Top dhjetë reperët më të mirë në histori të hip-hopit shqiptar
Renditje e krijuar mbi arsye e argumente.
Lista e top dhjetë reperëve më të mirë shqiptarë përmban artistë që, deshe apo s’deshe, kanë lënë gjurmë dhe kanë shtruar rrugë për të tjerë pas tyre.
1. Mc Kresha
Absolutisht më i miri i të gjitha kohëve që ka rrokur mikrofonin dhe ka pështyer rima në të. Ajo çka i jep shtytje për të rrëmbyer primatin në këtë listë është konsistenca impresive nga fundi i gjysmës së parë të viteve të 2000-a deri në aktualitet. Së bashku me Lyrical Son, dyshja që ka i ka dhënë kahje tjetër hip-hopit përmbajtësor. Kontribuesit kryesor në sfidimin e ndjesisë gjenerale se hip-hopi përmbajtësor dhe komercializmi janë dy gjëra të ndara.
Rrallëherë zhgënjen por, edhe kur zhgënjen, përsëri mund të qëndrojë më lart se reperi juaj i preferuar (përveç nëse reperi juaj i preferuar është Unikkatili). Rimat e ndërlikuara, loja e zgjuar e fjalëve dhe aftësitë e interpretimit në llojlloj forma e ritme, e legjitimojnë në kurorëzimin si më i miri ndonjëherë.
Kur flasim për diskografinë... tre albume solo, pesë të tjerë në bashkëpunim me Lyrical Son, përfshirë "Për Inati T'njoni Tjetrit", i cili e ndryshoi përgjithmonë skenën e hip-hopit kosovar, me gurmanët e njëmend të këtij zhanri që pas një kohe të gjatë u qerasën me një album profesional ku u përfshinë 25 këngë. Prej atëherë e së këndejmi, albumet nuk kanë rreshtur së ardhuri, shpesh duke e mbibërë veten nga projekti paraprak.
Vargjet e preferuara:
“Që thash' edhe ma par' multi-funksional çunat
“Multi-lingual gjuhnat, shum' dimensional trunat
“Na shihni veç gjurmët, ‘Continental’ gumat
“Pi kerrit rental l'shohen rafall plumat
“Qe ni manual me bo kapital n'pluhna”
2. Unikkatil
Ikona e padiskutueshme. Ku përmendet hip-hopi, e vështirë të qëndrojë shumë larg përmendjes emri i tij. Impakt kolosal, të paparë më herët e vështirë të përsëritshëm. Fama e tij tejkalon barrierat që krijon zhanri i hip-hopit, ndërsa fanbaza e tij përmban dëgjues të përvetshëm dhe jo domosdoshmërisht fansa të përgjithshëm të zhanrit në fjalë.
"Delivery" i fuqishëm dhe tekstet kryesisht (për të mos thënë krejtësisht) me bazë ndërgjegjësimin shoqëror, kanë krijuar një lidhje të pakëputshme interpersonale mes tij dhe fansave. Ashpërsia në predikimin e kodit të fortë moral, që na karakterizon si popull, arsyeja kryesore pse ai gëzon sot këtë reputacion.
Vargjet e preferuara:
“Sot jom konë n’Kishë, i thashë dy-tri lutje
“I thashë këtij dostit naltë, ndihmom me vazhdu tutje
“E m’ra ni pikë shi, n’formë realiteti
“Tha ti djalë i mirë pse lypë dritë prej kiameti”
3. Buta
Më i veçanti dhe prej të vetmive që eksploroi përtej asaj që është servuar vite e vite pa rreshtur, pa ndonjë intuitë për t'i dhënë kahje tjetër, më kreative, zhanrit që ishte në nevojë dëshpëruese për diçka përtej shprehjeve e tingujve të zakonshëm e të dëgjuar.
Lideri i padiskutueshëm i shkollës së re dhe i vetmi në këtë listë që kulmin e famës e arriti pas vitit 2010. Do të isha i ngazëllyer të përfshija më shumë reperë të shkollës së re, por shumicës u mungon konsistenca, materiali diskografik, ose thjesht impakti i këtyre të tjerëve në listë ka qenë më i madh për shkak edhe numrit më të madh të viteve në treg. Dy projektet e tij “Pranverë/Verë” dhe “Vjeshtë/Dimër” janë prej të vetmeve të cilat mund t’i dëgjoni fillim e fund pa tejkaluar asnjë këngë, 10/10.
Vargjet e preferuara:
“T’u përzi kokë si tezja, rreh, rreh si bebën njerka”
4. Ghetto Geasy
“A e din kur unë kom dhezë ti je sillë nëpër vezë,” një rresht që do të ishte “corny” dhe i pakuptimtë po të thuhej nga dikush tjetër. Sidoqoftë, mishërimi është kokë e këmbë meqë vjen nga Geasy. Pionieri i hip-hopit ‘mainstream’ në Kosovë. Nëse dikush nga estrada kosovare ka jetuar si VIP i njëmendtë ndonjëherë, afërsisht me përmasat e VIP-ave të huaj, është pikërisht Geti. Asnjë tjetër nuk ka arritur ta mbajë veten në standarde të tilla të superyllit si reperi kryeqytetas, nga i cili kanë lindur edhe plot reperë të tjerë të cilët më vonë do të vazhdonin të shkruanin historinë e tyre.
Vargjet e preferuara:
“Ti se ke pa kurrë t’parin, unë se kom pa kurrë t’dytin.
“Jon bo repera t’qartë, krejt bitat pi mytin.
