Restorantet | Te "Hyska" në Prizren: Top qebapa në kajmak, pipa vetëm për gra – s’ka gotë për pije - NACIONALE

Restorantet | Te "Hyska" në Prizren: Top qebapa në kajmak, pipa vetëm për gra – s’ka gotë për pije

1 muaj më parë

nga Burim Pacolli

"Grill Hyska" në Prizren është prej destinacioneve më të popullarizuara për ngrënie në qytetin e dytë më të populluar të Kosovës, andaj shkuarja për të shijuar pak nga gatimet në skarë erdhi natyrshëm.

Me lokacion në rrugën "Adem Jashari", "Hyska" punon shtatë ditë në javë me orar 07:00 - 23:00 dhe, së bashku me "Sylën", janë dy prej "shtëpive" të skarës më të frekuentuara, sidomos nga vizitorët e qyteteve tjera.

Në fakt, rrallëherë i shpëton vizitës në njërën prej këtyre dy lokacioneve një udhëtues, sidomos nga Prishtina, prej ku ke një rrugë dinjitoze për ta kaluar dhe uria është gati e garantuar pas një ore apo dy të kaluar në Prizren.

Me t'u futur te “Hyska”, pasoi përshëndetja mirëseardhëse, derisa saktësisht 20 sekonda pas uljes në hapësirën e shndërritshme me rreth 8 tavolina me nga katër karrige secila, një frigorifer të tekdukshëm në ballë, tre monitore menyje lart dhe pasqyra pranë secilës tavolinë, u shfaq kamarieri me menynë.

Menyja përmbante të zakonshmet e një shtëpie skare - pleskavica, qofte, qebapa, mishëra kombinim, virshlle skare e të tilla, të cilave u shtohej vlera për një euro nëse dëshira juaj ishte të servoheshin mbi kajmak.

Pesë qebapa në kajmak ishte zgjedhja ime, me kamarierin - i cili, meqë ra fjala, ishte tejet i sjellshëm deri këtu (mirësjellje më e vërejtshme se në restorantet që i kisha vizituar në Prishtinë) - porosinë e mori duke i shkruar në fletore produktet e porositura, pavarësisht se ishin vetëm dy tavolina me klientë (ne dhe një tjetër). Dukej protokoll i zbatuar me rigorozitet, ndryshe prej plot restoranteve apo lokacioneve për ngrënie që i kisha vizituar, plot prej të cilave porositë ua besonin mbamendjeve të kamarierit.

Pesë qebapa në kajmak dhe një pjatë “sallatë shope”, e cila u shërbye e para, pas saktësisht dy minuta e 15 sekondave nga porosia. Ndryshe nga metoda standard e hasshme kudo, te “Hyska” pija u shërbye së bashku me ushqim dhe jo paraprakisht siç ndodh pothuajse gjithmonë nëpër lokalet e ngrënies.

Në fakt, gjithmonë ka qenë mini sfidë për mua si fans i flaktë i Coca-Colas të më servohej e hapur në kanaçe apo shishe të qelqit plot minuta para pjatës së ushqimit. Gati gjithmonë rezulton me humbjen e atij elementit gërrithës në fyt për shkak të humbjes së dendësisë së gazit, i cili është i domosdoshëm për kënaqësi perverse (jo fort të shëndetshme), sidomos kur përpara keni një pjatë me diçka të llojit të kësaj që i kisha unë. Andaj, po e vlerësoja maksimalisht sjelljen e pijës së bashku me ushqim, në vend se të bëhej paraprakisht.

Sidoqoftë, dy Coca-Cola të porositura u shërbyen pa gota – me njërën shishe (për bashkëpjesmarrësen të seksit grua) ishte vendosur një pip, por jo edhe te shishet që u shërbyen për seksin burrë. Situata jo shumë të lakmueshme e këndshme pasuan, derisa pirja e Coca-Colas nga shishja e qelqit më shpesh se rrallë rezultonte me ngujimin e pjesës së epërme të buzës brenda hapësirës së ngushtë të shishes, e cila e ka një tendencë të veçantë tërheqje pas çdo pirje.

Për më tepër, shishja kishte një çmim jo fort të volitshëm prej 1.30 eurove dhe servimi i saj pa gotë, po e bënte këtë çmim të binte në sy edhe më shumë.

Sallata ishte ashtu siç janë gjithmonë ato të llojit “shope”. Plot rriska domatesh, trangujsh, djath i grimcuar nën një kokrre ulliri të vetme.

E vendosur në një enë të thellë, jo aq të gjërë, përmbajtje kishte me bollëk për ngrënie nga dy persona. Nuk jam shumë i sigurt nëse vlen për çmimin prej 2.50 eurove nëse jeni i vetëm në tavolinë, megjithatë.

Në anën e majtë të tavolinës ishin të vendosura melmesat, kripë dhe piper i kuq, vajërat e ullirit dhe uthull, të cilat nuk ishin në gjendjen higjenike më të mirë të nundshme nga jashtë, siç shihet në foton e mëposhtme, me përfaqësim të një numri dinjitoz të rrëmojsave.

Tre minuta e 44 sekonda pasi kishim bërë porosinë 20 sekonda pas hyrjes, u servuan pesë qebapa të madhësisë e trashësisë së kënaqshme të hedhura mbi kajmak, e të vendosura në një tigan me vegëza ngjyrë ari dhe një kulaç buke i pjekur mire dhe taze.

Qebapat ishin në gjendje perfekte, më e pakta që mund të themi, si nga pjekja si nga shija (gjithmonë duke u bazuar në shijën personale, pa certifikim profesional), ashtu edhe nga masa. Për më tepër, kajmaku (për të cilën kisha paguar 1 euro shtesë, mbi çmimin prej 2.50 eurove për pesë qebapa) vetëm sa po shkonte duke e shtuar apetitin.

Një kërkesë për ujë çezmeje pasoi, e cila u shërbye në gotë plastike.

Në dalje e sipër falenderimet dhe urimet për bërje mirë të ushqimit na përcollën, derisa dy kamarierë nuk rreshtën së përshëndeturi, përfshirë njërin madje që ishte i zënë duke i shërbyer një tavoline tjetër. Sjellja e shërbyesve absolutisht për çdo lavdatë.

Totali i faturës: 7.30 (pesë qebapa në kajmak, një sallatë dhe një Coca-Cola).

Vlerësimi: 3/5 – Do të kthehem ta rivizitoj. Sjellje për ngritje kapelash nga stafi. Qebapa që nuk të lënë hapësirë për ankesë, sidoqoftë, mungesa e gotave në shërbim dhe çmimi jo i volitshëm i Coca-Colas dhe sallatës (ia vlen nëse jeni dy persona, megjithatë), sigurisht do të ndikojnë që të evitoj porositjen e tyre në frekuentimet e ardhshme.

Lajme të ngjashme