Buta, dhia e hip-hopit kosovar – arsyet pse është ‘vite drite’ larg estradës të fiksuar pas ‘bërllokut’ - NACIONALE

Buta, dhia e hip-hopit kosovar – arsyet pse është ‘vite drite’ larg estradës të fiksuar pas ‘bërllokut’

2 vjet më parë

nga Burim Pacolli

Udhëheqësi i shkollës së re dhe i vetmi që realisht shtyen forcën kreative drejt limiteve impresive, për ta bërë një estradë të tërë të duket të sikletshme e të mërzitshme të shikohet e dëgjohet.

Me një anë Mc Kreshën dhe Lyrical Son, Buta, realisht, duket reperi solo i interesuar të krijojë diçka themel vënëse, afatgjate e mbamendëse përtej syrit të untë për para që i karakterizon homologët e tij, të cilët thjesht as që duan t'ia dinë më. Po e shfrytëzojnë sa të munden edhe këtë periudhën e fundit mjelëse, për të përfunduar eventualisht si shumë të tjerë para tyre të cilët i ka shkelur rrota e historisë dhe janë zhdukur ose do të zhduken së shpejti nga memoria e fansave të kësaj rryme. Krejt për shkak të lakmisë. Ghetto Geasy, Gjiko e Ledri Vula janë disa prej tyre.

Kjo e ka shndërruar atë në një ikonë të njëmendtë të hip-hopit kosovar, në një periudhë kur duket se të gjithë të përfshirët brenda estradës unanimisht kanë vendosur të përqafojnë atë që nuk do ta tepronim ta quanim "bërllok".

Duke ruajtur mënyrën e tij të qasjes ndaj temave që rrokë nëpër reptura e këngë, Buta ka arritur ndër vite të krijojë atë që mund të quajmë fan bazën më lojale në hip-hopin kosovar. Përsëri, me një anë Kreshën e Lyrical Son.

Në secilin projekt ku përfshihen dy e më shumë këngë, 'Babayega' së fundmi, vërehet një djersitje e mund kreativ për të sjellë tinguj e rreshta të padëgjuar më herët - diçka që e vë me lehtësi atë në piedestalin e reperëve të preferuar në skenën e hip-hopit shqip.

Hiqni nga ekuacioni disa këngë të dobëta që i ka publikuar ndër vite, përfshirë "poshtë/nalt", "my bro", ndoshta edhe "merri, merri", njeriu gati nuk di t'ia huq.

Sinqerisht, pavarësisht çfarë mendimi mund të keni në dëgjim të parë për një këngë të Butës, për të cilin pritshmëritë janë të mëdha në secilin projekt, ndoshta vepra e tij më mediokre e mundshme është më e mirë se e 70%-80% e asaj që konsiderohet si "më e mira" e disa prej emrave më me ndikim në hip-hopin kosovar.

Për t'i dhënë një shqelm të madh atij narracionit ofendues e nënçmues ndaj dëgjuesve kosovarë - se janë të zhytur në injorancë artistike dhe nuk arrijmë ta kuptojmë se këngët si "kce, kce", "monako", e "t'du" janë thjesht të tmerrshme - Buta realisht duket si një artist që e do atë që bën dhe respekton intelegjencën dhe nivelin e vlerësimit artistik të audiencës.

Për vite të tëra ai i ka qëndruar prapa një stili të veçantë të interpretimit, qysh prej periudhës kur ka qenë po aq nëntokë sa SHIK-u, e deri te rritja drejt ekraneve të mëdha e të rëndësishme të skenës kulturore kosovare.

Një dëgjim i parë i "z.ndjenja" automatikisht të jep ndjesinë e diçkaje avangarde, të veçantë e të padëgjuar më parë - pavarësisht se disa mund të argumentojnë për mungesë substanciale të lirikave që jo domosdoshmërisht janë goditëse apo të ngjeshura në përmbajtje.

Në fakt, pikërisht aty qëndron madhështia e krejt asaj çka sjellë e përfaqëson Buta.