“Hejtera, po vjen era repera pa klikera
“Njerëz kah t’frynë era, për mu sezon s’o vera”
5. Lyrical Son
Ke përshtypjen se është një prej reperëve më të nënvlerësuar dhe për të cilin shumë pak flitet në mënyrë të përvetshme. Emri i tij ndërlidhet në mënyrë të pandashme me atë të Mc Kreshës, ndërsa ky i fundit ka prezencë më të fortë si emër tek në çdo diskutim hip-hopi. Dy albume solo mbi supe dhe pesë të tjerë në bashkëpunim me Kreshën. “Recept” dhe “Zimasamshevy”, me këtë të fundit që është një prej më të mirëve që kam dëgjuar në gjuhën shqipe ndonjëherë.
Vargjet e preferuara:
“Mos hini n’tripa, juve s’ju kom fëmijë, ju kom nipa
“Une jom 2pac, ju jeni t’ri pak”
6. Singullar
Po të bëhej kjo përmbledhje para 10-15 viteve, vështirë se Singullar do të gjendej në këtë listë. Me kalimin e kohës, u ndërtua një narrativë argumentuese për impaktin e reperit pejan në hip-hop kulturë. Barti mbi supe presionin dhe barrën e futjes së Pejës në hartën e dëgjuesve. Gjithmonë ka gëzuar respektin e top reperëve kosovarë dhe ka qenë prezent në skenë në mënyrë sporadike dhe pikërisht kjo është veçantia e tij. Është gjithmonë rrotull, por asnjëherë në vazhdimësi, duke krijuar një lloj nostalgjie te fansat. I vetmi që ke ndjesinë se e bën për qejf.
Vargjet e preferuara:
“Une jom Muji, kom pi c*cë prej zanës t’malit
“Nëse ki shumë horse poëer (kuaj fuqi), na ia këpusim krytë kalit
“Unë ia vjedhi rimat Singullarit, kur du me thonë diçka me ç’kap hejtar t’k**rit”
7. Kaos
Grupi që përfaqësoi kryeqytetin në mënyrën më dinjitoze të mundshme, nëse më pyesni mua. Tematikat, qasja dhe “delivery” i tyre gjithmonë ka qenë e ndërlidhur kryesisht me jetën e të rinjëve kryeqytetas. Albumi “Bardh e Zi” duhet të jetë portretizimi më i mirë i mundshëm i jetës urbane në Kosovë.
Vargjet e preferuara:
“Jetoj n’katin e gjashtë, n’banesë t’pesë katëve, shpesh m’dokët vetja si n’kamp t’refugjatëve.
“N’trotuar e këqyri kerrin a ma thejnë, e natën n’hymje eci n’terr se kojshitë e mi kursejnë”
8. Bim Bimma
Një prej liricistëve më impresiv dhe më të lexueshëm që mund të gjesh rrotull. Relevanca e tij sot është për diskutim, megjithatë, fansat e njëmendtë të hip-hopit e kanë të vështirë të evitojnë butonin “play” sa herë që ai publikon. “Egjeli”, nën ombrellën e grupit NR, përmendet si e arritura më e madhe e tij, por personalisht mendoj se albumi “Rrajt” është BimBimma më i mirë që kam parë nga të gjitha e etapat e ndërtimit të tij si reper.
Vargjet e preferuara:
“Ti je veç fotografi, se s’ki metrazh
“Qe 200 vjet reper se ki ni tekst me mesazh.
“Veç kur dalin n’spote, para kamerave kanë imazh
“Se kur s’dalin n’televizion jon veç plan i shpraztë
“Rrugën drejt suksesit ta kom shkurtu unë, KALIMASH.”
9. Ledri Vula
Për shkak të impaktit kryesisht. Ka arritur të qëndrojë relevant prej kohës së “Baba Records”, përkundër pjestarëve të tjerë që kanë pësuar rënie graduale e disa edhe drastike nga i njëjti llejbëll. Ende merr shuma të majme për koncerte e netë festive.
Loja e fjalëve shpeshherë impresive rrëmben vëmendjen e kokave të hip-hopit të mirëfilltë, edhe pse kryesisht i qëndron besnik hiteve verore, jo përmbajtësore, që harrohen pas 3-4 muajve të kohës së nxehtë.
E mban veten relevant edhe me të bëmat e tij jashtë muzikës, si lidhjet dhe martesën.
Vargjet e preferuara:
“S’je t’u pa teleonvela po real favela
“S’ki me ni zhurmë t’kitarës nëse na prekë n’tela”.
10. Noizy
Reperi i vetëm nga Shqipëria që gjendet në këtë listë dhe jo më kot. Asnjëherë nuk kam qenë fans i muzikës së tij, por albumi “Diçka më ndryshe” është njëmend i tillë, pavarësisht se mund të tingëllojë si klishe “cringe” ky titull.
Ke përshtypjen se e ka studiuar mirë e e detajisht skenën e muzikës, nga ngritja – kryesisht duke e futur veten në hartë si rival i Ghetto Geasyt – për të arritur majat në vitet e fundit. Në aspektin biznesor, askush nuk është mbi të. Përmbajtja e materialeve të tij është mediokër, por gjen mënyra kreative të shitjes. I vetmi që kontribon si artist shqiptar në skenën ndërkombëtare.
Vargjet e preferuara:
“Unë s’merrna mo me ju, jeni t’vegjël ju për mu
“Merre babin dorë për dore, sille me ballafaqu.”