Top pesë këngët më të këqija të kësaj vere
Një verë tjetër muzikore shkoi, falë Zotit, ndërsa është koha të reflektojmë mbi ato që ditën të bëjnë këngëtarë e këngëtare përgjatë disa muajve kur ata mundohen të nxjerrin ‘idaren’ e një viti duke publikuar gjithçka mbi të cilën mund t’i vënë duart, këmbët e zërin.
Artisti juaj i preferuar jo gjithmonë mendon të krijojë diçka me vlerë, madje do të faleshit po të mendonit se qëllimisht veprojnë ashtu. Andaj, ne si dëgjues mbetemi të zhytur në detyrim të dëgjojmë llojlloj melodie e rreshti pëgëre, në mungesë të zërit revoltues e të pafuqishëm të bërtasim më fort se dëgjuesit e muzikës së keqe, të cilët kanë fituar pushtet të frikshëm.
Madje, aq pushtet sa artistët tanë i janë nënshtruar kokë e këmbë kësaj pjese të popullatës.
Oh Zot, faleminderit, që të paktën për ca javë do ta kemi kokën e qetë nga rimat e këqija, përtace e nonshalante, klipet klishe ku paradohet këngëtari në çdo skenë të mundshme me rroba, syze dielli e vetura luksoze dhe ndejat e natës me çmime jo fort të volitshme (më e pakta që mund të themi) për një prej popujve më të varfër të Evropës, nga të cilat fitohen shuma gati marramendëse.
Oh, dhe as mos t’ju shkojë mendja të mbaheni në atë narracionin pa finesë e shije se “te qito kongë jonë paret”.
Mc Kresha dhe Lyrical Son, së bashku me ‘Semaforin’, janë shembull i gjallë se nuk është i domosdoshëm degradimi total artistik për të fituar para e popullaritet vepra juaj.
Më poshtë, ndajmë me ju listën me top pesë këngët më të këqija të verës:
Ledri Vula – Monako
Në pamundësi për t’i ndarë nga njëra-tjetra prej më të keqes deri te më e tmerrshmja (po, realisht nuk mundemi) përfshirja është rëndom. Po e nisi me “Monako” të Vulës.
Po du me t'çu ty en (në) Monaco, Monaco
Po du me t’mlu ty en (në) Monaco, Monaco
Po du me t’puthë ty en (në) Monaco, Monaco
E me jetu ti në Monaco, Monaco.
Ky është refreni i z. Vula, i cili nuk do mend se ka një audiencë që mund të mishërohet me një udhëtim në Monako sa për “t'u puthur” e ndoshta edhe për të jetuar në Principatën luksoze. Në këtë vend, duhet ta keni ndërmend se do t’i shpenzoni “170 euro në ditë” nëse doni ta vizitoni, gjithnjë sipas të dhënave në internet.
Por, vështirë se paga mesatare në Kosovë prej 432 eurove do t’jua mbulonte këto shpenzime marramendëse, sidomos tash me rritjen alarmante të çmimeve të produkteve esenciale si vaji, mielli e vezët.
Nëse klasa punëtore përbën shumicën e popullsisë, atëherë kujt po i këndon Ledri? Për më tepër, si po arrin t’i grumbullojë mbi një milion klikime brenda tri ditëve nga një popull që nuk mund të mishërohet aspak me atë për të cilën ai flet?
Epo, diaspora e begatuar me të mira materiale duket të jetë audienca e vetme që sulmohet e për të cilën bëhet muzikë gjatë periudhave verore... normalisht, një qytetar i rëndomtë me 432 euro mesatarisht të ardhura mujore vështirë se mund ta përballojë të paguajë hyrje 40-50 euro gjatë verës për të dëgjuar një këngëtar në kllab (club) duke kënduar për gjëra me të cilat ai nuk ka të bëjë fare.
Në një klishe të pavdekshme, Ledri Vula vazhdon tutje të elaborojë rreth një vajze që dëshiron ta dërgojë në Monako, por gjithë narracioni zhvillohet pa përfshirë asnjë lloj aspekti social, duke e shndërruar në ëndërr të pakapshme për një qytetar të rëndomtë.
Për më tepër, klipi i tij i xhiruar në këtë vend luksi përfshin udhëtim me helikopter të reperit dhe “të dashurës së tij” mbi qytet, derisa kur janë në tokë, enden me një veturë jashtëzakonisht luksoze të tipit “Ferrari”, në të cilën një kosovar që shkon në punë e kthehet çdo ditë për të servuar ushqim mbi tavolinë, ka gjasa që jeton e vdes pa ia shijuar sediljen.
