Pse populli i Kosovës është i obsesionuar me “It’s my home”?
Një emision i çuditshëm po merr shifra të frikshme shikueshmërie, dhe kjo duhet të mjaftojë që t’i hedhin një vështrim e të kuptojmë se çka thotë kjo për shoqërinë. Duke fiqiruar dje, erdha në disa përfundime që më rrëqethën e prandaj më duhet t’i ndajë me ju.
E pashë nga kurreshtja disa herë me radhë këtë emision, i penguar vazhdimisht nga sikleti e turpi që përvidhej brenda meje. Ndihesha superior ndaj personazheve, ndihesha se isha më i arsimuar, më i ditur, më i kulturuar. Dhe, si një gazetar që lufton për barazi, që kërkon trajtim të barabartë mes njerëzve – më vinte turp për veten pasi më vinte turp për ta. Por, ngulmova e ngulmova – pavarësisht sa keq ndihesha – duke dashur si gjithnjë, që të tregohesha edhe jo-ortodoks në punën që e bëja.
Mos harroni, ky op/ed përbën një rrëfim tepër të sinqertë dhe mund ta bëjë të ndihet jorehat dikë prej jush. Mos më fajësoni mua nëse e vazhdoni leximin!
Hajt, po vazhdojmë!
Tash e dy dekada (dikush, ndoshta me të drejtë, mund të thotë “më shumë se dy dekada”) shoqëria jonë po provon të përshtatet me vlerat e reja perëndimore. E përtej vlerave, po provon të përshtatet edhe me gjestet, trendet, apo edhe gjëra më banale si mënyra e të ecurit, pulitja e kapakëve të syve etj. Është e vetëkuptueshme, se në kuadër të kësaj përpjekje për përshtatje kemi pasur mbiprodhim të falsitetit – meqë shoqëria ka ndërtuar edhe mekanizma gjykimi e paragjykimi të përshtatjes/mospërshtatjes.
Unë e shoh “It’s my home” si një dukuri, më shumë se një rast të izoluar. Kemi të bëjmë me përpjekjen kolektive për të gjetur lëndë për paragjykim të mospërshtatjes. Personazhet e këtij emisioni rrjedhin kryesisht nga një shtresë e varfër dhe më pak e edukuar e shoqërisë, që s’arrin të përvetësojë mirëfilli atë që presupozohet ta përvetësojë. Pra, kemi njerëz që presupozohet të jenë kulturalisht të prapambetur. E prandaj, të paragjykueshëm. E prandaj, të mirë që të inçizohen me kamera që të ndillen përditshëm përorëshëm e përminutshëm paragjykime për të kënaqur perversitetin shoqëror ndaj njerëzve të lëndueshëm.
Kërkohet sa më shumë siklet e turp, në mënyrë që superioritetin brenda kësaj shoqërie që po shfaq përditë e më shumë tendenca fashiste ta vendosim në një platformë legjitime.
Kemi kopjimin e presupozuar të një formati televiziv të bërë keq. Kemi personazhe që presupozohet të jenë të prapambetura kulturalisht. Kemi konspiracione. Dije të ndrydhura. Kemi edhe dhunë verbale e me raste fizike.
Evidentueshëm, “It’s my home” paraqet realitetin tonë. Por, është fjala për një realitet që deri tash na vinte i fragmentarizuar. Në ndonjë kronikë televizive ku paraqiteshin personazhe ‘problematike’. Në video të bërë virale. Deri tash, “realiteti i turpshëm” ishte disasekondësh por tashmë është bërë i gjithëpranishëm. Dhe kjo, po fascinon njerëzit.
E kemi dëshmuar edhe në të kaluarën tendencën shoqërore që të mbivendosemi ndaj grupeve të margjinalizuara, individëve të margjinalizuar. Ajo çka po na ofron ky emision i ri, është e vërteta jonë por një e vërtetë e rrezikshme. Një e vërtetë që duhet kundruar mirë në sy, dhe përmes të cilës duhet ndërtuar reagimet tona.
“It’s my home” nuk është shtëpia jonë, domosdoshmërisht. Por, është shtëpia jonë për aq sa ka shikues që e shohin me perversitet në kërkim të sa më shumë sikleti e turpi për të tjerët, që të kënaqet ndjenja e superioritetit.

