Restorantet| 'Basilico': Sa më shumë që e përtypje, aq më i mirë bëhej - bifteku ‘më i mirë’ në qytet
Një copë parajse në gojë po e ndieja derisa po e përtypja biftekun e lëngshëm, të pjekur mesatarisht, e që po shkonte duke u bërë më i mirë e më i mirë sa më shumë që po i rezistoje gëlltitjes. Një orë pauze në ‘Basilico’ u kthye në gjënë më të mirë që e bëra tërë ditën.
Me vendndodhje në Rrugën "Fehmi Agani" në Prishtinë, në lagjen që njihet gjerësisht si "Kafet e Vogla", "Basilico" ofron gatime nga kuzhina italiane dhe mesdhetare. Salmonin e këtij restoranti e kanë rekomanduar shumë klientë në bazë të vlerësimeve në "Google".
Sidoqoftë, kërkesa ime për ndonjë rekomandim nga kamerieri në "Basilico" u përcoll me një kërkesë të tij drejt meje, derisa kërkoi të dinte më shumë për shijen time dhe çfarë disponimi ushqimesh kisha, në mënyrë që ta jepte rekomandimin e tij.
Ishte një ndërveprim që më la përshtypje tejet pozitive, pasi, zakonisht, vullneti për bashkëbisedim në lidhje me menynë nga shërbyesit është minimal.
Oh, fillimisht u desh të bënim rezervim, pasi javë më parë kisha shkuar drejtpërdrejt në kohë pauze (12:00), por nuk kisha arritur të ulesha për shkak të fluksit dhe kërkesave paraprake për rezervim.
Sidoqoftë, saktësisht 1 minutë e 40 sekonda pas uljes, u shfaq kamerieri për ta marrë porosinë dhe, pas bashkëbisedimit të lartpërmendur, shkova për biftek të pjekur mesatarisht, me rukollë - minimalisht duke e parashikuar atë që do ta përjetoja më vonë.
Përveç biftekut, porosita një sallatë kërkuar specifikisht me më shumë avokado, por ishte zhgënjyese që të shihja vetëm tri copa, kur u shërbye. Megjithatë, kjo nuk e bënte më pak impresive shijen e saj, të pushtuar nga përfaqësuesit e zakonshëm të një sallate, por krejtësisht të freskëta, apo ashtu e kishe përshtypjen në ngrënie e sipër.

Eksperiencën po e përmirësonin pritja e ngrohtë dhe vullneti i shërbyesve për të ndihmuar për çfarëdo kërkese për informacione shtesë, siç ishte ajo për të ditur më shumë rreth asaj që solli në një enë të vogël me vaj ulliri dhe balsamikë, përkrah 6 rriskave buke të zezë, me t'u ulur në tavolinë.
Saktësisht 14 minuta e 40 sekonda pas porosisë, ja ku ishte bifteku i prerë në copa, por jo krejtësisht, përsëri ishte i nevojshëm përdorimi i thikës për ta ndarë nga copa e plotë, i mbuluar nga rukolla dhe copëzat e kaçkavallit.
Bifteku i mbuluar nga rukolla - ishte e pamundur të bëja foto pasi fillova të haja, për arsye të cilat do t'i shpjegoj më poshtë.

Çmimi prej 16 eurosh, sa kushtonte bifteku, automatikisht mbeti nën hijen e shijes absolutisht "wow". Mëkati i vetëm ishte që e gëlltita shpejt copëzën e parë, të cilën ndieja se e çova dëm për shkak të hutisë nga shija enorme e shijshme.
Njëri prej biftekëve më të mirë që kisha ngrënë në jetë, nëse jo më i miri, dhe e them me gojën plot. Në fakt, kur në fillim thashë se po shijoja "një copë parajse në gojë", është më së afërmi për ta përshkruar me fjalë ndjesinë që po e përjetoja pas çdo përtypjeje.
Më në fund, nuk mbeti vetëm fjalë goje kërkesa për pjekje "medium rare", pasi ishte saktësisht i pjekur në atë nivel, ndërsa lëngshmëria e rrallë po i bënte të sikletshme për bashkëpjesëmarrësin në drekë klithmat si “ëmmm”, të cilat po i lëshoja pavetëdijshëm nga kënaqësia e tepërt.
Patatet, brokoli dhe rukolla nuk është se po e bënin më të lehtë për mua obsesionin kolosal që po më ndërtohej për këtë biftek, për të cilin kisha ndjesinë se është dashur të përgatitesha fillimisht.
Definitivisht do të rikthehem për ta provuar ushqimin më të shijshëm që kam ngrënë në ndonjë restorant prej kur e kemi nisur rubrikën e vlerësimeve rreth gastronomisë në Nacionale – dhe do ta bëj me disponimin: “Të lutem, m’i merr këto 16 euro” për një biftek të tillë.
Plani ishte të provoja edhe pak nga dezerti në fund, por vonesa e tepërt për largim pjatash pasi e kishim përfunduar ushqimin, rezultoi me urgjencën për t’u larguar për shkak të përfundimit të pauzës.
Kërkesa që ta paguanim gjysmën e totalit të faturës me para në dorë dhe gjysmën tjetër me kartelë, po ashtu u prit me mirësjellje nga shërbyesi – po, këto detaje kanë tepër rëndësi – dhe unë u largova nga “Basilico” për 16 euro më i varfër, por jashtëzakonisht i disponuar pas asaj që e shijova.
Vlerësimi 4.5/5: Do të kthehem për më shumë biftek dhe do t’i bëj marketing gojë më gojë te të tjerët që të veprojnë njëjtë.

