Sunny Hill gojëhapës, puna me djersë e Dua Lipës dhe gjesti i sikletshëm i Elvana Gjatës
Nata e parë në Sunny Hill ishte absolutisht spektakolare - rreth 20 mijë njerëz pritën Dua Lipën, por paraprakisht u shërbyen me artistë si Yll Limani, Kida e Elvana Gjata, me këtë të fundit që ishte në rregull, minus një gjesti të sikletshëm (ang. 'cringe').
Aktivitetet rreth festivalit filluan të enjten në ora 14:00, me një konferencë për shtyp, ku Dua foli pak, derisa shprehej se mezi po priste të përgatitej për performancë, para se babai i saj, Dukagjini t'i përshpejtonte procedurat dhe të largohej bashkë me të. E bija fillimisht pozoi me disa fëmijë e fansa.
Artistë si Kida e Yll Limani, falë platformës perfekte e zërimit absolutisht këmbues që dëgjohej në një territor të gjërë e të gjatë në volum të njëjtë pavarësisht se ku ndodheshit, po e shijonin momentin derisa kishin mundësinë të performonin para rreth dy herë dhjetë mijë personave.
Ishte njëmend atmosferë absolutisht e jashtëzakonshme, minus pritjet e gjata, e kolonat e veturave në rrugë - pengesa me të cilat unë personalisht nuk u përballa, pasi preferoj këmbët si mjet transporti dhe kisha bexhin prej gazetarit me vete.
Një 'mal' me çika e djem të rinj që kishin ardhur me qëllimin e njejtë, të të bërit qejf, në një festival i cili po ua jepte hakun kokë e këmbë. Uh, njëmend, një minus tjetër ishte ajo që po e quajnë kuleta digjitale, me të cilën mund të pajiseshe veç në një kioskë gjatë natës, e ku ishte gati e pamundur të shërbeheshe për shkak të radhës tejet të gjatë.
Rrëshqit me shigjetën në të djathtë për të parë foto koleksionin.
Artistë si Yll Limani e Kida, veç Elvana Gjatës, performuan - përmendje nderi edhe Sytë, Sancet, Jimpong & Friends, Art Lokaj & Eros, Sahati e Galoski, të cilët kishin performuar më herët, e që nuk pata mundësi t'i dëgjoja e shihja - ndoshta dëgjoja, më shumë se shihja.
Në një hapësirë të gjatë e jo fort të gjërë, ishte gati e pamundur të synoje ndonjë pozitë ku kishte pamje të qarta nga skena, për shkak të qenieve të gjalla në numër drithërues të renditura njëri pas tjetrit. Jo që të mbeste shumë merak në fund të fundit, sepse, pavarësisht sa larg qëndroje, pajisjet e zërimit të ofronin eksperiencën e njejtë, po ashtu edhe monitorët gjigantë, ku shfaqeshin artistët duke performuar nga disa kënda.
Herë pas here, kamera zhvendosej me pamje nga lart, dhe reflektonte mbi turmën gojëhapëse. Njerëz që i bënin me dorë kamerës, bënin zemra e shqiponja me duar... të bënte të ndiheshe gati me fat që nuk je diku në një pozitë më afër skenës, ku nuk kishte monitor e nuk mund të shihja materialin e ekipit medial të festivalit.
'Cringe' i Elvana Gjatës
Elvana Gjata ishte artistja e parafundit që performoi, para se Dua Lipa të rrokte skenën dikur pas mesnate. Edhe ajo, njejtë si Yll Limani, po e ngazëllente turmën me këngë shumë të dëgjuara në audiencë, pavarësisht shijeve personale, reagimi që po merrte nga turma ishte goxha inspirues.
Sidoqoftë, sikur ishte e tepërt të kërkohej të shkonte gjithçka mirë e denjësisht, nga fundi ajo vendosi të më fuste në siklet mua dhe plot të tjerë.
