Restorantet| “Metro”: ushqim që do ta mbaj mend, nuk erdhi me çmim të lirë, megjithatë – s’ka as ujë pa pare
Me vendndodhje përballë Hotelit “Grand” në Prishtinë, restoranti/kafeneja “Metro” frekuentohet goxha shumë në Prishtinë.
Në fakt, ka një reputacion të veçantë për ushqimin që e ofron, gjë që e bën të logjikshme dhe të natyrshme vizitën sot në kohë pauze.
Ambient modest me hapësirë jo shumë të gjerë e të gjatë. Në fakt, pamjet nga brenda janë aq modeste, sa e legjitimojnë edhe më shumë reputacionin e "Metro"-s në popullatë si hapësirë ku njëmend shërbehet ushqim cilësor, ndërsa elementet/hollësitë e tjera janë në plan të dytë.
Rruga ishte e shkurtër nga dera e hyrjes deri te tavolina. Nuk mora asnjë përshëndetje nga stafi me t'u futur.

Saktësisht 1 minutë e 27 sekonda prita në tavolinë derisa u shfaq kamerieri për marrje të porosisë. Në “Metro” nuk ka meny, andaj shërbyesin e pyeta se "çka po më rekomandon?" Mora një përgjigje që nuk e zgjidhte mini-problemin tim, vendosja çka të porosisja. "Çka t'dush, krejt i kena na"- ma ktheu.
Me të këmbëngulur për herë të dytë, m’i ofroi opsionet. Në fakt, lista me opsione është e varfër në “Metro”: vendi njihet për sandviçë dhe sallata. Sandviçët dhe sallatat ofrohen në tri lloje: me mish pule, me proshutë ose me mish të peshkut Tuna. Sallata me mish pule ishte zgjedhja ime për ngrënie e kafe amerikane për të pirë.
Dy minuta e 50 sekonda u vonua kafja pas porosisë, derisa kamerieri e lëshoi mbi tavolinë në heshtje, ndryshe nga restorantet e tjera që i kisha vizituar, ku "të bëftë mirë" gjente përfaqësim masiv të shërbyesit sa herë sillte një porosi.
Me shumë gjasë, këtu mund të ketë ndikuar edhe fakti që kamerierit në “Metro” sot nuk i thashë fare "faleminderit", pasi e solli porosinë, siç kisha vepruar me të tjerët. Kjo për arsye se isha i zënë në telefon për pak momente, andaj me të ngritur kokën për ta falënderuar, ai veç kishte kaluar një distancë të konsiderueshme nga tavolina.
Kafja amerikane u shërbye pa ujë. Në fakt, ujë kishte kërkuar paraprakisht bashkëpjesëmarrësi i tavolinës, të cilit iu soll një shishe "Rugova", me çmim 1 euro. Kafeja amerikane kushtonte 1,2 euro.
Në pritje e sipër të ushqimit, po e dëgjoja kamerierin me zë duke i brohoritur shankistit për porosinë nga një distancë e konsiderueshme, duke e marrë vëmendjen e të pranishmëve në një episod që më nxiti ta ndërprisja bashkëbisedimin për pak momente.
Plot 9 minuta e 43 sekonda pasi e kisha bërë porosinë e ushqimit, m'u ofrua mbi tavolinë. Një bukë sandviçi, e prerë në tri copë me një anë. Sallatë, pulë e bërë me misër e shtojca të ndryshme, një sasi e konsiderueshme makaronash, sallatë (lakër e gjelbër, lakër e kuqe, dy rriska domateje, një rriskë trangulli, një copë kaçkavalli e rrotulluar dhe një pirun e një thikë, të mbështjella me një faculetë.

Me atë faculetë kreva punë ashtu si munda, kur kërkohej intervenimi me të, derisa të tjera nuk u shërbyen. Në fakt, përveç asaj që gjendej mbi pjatë e nën bukë e të cilën nuk mund ta tërhiqja për arsye të qarta, ishte e nevojshme t’ia kërkoja veçanërisht kamerierit një tjetër.
Sidoqoftë, ajo që po e shijoja, pasi e fillova ngrënien, ishte absolutisht fantastike. Thjesht, nuk po mund ta mbushja gojën aq sa kisha dëshirë. Sinqerisht, po e them mbi bazën e shijes sime amatore pa diploma kulinarie e si pjesëtar i klasës punëtore, që ha jashtë çdo ditë (e di, duhet të filloj ta shqyrtoj marrjen e ushqimit nga shtëpia), që po e haja ushqimin me shijen më të mirë që e kisha ngrënë në kohën e fundit. Po, absolutisht po e shijoja më shumë se në gjithë restorantet që i kisha vizituar së fundmi dhe për të cilat kisha shkruar.
Pesë/pesë shija e gjithçkaje që po e provoja, prej makaronave të ftohtë akull (sepse ashtu shërbehet në “Metro”), deri te sallata e pula, të cilat do të dëshiroja t’i përsërisja pa asnjë ndryshim si vakt darke.
Pavarësisht kësaj, e drejtë të themi se çmimi prej 6 eurosh nuk ishte se na la shumë përshtypje pozitive. Për një çmim prej 4,5 eurosh, do të isha njeriu më i lumtur në botë ta haja çdo ditë të njëjtin ushqim në “Metro”, jo se 4,0 euro janë pak para, por që do t’ia vlenin për çdo cent në këmbim të asaj shije. Sidoqoftë, 6 euro ishin thjesht të tepërta për t'i dëgjuar si faturë, sidomos edhe për faktin se uji nga çezma nuk shërbehej dhe ishe i detyruar të porosisje ekstra pije. Oh, dhe paçi fat, nëse po pretendoni ta porosisni vetëm pjatën, pa pije!
Totali i faturës: 7,20 € (sallatë pule dhe një kafe amerikane)
Vlerësimi 3/5 – Ushqim fantastik (për shijen time dhe të bashkëpjesëmarrësit të drekës), çmim i lartë, nga një minus në shërbimin e mangët të faculetave dhe ujit të çezmës. Do të kthehem për ta rivizituar për shkak të ushqimit.