Derisa audienca shqipfolëse që nuk jeton në Kosovë vazhdon të jetë epiqendra e materialeve të artistëve tanë, populli që dëshiron të dëgjojë muzikë mishëruese, duhet të pajtohet me shuplakën e përjavshme që estrada ia dhuron me këngë rikujtuese se “nuk janë të mirë sa duhet” për të bërë jetë që përfshinë udhëtimet me helikopterë e Ferrari nëpër Monaco.
Për fund, të lexojmë (nëse dikush nga sikleti nuk mund ta lëshojë muzikën, gjë për të cilën i japim të drejtë) edhe një pjesë tjetër të kësaj kënge:
Se ti ma prishe planin,
Kur ma çove ti fustanin,
U ropt e bone namin,
Merre zemren po ta fali.
Kida ft Ledri – T’du
E vështirë të shohim e dëgjojmë një bashkëpunim si ky mes Kidës dhe Ledri Vulës në një periudhë tjetër të vitit. Ishim dëshmitarë të një tjetër vere të gjatë e të gjerë të vijave pa shije e të sikletshme melodike si "se kur t'kom thonë ty t'du, t'du, t'du, pse m'ke lënduuu?", e pasuar me "a menon për mu, mu, mu, a m'ke harruuuu?".
Nuk janë pyetje që meritojnë përgjigje.
Klipi në fjalë fillon me ca pamje ultra klishe të një varke duke lundruar në det, e xhiruar nga droni, para se të futet në skenë Kida në një peisazh pothuajse identik me atë të vitit të kaluar... e dini për cilin e kam fjalën, "unë Coca Cola e ti Pepsi".
Fokusi i klipit kokë e këmbë në interpretuesen dhe veshjen e saj jashtëzakonisht të mbi-bërë, me ngjyrë të gjelbër. Vargjet që thuhen pastaj janë thjesht gjithçka që një njeri i rëndomtë nuk dëshiron të dëgjojë, por që ka qenë i detyruar dhe i imponuar ta bëjë vazhdimisht në kush e di sa vitet e fundit.
Fusni në miks edhe mimikat e sikletshme për të cilat Kida tashmë njihet si praktikuese e zellshme, dhe keni një produkt që do të gjejë përfaqësim dinjitoz nëpër autobusët me pushues që do të udhëtojnë drejt Durrësit dhe Velipojës këtë verë.
Sinqerisht, është e vështirë të kritikohet gjithçka dhe çdo gjë, por Kida dhe Ledri Vula njëmend e kanë dhënë maksimumin për të mos lënë opsione tjera.
Oh Zot i madh... ajo pjesa kur po ndalet gjithçka dhe Kida po rifillon me "veç pak, prit...", para se biti të fillojë me ndërprerje në sfondin e vargjeve "du... du... duu", në miks me lëvizje krejtësisht nonshalante me lëvizje duarsh - e gjej të sikletshme edhe ta komentoj tutje këtë pjesë.
Nëse diçka të tillë si kjo e gjej të sikletshme ta komentoj, si t'i qasem pjesës "A, B, C, D... s'po di ça me thonë se m'ke lonë edhe pa shkronja", që e thotë Ledri fjalëpërfjalshëm.
Derisa po e dëgjoja, në mesin e krejt sikletit që të shkaktojnë recitimi i shkronjave "A, B, C, D" në një këngë që do ta dëgjojë bota, ka edhe mungesë saktësie në injorim brutal të një shkronje jashtëzakonisht të rëndësishme në alfabetin e shqipes siç është "Ç"-ja jonë e famshme. Sigurisht, Vula duhet të ketë menduar anglisht kur e ka shkruar atë pjesë... nëse e ka shkruar, apo ndoshta thjesht nuk e pëlqen ta thotë ç-në e fortë. Ndoshta, është kompleksuese për të ta thotë pasi mund ta shqiptojë si "q" të butë... nuk e di, lëmsh i vërtetë, nuk di çka të mendoj më përpara.
Veshja e zotit Vula është po ashtu ripërsëritje nga ajo që pamë edhe verën e kaluar te degradimi "unë Coca Cola e ti Pepsi".
Sa herë e keni parë Vulën duke marrë këtë pozitë nëpër klipe muzikore? Unë për vete më shumë se që do të dëshiroja ta shihja e ta komentoja.
Gjiko ft Majk – Kce, kce
"Ti veç kce, kce, kce. Mos ta nin, nin, nin, se unë po kcej, kcej, kcej, për ty po pi, pi, pi."
Sinqerisht, si mund të shkruajë dikush diçka të tillë dhe të besojë në të?! Në fakt, është impresive mënyra se si interpretohet, nëse analizon vetëm aspektin përmbajtësor të këngës.
