Kurti thërret për solidaritet e organizim sindikal, “harron” se Qeveria e tij bëri përpjekje për shuarjen e sindikatave
Ndonëse qeveria që ai drejton i shpalli luftë të hapur sindikatave, në veçanti asaj të arsimit, sot, 1 Maj, në Ditën e Punëtorëve, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në Facebook, ka shkruar gjatë se si “punëtorët në sektorin privat duhet të jenë në solidaritet me njëri-tjetrin dhe të organizohen nëpër sindikatat e tyre”.
Kreu i ekzekutivit tha ndër të tjera se qeveria duhet të jetë “aleati më i besueshëm” i tyre, ndërsa shtoi se “vetëm me mbështetje shoqërore dhe institucionale zmbrapsen tendencat e punëdhënësve oligark për të shfrytëzuar dhe heshtur punëtorët. Më shumë bashkim, më shumë organizim, më shumë fuqi!”.
Deklaratat e Kurtit bien ndesh me qasjen e qeverisë ndaj sindikatave, veçanërisht ndaj arsimit. Kreu i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj, ditë më parë ka akuzuar Kurtin dhe ministrat e tij se po tentojnë të shuajnë sindikatat në vend.
“Ai (Hekuran Murati) bëri çmos edhe 5, 6 muaj pas vendimit për koeficientin. Ai u deklarua që në qershorin e vitit të kaluar se ngritja e koeficientit do jetë vetëm pesë euro nga 105 në 110 euro dhe konsiderojmë si njërin nga faktorët kyç, edhe për ligjin e pagave, edhe për koeficientin e ulët edhe për deklaratat e tij kundër SBAShK-ut, deklarata shpifëse, gënjeshtra e pa asnjë argument. E konsiderojmë fajtor edhe për tendencën për t’i shuar sindikatat ngase tërë anëtarësinë qe e kishim të regjistruar në bazë të ligjit për arsimin sindikal ai e ka shlyer në tërësi për t’i zhdukur dhe shpiku platformën E-Kosova duke i obliguar njerëzit se nëse duan të jenë në sindikatë të regjistrohen në E-Kosova, i cili bie që është portal i shtetit dhe paramendojeni njerëzit regjistrohen për të mos u shuar sindikata në një portal të shteti në vend që të jetë ajo që e thotë ligji se një anëtar regjistrohet për sindikatën e vet e jo në një portal shtetëror”, tha Jasharaj.
Për shkrimin e Kurtit ka reaguar edhe përfaqësuesi i Sindikatës së Nëpunësve Civil, Ali Sefaj. Duke reaguar nga postimi i tij në Facebook, Sefaj ka thënë se kryeministri i ka "shpallë luftë sindikatave sikur Serbia në vitet e 90 - ta".