Restorantet: ‘Liburnia’ - E kam gjetur restorantin tim të preferuar në Prishtinë, pak siklet në hyrje
Të gjithë kemi ato ditë kur dëshirojmë diçka tjetër përveç ushqimit të zakonshëm të shpejtë ose ushqimeve të njohura të gatuara në shtëpi. Ndonjëherë, duam të kënaqemi me një përvojë ngrënieje që është pak më e veçantë. Dhe pikërisht këtë e gjeta në vizitën time në një restorant që më la përshtypje për mbamendje.
Me lokacion në Rrugën "Meto Bajraktari 21" në Prishtinë, restorant "Liburnia" ishte krejt çka unë realisht kërkoj nga një restorant.
Me t'u futur brenda derës antike, u transportova në një botë tjetër. Pamjet brenda ishin një përzierje e shkëlqyer e dekorimeve antike dhe elementeve moderne, me tavolina druri të mbuluara me mbulesa me dizajne interesante të fokusuara kryesisht nga e vjetra. Për më tepër, atmosfera të jepte njëfarë ngrohtësie karakteristike me atë të shtëpisë ku jetoj.

Megjithatë, ngazëllimi im fillestar u zëvendësua shpejt nga sikleti pasi kamarieri apo pritësi nuk dukej askund. U enda nëpër restorant, i cili nuk ishte i dizajnuar për të kërkuar vetë tavolinë, duke u ndjerë pak i humbur derisa më në fund gjeta vendin e përsosur për t'u ulur. Pas disa minutash u shfaq shërbyesi dhe sjellja e tij e mirë dhe miqësore më bëri të harroja shqetësimet e mëparshme.
Teksa shfletova menunë, e gjeta veten në luftën e ndarjes së mendjes çfarë të porosisja. Ia kërkova kamarierit rekomandimet. Përçudshmërisht, ai hezitoi të jepte një të tillë, gjë që është e zakonshme në shumë restorante në Prishtinë. Kamarierët e kanë të zhvilluar njëfarë tendence të hezitojnë në rekomandime, pavarësisht sa insistues jeni ju dhe sa përpiqeni t’ia elaboroni se nuk ekziston zgjedhja e gabuar nëse i kërkohet rekomandimi paraprakisht. Megjithatë, pas një bisede të shkurtër, vendosa për "biftekun Liburnia" (çmimi 15 euro), i cili përmbante një copë mesatare të mishit të viçit të shërbyer me një salcë të ëmbël, jufka, patate dhe kërpudha.

Kërpudhat dhe patatet ishin në gjendje të vaktët, ndërsa jufkat erdhën me anim nga e ftohta.
Shija e biftekut ishte absolutisht fantastike! Copa ishte gatuar gati në përsosmëri (gjithnjë për vlerësimin tim pa diplomë kulinarie); lëng dhe plot shije. Salca e ëmbël e plotësonte ndjesinë e eksitimit që të jepte mishi, derisa çdo kafshim po e shijoja më shumë se tjetrin.
Përvoja e përgjithshme u ngrit nga ambienti i shkëlqyer i restorantit, duke përfshirë pamjet e bimëve dhe luleve të mbajtura në tavan me dritë natyrale, e cila krijonte një atmosferë të qetë dhe relaksuese.
Për më tepër, dekore si enë të vjetra, anije te punuara nga druri e mbajtëse pemë perimesh, ishin diçka me të cilat shërbeheshe në hyrje e dalje, duke shndërruar gjithçka e çdo gjë në të dinjitetshme për ta quajtur “restorantin tim të preferuar në Prishtinë”.


Rekomandoj shumë këtë restorant për këdo që kërkon një përvojë të këndshme ngrënieje. Nga atmosfera e ngrohtë dhe tërheqëse te ushqimi i shijshëm, është destinacioni i përsosur për këdo që do të shijojë diçka njëmend të veçantë. Lutem, qw kjo tw mos duket nw sytw e shikuesit si njw artikull i sponsorisuar, pasi duket se paskam thurrur shumw lavde pwr standardet qw kam vendosur paraprakisht, por jo pa arsye e konsideroj “restorantin tim tw preferuar”.
Vlerësimi: 4.5 – Absolutisht do të rikthehem për ta shijuar biftekun (me vlerë 15 euro) dhe pjatat e tjera, ndërsa motivim ekstra, e që luajti rol monumental në shndërrimin e këtij lokacioni si në të ë tim për ngrënie, është atmosfera dhe enterieri absolutisht brilant (prapë po e them, për shijën time amatore) brenda.