Vargjet si "dal n'qytet m'ngucin femnat, e çeli telefonin krejt zemra", janë aq të thjeshta e jo komplekse sa e bëjnë impresive krejt tonin e këngës dhe instrumentalin që të jep një disponim specifik, duke e shndërruar veprën si një prej më të mirave të artistit deri më sot.

Në fakt, jo se ai nuk ka arritur të mbibëjë veten. Dy projektet e tij "Pranverë/Verë dhe "Vjeshtë/Dimër", janë të dy fytyrave e disponimeve krejtësisht të ndryshme të artistit, por është shumë e vështirë t'i ndash nga njëra-tjetra se cila është më e mirë, ani pse nuk kanë asgjë të përbashkët.

Mirëpo, mos e keqkuptoni, Buta aty-këtu na bën të ditur se nuk është që nuk di të jep rreshta përmbajtësor e "slick".

Një që më kujtohet për momentin, kur thotë "zhdrypi prej kerrit o muhfukkin film, si mi gra shpejte 100 euro n'denim (farmerka)", nënvizon zëshëm dhe qartë aftësitë e tij për të krijuar rreshta për fanatikët e lirikave përmbajtësore.

Për më tepër, njeriu është gjeni i vërtetë i artit të fryrjes (flexit). Sinqerisht, nuk ka njeri në estradë dhe jashtë saj, të paktën jo me ata që unë kam pasur kontakt ndër vite, që di të fryhet më mirë se Buta.

Një vesh këngës së mëposhtme "a pe she" dhe e kuptoni për çka e kam fjalën.

E pamundur të jeni në të 20-at e të mos ndiheni mirë me veten derisa jeni duke ecur rrugës dhe me dëgjuese dëgjoni "a pe she".

Në fakt, krejt albumi "Pranverë/Verë" është monumental dhe shkollë për artin e fryrjes në hip-hopin kosovar. Duke përdorur llojlloj forme kreative të të shprehurit e melodive, ai vë dritë mbi jetën e tij të shfrenuar shfrenuar.

Në anën tjetër, te Vjeshtë/Dimër, Buta tregon anën tjetër të tij. Natyrisht, njeriu i rëndomtë nuk mund të ndihet gjithmonë sikur e ka botën nën këmbë, duke u mburrur me të mbathura e të veshura. Andaj, për mrekulli, reperi shpalos anën tjetër të monedhës - në gjendje depresive deri në atë pikë sa thotë "e shoh veten m'vjen me vjellë".

Ajo që më ka lënë gjithmonë përshtypje rreth reperit ferizajas është mënyra si është këndellur pas asaj që me plot guxim mund ta quaj dissi më brutal në histori të hip-hopit shqip.

"Hijo de Puta" nga Mossi mbetet një moment monumental në shqip-hop, të paktën ashtu për sytë e mi.

Duke marrë L-në (humbjen) më të madhe në karrierë, Buta për mrekulli ka arritur të këndellet e të lë prapa asocimin e tij me dissin në fjalë, duke sjellë 'Babayegan', e cila përmban këngë si "Policinë", "Rrjeti" e "Testom", ku pak vërehet se ka ndikuar në intuitën kreative dissi në fjalë.

Një teori është se "Babayega" në fund mund të jetë përfunduar si projekt shumë më herët, derisa u publikua tre muaj pas "Hijo de Puta".

Por, sidoqoftë, Buta - pa marrë parasysh rrethanat në të ardhmen - do të mbetet si një prej reperëve më të mirë në histori të hip-hopit shqip, epitet i cili gjithmonë është i ndërlidhur me emra të stilit e shkollës së vjetër.

Komplekset e hezitimet me një anë, është koha të thuhet zëshëm dhe qartë - Buta është prej më të mirëve që ka parë skena kosovare e subzhanrit muzikor që derivon nga rruga e të bëmave të rrugës.

*Ky shkrim nuk përfaqëson qëndrimin e redaksisë së kulturës në gazetën Nacionale

Lajme të ngjashme