Tmerr jo, keq po: Shaka pa kripë, e narracione të palogjikshme – nuk do ta shikoj më serialin ‘Tre Vllaznit’ - NACIONALE

Tmerr jo, keq po: Shaka pa kripë, e narracione të palogjikshme – nuk do ta shikoj më serialin ‘Tre Vllaznit’

2 muaj më parë

nga Burim Pacolli

Një tjetër serial komik i është bashkuar karvanit të gjatë të trenit mbi të cilin po lëvizin dhjetëra të tjerë. "Tre Vllaznit", pa ë në fund, është veç edhe një tjetër që dështon ta distancojë veten nga përtacëria e humori i keq i sitkomëve tjerë kosovarë.

"Tre Vllaznit" realisht pretendon të zhvillojë narracionin e një familjeje të rëndomtë urbane, jo të nivelit shumë të ulët emancipues, por jo edhe të nivelit danez. Tre vëllezër që vijnë nga rrethana e kohë të ndryshme, bashkëjetojnë në një apartament/banesë, në të njëjtin vend - me gjasë - ku vëllai i mesëm zotëron edhe një studio muzikore, të cilën e ka hapur me qëllimin që t'i jepet hapësirë vetëm subzhanrit "rock n roll".

Sidoqoftë, mungesa e financave e detyron atë të pranojë edhe klientë të zhanreve të tjera, madje edhe pse krejtësisht në anën e kundërt të asaj çka përfaqëson rock n rolli. Saktësisht të muzikës tallava, apo ashtu lihet të nënkuptohet në bazë të ndërveprimeve mes personazheve, që vijnë në formën e karakterit "Astrit Luci" - i luajtur nga aktori Kastriot Grajqevci - i cili duket se është pak i edukuar gjeneralisht sa i përket muzikës artistike. Gjithnjë në bazë të interaksionit me pronarin e studios, Besimin, luajtur nga Valmir Krasniqi, i cili njëkohësisht është edhe vëllai i dytë i Bytyqëve.

Verdikti

Pasi i dhashë mundësinë episodit të parë, do të ishte e drejt të them se nuk më la shumë përshtypje. Ishte larg të qenurit gjëja më e keqe që kam parë në një serial komik kosovar, aq sa ishte larg edhe të më impresiononte.

Përshtypja kryesore që në fakt edhe nënvizon fuqishëm ndjesinë gjenerale, është se nuk do të kthehem për episodin e dytë.

Për 31 minuta nuk pashë e dëgjova gati asgjë që më bëri të harroj se jam duke shikuar serial e aktorë që po aktronin.

Kur flasim për aktorët, Valmir Krasniqi, Kastriot Grajqevci dhe Flakron Aliu ishin të vetmit që dukej se ishin mishëruar me rolin dhe po i merrja seriozisht si karaktere reale, ndërsa Ilir Tafa padyshim ishte më i dobëti.

Edhe Lum Veseli dështoi t'i përmbushte pritshmëritë, jo ndoshta për fajin e tij. Më shumë për shkak të karakterit tejet klishe dhe të pa zhvilluar si duhet.

Me pak fjalë, e gjitha ngjarja, apo të gjitha ngjarjet, ishin jashtëzakonisht të parashikuara, e barra kryesore për këtë i bie skenaristit.

Shkrim përtac, shaka pa krip, e narracione të zhvilluara mes karakatereve jo në mënyrë të logjikshme.

Shembull, kur vëllai i madh aludon në orientimin seksual gej të vëllait të vogël, ende pa ndodhur incidenti me CD, është absolutisht e pakuptimtë hipoteza në të cilën bazohet. Ai mundohet ta argumentojë tezën e tij se vëllai i vogël mund të jetë homoseksual, vetëm pse nuk flet asnjëherë për gra të tjera me të. Për më tepër, Blini nuk jep kurrfarë indikacioni as me gjestikulacione e as me pretendime se realisht mund të jetë homoseksual.

Si fëmijë që vjen nga një familje me shtatë fëmijë (pesë vëllezër e dy motra), e drejt të them se është dashur të kalonin shumë e shumë vite, goxha më shumë se sa mosha që pretendohet të ketë Blini në serial, për t’u ndjerë rehat të bëjë biseda të tilla me vëllezërit, të cilët – me që ra fjala – janë të gjithë më të mëdhenj se unë.

Edhe shakatë ishin jashtëzakonisht të shkruara keq. Pothuajse të gjitha ndërlidheshin me faktin se vëllai i vogël mund të jetë homoseksual, peshën e punonjësit të studios dhe obsesionin e vëllait të madh për gratë.

Po ashtu skena kur pastruesja, Xhevrija, luajtur nga aktorja Edita Dula, njofton vëllain e mesëm (Besimin) për ngacmimet fizike seksuale të vëllait të madh, dhe reagimi i “Besimit” është krejtësisht nonshalant, aspak qesharak dhe jo i natyrshëm.

Gati 80% të shakave në këtë episod janë të llojit “o, ai është gej” ose “o, ai është i trashë”, e që është niveli më i ulët i komedisë, apo, më mirë të themi, tentativës për të bërë komedi.

Momentet pozitive

Disa momente aty-këtu nuk është që ishin më të bajatshmet në botë. Shembull, kur Besimi i parashtron Astrit Lucit narrativën se mund të mos ketë kohë për të pasi ai dhe shtëpia e tij muzikore kanë shumë punë, vetëm sa për ta bërë të duket veten dhe biznesin e tij paksa më legjitim kur në fakt është buzë greminës, është goxha mirë e menduar. Një plus për skenaristin këtu.

Gjithashtu momenti tjetër më i mirë i këtij episodi erdhi nga dy karakteret e njejta (Besimi dhe Astrit Luci), jo befasisht edhe aktorët që më impresionuan më së shumti.

Dialogu mes Besimit dhe Astrit Lucit rreth muzikës dhe mënyrës si Luci e vë veten në pozitë si këngëtar i njohur por që ka pak bagazh të muzikës njëmend me vlerë mbi supe, për të marrë reagime të sikletshme nga Besimi, ishte goxha interesante. Besimi natyrshëm dhe suksesshme po më fuste në këpucët e tij derisa po e shikoja.

Dy herë qesha në total

Në fakt, nuk është se u shkriva së qeshuri, por të paktën më shkoi buza në gaz. Njëri erdhi saktësisht në minutën 27:22, kur punonjësi “i trashë” përfshihet në diskutimin e videos porongrafike me homoseksualë protagonistë, duke thënë: “Porno me geja… përnime Xhevrija koka shumë e trent a?” Pasi Xhevrija portretizohet në kokën e tij si një grua e etur pas seksit dhe gatishmëria e saj për të shikuar “porno me geja” e bën atë edhe më bizare si karakter, gjithmonë nga këndvështrimi i personazhit.

E qeshura tjetër erdhi kur vëllai i madh, reagon ndaj daljes së Astrit Lucit të frustruar nga zyra, duke thënë: “Ça ndodhi bre, a mu dok a ke qiky Astrit Peci?” Para se ta godiste vëllain e vogël në organin gjenital. E kjo pyetje mori përgjigje nga Lumja (Teuta Krasniqi), e cila thotë: “Jo, ky osht Luci”, duke e goditur Besimin po ashtu në organin gjenitale.

Tmerr jo, keq po. Si shikues i rëndomtë, nuk do të kthehesha ta shikoja episodin e dytë të “Tre Vllazint”.

Lajme të ngjashme