Por, mos u mashtroni... ajo çka thuhet është njëmend kotësi në vete.
"Ti mo s’je, s’je, une s’jom, s’jom, s’jom, na dy mo bashkë nuk jena."
Nuk është shaka... kjo pjesë së bashku me atë që e e potencuam më lart, është refreni i këngës së re të z. Majk dhe z. Gjiko.
U publikua më 18 maj dhe, deri në kohën e këtij shkrimi, ka grumbulluar mbi 20 milionë klikime. Sigurisht, kjo dyshe do të gjenerojë të ardhura të majme nga ky projekt, i cili gati të bind të japësh dorëheqje nga puna 8-orëshe dhe me përkushtim që e bëni, për t'iu futur zanatit të këngëve të tilla.
A thu ti sonte qysh po dokesh,
o shpirt o yll i botës, për mu o fundi i botës,
n'fakt, për ty po pi, koka fundi i gotës.
E fillon pjesën e tij Majk, para se të shtojë gjëra si "për ty po thej, thej, për ty s'po flej, flej, po s'po ma nin, s'po ma nin, nuk je ti, e kom shoqninë".
Është e vështirë ta nënvizojmë pëgërën në ndonjë formë tjetër që flet më shumë se sa vetë teksti i kësaj kënge.
Rimimi me fjalët "harroj, çoj, shpresoj, njësoj", është thjesht mungesë respekti ndaj profesionit me të cilin siguroni bukën e gojës dhe audiencës që ju dëgjon. Ka gjasa që ky tekst të mos ekzistojë fare në formën e shkruar... më shumë duket si diçka që e thua aty për aty, madje duke shpresuar se nuk po dëgjoheni nga një audiencë e gjerë përtej rrethit të ngushtë.
Por kjo nuk është as pjesa më e keqe. Prisni derisa të futet Gjiko në skenë. Reperi nga Peja duhet të ketë pasur kthesën më të madhe në histori nga vlera në antivlerë.
Nga "qese t'bardha si Mihrie Braha, ma shumë hekra se n'shpi brava", ka shkuar në "për ty po vuj, ty po vuj, ty po vuj, ty po luj, ty po luj, ty po luj, bejbi" brenda pak kohësh.
"Ani, ani, sytë e mi ju qani, moj mëkatare, për ty po këndoj si Dani."
Oh Zot i madh, çka është kjo?!
Po kërcejmë? Po vuajmë? Çfarë po bëjmë realisht, pasi është e paqartë dhe krijohet një tollovi e vërtetë e mendimeve kur dëgjoni këtë këngë, e cila sigurisht statusin e 'hitit' e var krejtësisht në interpretimin me zanore të zgjatura të Majk.
Mozzik – Bespreme
A thu, a t'ka marrë malli njësoj ty për mu,
A thu a mujmë na dy m'u përmirësu,
As vetë s'e di për çka jena idhnu,
Kurrë s'u nala t'u insistuuuuuu.
Me këta rreshta hapet 'bespreme'. Vetëm analizoni modelin e mënyrës së rimimit. Pas çdo fjale, theksi bie te shkronja u, duke përdorur variantën rimim-rimim-rimim pas secilës fjali, sikur kjo duhet ta bëjë më impresive mungesën substanciale të përmbajtjes, pavarësisht se flitet për një segment tejet delikat siç është dashuria, e cila mund të të dërgojë në ekstreme kreativiteti nga më të ndryshmet.
Një që është për t'u marrë si shembull që i trajton në mënyrë brilante temat e dashurisë - Mc Kresha. Njeriu realisht mundohet dhe punon/investon energji e shkrirje të mendësisë, para se të vendosë të publikojë diçka.
Është e vështirë të kuptohet protokolli dhe etika e punës së reperëve si Mozzik, i cili duket se pak energji shpenzon në procesin e të shkruarit dhe realisht mundit të investuar në diçka nga e cila, tek e fundit, varet mirëqenia e tij.
E kam të qartë se duhet të ketë një kufi edhe të nivelit të pritshmërive, por mungesa e etikës së punës për këngë e albume të tëra, dhe njëkohësisht vazhdimësia e të ardhurave të majme pa ndonjë pasojë financiare, është goxha e frikshme dhe e pakuptueshme për mua si klasë punëtore, nga i cili pritet performancë e vazhdueshme profesionale.
Me pak fjalë, kthimi i shpinës ndaj punës që ju ushqen, është shkelje e kafshatës dhe përdhosje e dinjitetit të dëgjuesve.
