Restorantet | Një orë pauze në “Bagolina”, ku me 1,5 euro ngihesh me çaj rusi – mëngjes anglez dinjitoz - NACIONALE

Restorantet | Një orë pauze në “Bagolina”, ku me 1,5 euro ngihesh me çaj rusi – mëngjes anglez dinjitoz

3 vjet më parë

nga Burim Pacolli

“Bagolina” qe vendmbërritja e re për vizitë në kohë pauze, në ecurinë e plot vizitave të tjera nëpër restorante të ndryshme të Prishtinës.

Me vendndodhje afër Ministrisë së Arsimit, prapa rrugës së njohur si "Aktashi", “Bagolina” ka qenë goxha e vizituar prej fillimit të pandemisë e më tutje në Prishtinë.

Hyrja brenda nuk është se më la ndonjë përshtypje tejet pozitive ose tejet negative. Isha i pari që u desh ta përshëndesja kamerierin, i cili ma ktheu me ulje-ngritje koke, teksa më shikonte derisa po futesha.

Për shkak se isha në shoqërinë e një duhanxhiu, u desh të uleshim në zonën e pirjes së duhanit, ku nuk pata asnjë ankesë për dendësinë e tymit, siç më ndodh zakonisht në zonat e tilla mua si joduhanpirës. Ventilim dinjitoz.

Prej momentit kur zëmë vend në tavolinë, saktësisht 4 minuta e 47 sekonda u desh të prisnim derisa erdhi kamerieri për ta marrë porosinë.

Pasi e shikova menynë, vendosa për mëngjes anglez, të cilin u desh ta prisja 7 minuta e 30 sekonda derisa më erdhi. Rreth 12 minuta pritje prej momentit kur u futëm deri në sjelljen e porosisë. Shpejtësi mbresëlënëse e, drejt të themi, rëndësia e së cilës është jetike për kohë pauze njëorëshe.

Katër rriska të rreshkura të bukës, dy rriska domateje, gjashtë copa të proshutës të tharë, pak kërpudha të fërguara, fasulja e kuqe dhe dy virshlle me mustardë ishin të ndara nëpër enë të ndryshme, por të vëna mbi një tepsi të gjerë e të rrotullueshme. Edhe hapësira në tavolinë e arsyetonte gjerësinë e tepsisë me ushqime të shërbyera mirë. Për 5 euro e 20 centë, sa kushtonte mëngjesi anglez, katër copë buke të rreshkura, dy vezë dhe dy virshlle nuk të bënin t’i shkulje flokët nga entuziazmi rreth sasisë, por një pjesë të konsiderueshme të investimit po ia llogarisja dekorit në ushqim.

Për të pirë, porositëm çaj të zakonshëm “të rusit”, i cili erdhi në një ibrik me ngjyrë teneqeje, goxha i nxehtë dhe me sasi për t’i mbushur katër gota të gjatësisë dinjitoze. Edhe çmimi ishte goxha i volitshëm – 1,5 euro ibriku për katër gota duhet të jetë bekim për xhepin e atyre që u pëlqen çaji me emrin e banorëve të vendit pushtues e famëkeq.

Volumi i muzikës së lehtë, që nuk ta merr vëmendjen, por që është i pranishëm, u ngrit dukshëm, ndoshta “dëgjueshëm” është fjala e duhur, rreth orës 12:30, kur ambienti filloi të mbipopullohej me njerëz.

Ishte veprim i duhur dhe që tregonte kujdes të veçantë për klientët, të cilët, sa më shumë në numër, aq më shumë do të bënin muhabete e zhurmë, që edhe më shumë do të dëgjohej e do t’i pengonte të tjerët. Prandaj ngritja e volumit të muzikës aq sa mund ta dëgjoje bashkëbiseduesin e tavolinës, por jo ata të tavolinës tjetër, ishte lëvizje goxha e nevojshme për t’i shmangur situatat e me siklet, kur e ngre zërin më shumë se që duhet nganjëherë për ta marrë vëmendjen e krejt popullit të pranishëm. Mund të duket detaj i vogël, por plot restorante/kafene dështojnë ta piketojnë si çështje për adresim.

Nxehtësia e ushqimit, për syrin dhe gojën time pa diplomë gastronomie e kualifikim për vlerësim ushqimi (siç mund të jetë një lexues i rëndomtë i këtij artikulli), ishte në nivel dhe absolutisht po i admiroja kërpudhat e fërguara me fasulen e kuqe.

Për më tepër, ambienti përcillej me një ndriçim organik nga rrezet e diellit dhe, në kombinim me mënyrën se si ishte organizuar hapësira, së bashku me zbukurimet e Vitit të Ri, po më jepnin një disponim goxha pozitiv dhe të rehatshëm.

Saktësisht tetë minuta mbeti tavolina e shtruar, pasi e kishim përfunduar ngrënien, derisa erdhi kamerieri për ta larguar ushqimin. E ktheu ibrikun në njërën prej gotave të çajit për ta zbrazur tërësisht, para se ta merrte me vete. Gotat i la.

Pak më vonë, ai u rikthye, duke e larguar njërën prej gotave të zbrazura, veprim që disi e shtoi presionin për t’u ngritur nga tavolina, metodë kjo që ndoshta është e leverdishme për interesat e biznesit, por jo edhe aq të klientëve.

Përveç kësaj, sjelljet e kamerierit që shërbente, ishin goxha profesionale. Nuk jepte ndonjë lloj energjie që ta rrëmben vëmendjen, as nuk e tepronte me muhabete e komente të panevojshme shtesë në shërbim e sipër.

Totali i faturës: 6,70€ (mëngjes anglez, ibrik me katër gota çaji).

Vlerësimi 4/5 – Ambient tejet i rehatshëm, do të kthehem për ta rivizituar me shumë qejf. Nuk jam shumë i sigurt nëse do të porosis prapë mëngjes anglez, por menyja më tërhoqi interesim aq sa duhet për t’i provuar gatimet e tjera.

Lajme të ngjashme