Teksa mori telefonin personal, ajo po tregonte se babai i saj ishte larg dhe po tregonte sa shumë e do atë. Në një monolog gati të panevojshëm, e pa të arsyeshme të ndalte krejt qejfin e botës që po e bënin njerëzit aty, për t'iu kërkuar të këndonin këngën e ditëlindjes.
Ishin skena të mundimshme, më e pakta që mund të them. I vetmi moment gjatë tërë natës kur unë nuk doja të isha aty. Plot ia plotësuan dëshirën Elvanës duke kënduar "happy birthday", por pati edhe shumë të tillë që ulnin kokën duke qeshur me zor nga 'cringe'.
Oh, dhe para se të këndonte këngën "mora fjalë" të Shkurte Fejzës live, ajo shpërtheu në lot. Episodi që përjetova gjatë këngës ishte rrëqethës, dhe unë rrallë ose kurrë dëgjoj këngë patriotike.
Puna me djersë e Dua Lipës
Pas një pauze dinjitoze me të përfunduar punë Elvana Gjata, ishte momenti për superyllin e botës, Dua Lipën të shfaqej në skenën gjigante.
Oh, paraprakisht, njerëzit sulmuan barin me të pasme në pritje, pasi qëndrimi i gjatë në këmbë po shkaktonte goxha lodhje e rraskapitje, futni në miks edhe faktin se disa - përfshirë mua - nuk kishim arritur të pajiseshim me kuletën digjitale dhe nuk të shërbente kush pije pa të, dehidrimi e lodhja po na pengonin të merrnim eksperiencën e plotë të festivalit.
Me gjunj gati që do të më linin në baltë pasi qëndrova për orë të tëra në këmbë, ishte koha për një presion të fundit mbi limitet fizike, pasi po i vinte koha zonjës Lipa.
Me kor prapa që ia mbante zhagin me melodi e këndime sa herë kjo mbeste pa frymë, një bend e një grumbull valltarësh, Dua performoi këngët më të famshme të saj dhe atë për një periudhë të dinjitetshme kohore, për elektrizimin e masës që po e shihnin një kosovare që dikur e shihje si çdokënd tjetër kafeve të Prishtinës, tash - pasi 'pushtoi' botën - në Parkun e Gërmisë. Inspiruese, apo jo?
Epo, po, dhe ajo po mundohet që ta potencojë sa më zëshëm që mundet. "Gjithçka është e mundur, vazhdoni ëndërroni", njejtë si në konferencë për shtyp, edhe në festival elaboroi në një narracion të tillë para mijëra të rinjve të tjerë.
“Dua vetëm të falënderoj të gjithë për ndihmën, energjinë dhe dashurinë që na jepni në këto ditë dhe mbështetjen për fondacionin që e kam shumë për zemër, ndjehem krenare që jam këtu, vëmendjen e kam patur vetëm të performanca, shpresoj që do të iu pëlqej e të kënaqemi, po ndihem shumë mirë që jam në shtëpinë time, në vendin tim,” u shpreh Lipa, pas shumë minutave pa thënë gjë.
Monologun e vazhdoi edhe për më gjatë duke folur shqip, para se ta kthente në anglisht edhe për ta kuptuar edhe ata që kishin udhëtuar nga vende të huaja - falenderime, shprehje e dashurisë ndaj njerëzve të Kosovës dhe përkrahje për bashkëpunëtorët e festivalit pasuan tutje.
Djersa e qullshme mbi trupin e Dua Lipës po vinte si rezultat i një pune të jashtëzakonshme në skenë, ku dukej se nuk kursente asgjë nga vetja për t'iu dhënë eksperiencën e plotë dëgjuesve e shikuesve.
Nata vazhdoi tutje por, unë me të përfunduar performancën Dua, u largova se kisha një rrugë të gjatë për të bërë deri te hyrja poshtë, ku mezi e gjeta disi një taksi. Taksitë me çmime prej 20-30 eurove për destinacione që në suaza normale kushtojnë 7-10 euro, ishin të zakonshme. Po flas për taksitë privat. Paqi fat të gjeni ndonjë të lirë këso të kompanive.