule të marinuara në kashkavall, por i mungonin perimet (jo se po qahesha për mungesën e tyre).

Kafshimet përcilleshin me një shije të guximshme dhe të fortë, por lanë një amëz të rëndë në gojë dhe organizëm që kërkonte çamçakëz për ta freskuar qiellzën.

Pas çdo kafshimi bëhej më e vështirë të mendoja për kafshimin tjetër, pasi ngopja po vinte gjithnjë më shpejt e më fuqishëm se herën e kaluar. Nga euforia e momentit e përfundova të gjithin, nganjëherë duke e fundosur kafshatën në sosin pikant e nganjëherë në atë jo pikant, që po kontribonin dukshëm në përmirësimin e shijës.

Për një çmim prej 5,70 euro, kreva punë me burriton, e cila nuk jam i sigurt nëse i përmbush pritshmëritë e çmimit për një vakt ushqimi të një rëndomi të klasës punëtore me pagë mesatare.

Sidoqoftë, përshkrimi për ndjesitë rreth burritos si ushqim është subjektiv dhe varion bazuar në preferencat personale.

Duhet shtuar se amëza potente në gojë dhe organizëm pas ngrënies, kërkonte intervenim me çamçakëz apo çaj mint, ndërsa u ndalëm në një market për një pako “Orbit”.

Vlerësimi: 3/5 – Realisht është krejtësisht subjektive, por për mua personalisht ishte në rregull, jo një që do ta kem në mbamendje për vizita më të shpeshta, megjithatë, e rekomandoj si opsion për ta vizituar e pastaj për të vendosur nëse është për ju.

Lajme të ngjashme