Restorantet | “Pishat” - çorbë e ‘cheesecake’ për t’i lëpirë gishtat, të çuditur nga ajo që na sollën në fund - NACIONALE

Restorantet | “Pishat” - çorbë e ‘cheesecake’ për t’i lëpirë gishtat, të çuditur nga ajo që na sollën në fund

3 vjet më parë

nga Burim Pacolli

Çorbë tradicionale me atë që e kishe përshtypjen se janë dhjetëra copa mishi, 'cheesecake'-n më të mirë që kam ngrënë ndonjëherë por çudia dhe e papritura erdhi pasi kryejtëm punë me çorbë e kafe.

Ecuria e recensioneve për restorante nëpër Kosovë, më së shumti në Prishtinë deri tash, vjen si mjet luftimi i llojlloj dukurive, viktimë e të cilave shpeshherë bien pjestarë të popullatës së rëndomtë, të cilët krejt çka duan të bëjnë është të hanë një vakt të mirë dhe të kalojnë kohë kualitative në një mjedis ku trajtohen denjësisht nga nikoqirët. Llogaridhënia e përgjegjësia në nivel të gjërë e legjitim, është minimal për një komunitet që gjeneron të ardhura masive nga xhepi i qytetarëve.

Të hënën, në kohë pauze, restorant "Pishat", me lokacion në rrugën "Qamil Hoxha" në Prishtinë, ishte destinacioni im i radhës.

“Pishat” është një nga restorantet më të njohura në kryeqytet. Edhe për shkak të traditës që ka - është hapur para 19 vitesh - edhe për shkak të menysë së përzier: pjatat tradicionale me brumëra dhe tava tradicionale të miksuara me pjatat mediteriane. Është zakonisht një nga vendet e përzgjedhura të ndërkombëtarëve, dhe kjo vërehet edhe nga “reviews” që ata lënë nëpër platformat si “tripadviser”. Përndryshe njihet si vendi i darkave kolektive.

Është hapësirë e gjërë e përbërë nga dy pjesë, e brendshmja dhe pjesa e izoluar nga jashtë, ku lejohet pirja e duhanit.

Jo që do ta vëreje shumë si pjesë që duhet të jetë më e ndotur, derisa - çuditërisht - pas largimit nuk po ankohesha për ndonjë erë duhani të ngjitur pandashëm nëpër të veshura e të mbathura, siç di të ndodh me ambiente të tilla. Ventilim i kënaqshëm.

Veç dhjetë sekonda pasi zumë vend në tavolinë, u shfaq kamarieri për marrje të porosisë. Meqë çorba është ushqim për të cilin njihet "Pishat", shkova për të. Me të dëgjuar porosinë, kamarieri u largua rrufeshëm nga tavolina, duke mos e zgjatur shumë, madje duke mos pyetur fare edhe nëse duam diçka për të pirë, siç ndodh pothuajse çdo herë në restorante.

Ende pa pasur kohë t'i jepja një soditje ambientit me sy në katër qoshet, 25 sekonda pasi kishte marrë porosinë paraprakisht, u shfaq kamarieri me çorba. Falenderimi për sjelljen e ushqimit, nuk u përcoll me një "të bëftë mirë" siç më kishte ndodhur vazhdimisht në secilin restorant që kisha vizituar së fundmi. Jo që na pengoi shumë ky detaj, por thjesht vlen të ceket mëqenëse gjen përfaqësim masiv në kulturën gastronome. Por, te "Pishat" nuk ishte ashtu.

Çorba gjendej në një enë të thellë e përcjellur nga një pjatë nën një lugë, mbi të cilën ishte vendosur një pjesë limoni. Sasia brenda enës ku po qëndronte çorba ishte sa për ta mbushur një pjatë.

Për shije të dikujt si unë që nuk posedon diplomë profesionale kulinarie, çorba ishte fantastike. Në fakt, në miks me kekun e djathit po ashtu për mbamendje, ishin dy prej më të mirave që kisha provuar ndonjëherë të këtyre llojeve.

Nxehtësia mesatare të ndihmonte ta filloje menjëherë ngrënien, derisa dhjetëra copa mishi ishin të përfshira brenda çorbës që e bënin çmimin prej 3 eurove të saj t'ia vlente çdo cent.Tre kuleçët e përfshirë në porosinë për dy çorba, ishin po ashtu mëse të mjaftueshme për ngopje në një vakt dreke.

Ëmbëlsira erdhi në formën e "cheesecake", për një çmim paksa të lart prej 2.8 eurove, me shtresë të trashë sipër, dhe një fill të butë por jashtëzakonisht të shijshëm.

Edhe kjo, lehtë në mesin e "cheesecake"-ëve më të mirë që kisha provuar ndonjëherë dhe, më besoni, kam provuar shumë.

Sidoqoftë, pas largimit të ushqimit, nuk pasoi asnjë pastrim të paktën sipërfaqësor tavoline, derisa të mbeturat e avullit të kthyer në ujë formuan shtresë rrethore lagështie dhe mbetën ashtu për të ngrënë dezert mbi to, duke bërë eksperiencën gati 5/5 deri në atë moment, të pakëndshme për shkak të mungesës së slitave.

Me t’u sjellur dezerti dhe kafja, vajërat e ushqimit u larguan nga tavolina në një episod të kujdesit të veçantë nga shërbyesit.

Çuditërisht, në ngrënie dezerti e sipër u shërbyem me nga një gotë konjak Kosove të sjellur në një platformë të zezë, mbi të cilën ishte vendosur edhe një kavanoz i vogël me krem të ftohtë çokollade.

Për një porosi prej 6.8 eurove sa kushtoi në total fatura ime (çorbë, "cheesecake" dhe kafe amerikane), nuk është se nuk po vëreja klientë të tjerë në tavolina tjera që kishin bërë porosi potencialisht ne vlera edhe më të larta, por për të cilët nuk u shërbye konjak e krem i ftohtë çokollade nga shtëpia.

Dhe, meqë ra fjala, konjaku ishte thjesht fantastik nëse shija ime si kritik popullor/amator është për t’u marrë parasysh. Natyrisht, isha në orar të punës dhe refuzova t’i jepja shansin fillimisht por, pas tërë atyre lavdatave që po i bëheshin nga bashkëpjesmarrësi i tavolinës, vendosa të provoj një gëllënjkë të vetme, që më la me shumë pendesa dhe keqardhje që nuk mund ta përfundoja tërë gotën, që vinte me një çmim të arsyeshëm prej vetëm 2 eurove kur nuk shërbehej "nga shtëpia".

Vlerësimi 4/5 – Ushqim e ambient brilant për ngrënie. Do të rikthehem për ta rivizituar dhe rekomandoj fuqishëm të tjerët t’i japin një shans. Dezerti për t’u mbajtur mend, megjithatë, do të ishte perfekt për një çmim pak më të ulët. Çmimi i çorbës dhe kafes (1 euro) ishin të arsyeshme dhe në proporcion me kualitetin. Rekomandim urgjent për përdorim slitash.

Lajme të ngjashme