Bespreme, ma more zemrën e s'ma ktheve,
Bespreme, ma more zemrën e ma theve,
Bespreme, për këtë punë ti je e leme,
Bespreme, Bespreme,
Bespreme, preme, preme,
Unë ta dhashë e ti s'ma ktheve,
Unë ta dhashë e ti ma theve.
Ky është refreni tutje i këngës në fjalë, e ku vazhdohet të nënvizohet vullneti i ulët për të bërë më shumë e për ta sfiduar veten përtej zonës së rehatisë luksoze, ku duhet të ndërveprojë Mozzik.
Fjalët e fundit me të cilat rimohet janë "ktheve, theve, leme, preme, preme, ktheve, theve"... njëmend, njeriu thjesht mund të ketë zero dashuri për llojin e muzikës që e bën, arsyetim tjetër nuk mund të gjendet për këtë nonshalancë e mungesë respekti ndaj profesionit.
U ta hangsha piiiiii... kën në buzë - lalalala,
E ato dyja që i mban nër bluzë - lalalala,
Haha, ti ki qejf me m'pa tu vujtë,
E për inati tem shkon ia jep ti gjithkujt,
Je tu lujtë, je tu vujtë se s'je tu mujtë,
Se s'je tu m'gjetë kurrkund që me mujt me m'shkrujtë.
Sikur ato që i thashë të mos mjaftonin, Mozzik veç sa përforcon teorinë e harxhimit e kotjes artistike, duke përsëritur vargjet "u ta hangsha piiii", të cilat tash veç i kishim dëgjuar nga ai te "Madonna", këngë e cila mori përmasa virale vetëm për shkak të atyre fjalëve.
Në mungesë të intuitës e instiktit - që derivon nga dashuria ose mosdashuria ndaj asaj që bëni - për të ardhur me diçka të re, ai kthehet për të kërkuar mbështetje nga një rresht i cili edhe ashtu e ka dhënë më të mirën nga vetja herën e parë.
Tutje, në vazhdimin e rreshtave të mësipërm, qartazi tentohet mbajtja e vetes në jetë duke u varur mbi një dramë të së kaluarës së reperit me Loredanën, e nga e cila pretendohet të vazhdojë mjelja apo mbajtja e vetes relevant, në mungesë të tematikave tjera për t'i trajtuar artistikisht.
Tutje, vazhdohet me narracion të njëjtë kundër përmbajtjes e thënies së diçkaje të mençur, duke u konkluduar si një tjetër këngë për të cilën askush nuk do të flasë pas kësaj vere.
Melinda ft Ledri – A m’ke dasht
Ledri e gjen veten për herë të tretë në këtë listë dhe janë vetëm pesë në total, kështu që, veç ky fakt flet me volum për atë se ku qëndron zoti Vula aktualisht si reper, këngëtar, apo si çkado që e identifikon veten, pasi është e vështirë t’i përcaktohet identiteti.
Në fakt reperët si Ledri, Mozzik e Gjiko, pavarësisht se grumbullojnë miliona klikime në rrjetet sociale, e kanë të vështirë të ndërtojnë fan bazë lojale me të varurit nga hip-hopi.
Realisht, pas mbi dy mijë fjalëve më lart, është e vështirë të flas diçka ndryshe rreth këngës “A m’ke dasht” të Melindës dhe Ledrit.
Melinda e fillon me:
“Djalo, djalo nuk je serioz, shumë po m’bon nervoz.
Djalo, djalo me to mos flirto se guhën ta shkurtoj”.
Oh Zot… aso momenti që filloj të bindem se duhet të lexoj më shumë për të gjetur nivele të duhura gjuhësore elaborimi për ta shpjeguar realisht atë çka përfaqësojnë rreshtat dhe këngët e tilla.
Pikërisht kur mendon se nuk ka ku të shkojë kreativiteti më i tmerrshëm për lojë fjalësh, Melinda thotë:
“O për besë, jom si dredhëz
Flokët e bukura, dredha-dredha
E këtij djalit me lugë t’arit, jom ka i dokna jogobella.”
Për t’i vënë kapak përdhosjes së gjithçkaje çka mund të quajmë të mirë e me vlerë, Ledri ‘pështyen’ vargjet si më poshtë:
“Si, seniorita, I like it, si
Si, seniorita, you liking me
Si, seniorita, I like you too, I like you three”
Me këto rima absolutisht të tmerrshme po e konkludoj këtë artikull, i cili sado pak shpresoj të ndikojë në ndërdijen e artistëve të përfshirë kur janë në procesin e të shkruarit, që të paktën të mundohen të thonë diçka pak më të mençur – nuk pres të zbulojnë e të thonë diçka revolucionare nëpër këngët e tyre, por të paktën t’i japin hakun subjekteve mjelëse.