Një dromcë pejane: nga një fe në tjetrën - NACIONALE

Një dromcë pejane: nga një fe në tjetrën

1 muaj më parë

nga Col Mehmeti

Col Mehmeti

Shtatë vite para se të lajmërohej në histori Lidhja Shqiptare e Prizrenit, historiani dhe filologu serb Miloš Milojević (1840-1897) e ndërmori një udhëtim drejt Kosovës.

Ishte kjo thuaja ndërmarrja e parë e këtij lloji kur një studiues vendosi ta shihte nga afër atë që mësohej kombëtarisht në shkolla e universitet si Stara Srbija.

Në këto vite, ‘etërit’ e ndërgjegjës kombëtare serbe po përpiqeshin të rrënjosnin ndër njerëz koncepte të reja.

Në vitin 1818, Vuk Karadžić-i e botoi Fjalorin serb (Srpski rječnik), në përbërje të të cilit ishin 26,270 fjalë të shoqëruara edhe me shpjegime në gjermanisht dhe latinisht.

Në këtë botim nuk figuronte ndonjë hyrje si Stara Srbija, por kur doli në dritë botimi i ri, më 1852, aty për herë të parë u gjuhësua ky nocion që përfshinte “tokat e kombit tonë në anën tjetër të Malit të Vjetër”.

Nga njëri botim te tjetri, me 34 vjet në mes, ato qytete që dikur ishin truallizuar në Shqipëri, tani paraqiteshin si të vendndodhura në Serbi.

Kjo ishte atmosfera e përgjithshme e ideve kur Milojevićit iu shkrep të merrte udhën për në jug.

I gjithë ky udhëtim i tij zuri vend si vepër traveologjike në trevëllimëshin “Udhëpërshkrim nga e vërteta - Serbi e vjetër” (Putopisi dela prave - Stare Srbije).

Më 1871, Milojevići kaloi përskaj Patriarkanës së Pejës në udhën që çon drejt qytetit.

Siç e rrëfen në këtë udhëpërshkrim, në karvanin e tij ishte edhe një murg nga kisha si dhe disa shqiptarë të armatosur që i ruanin.

Sapo iu afrua mëhallave të para, karvani u sulmua me gurë nga kalamaj të qytetit.

Në të dyja anët e sokakëve, ata këndonin me të madhe sa vetë Milojevići e nxori një letër dhe, me ndihmën e një kallogjeri vendës, i mori fjalët në shënim.

Kënga e parë ngucakeqe ishte:

Поп, поп, трнкоп,

Ме зинцир, Ме коноп,

Иња диња, Поп свиња.

Pop, pop, tërnakop,

me zinxhir, me konop,

inja dinja, Pop Svinja.

E kjo pasohej nga kënga tjetër therrëse:

Шка, шка, попрда,

Морен нанен, Ћит ка,

Мерен шка, Вирени бир,

Вар ух пут,

Шкја ора мут.

Shka, shka, popërda,

mjerë nana qit ka,

mjer-i shka, vjerrne n’birë,

bari u kput,

shkau ra në m**.

Të dyja këto pjesë sigurisht se nuk u përcollën mirë ortografikisht nga ana e autorit i cili nuk e njihte mirë shqipen dhe varej për shumëçka nga shoqëruesit.

Por, gjuhësisht, këto vargje janë mjaft domethënëse.

Idioma vendëse del tejet e sllavizuar dhe krijimet popullorçe shpesh shërbeheshin me sintagma formulaike siç ishte rima “inja-dinja, pop (je) svinja”.

Peja më 1926, një shkrepje e bërë nga fotografi gjerman, Kurt Hielscher.

Si duhet lexuar ky kontekst kulturor në Pejën e viteve 1870?

Ajo që duket e vërtetdukshme është se në ato vite po përvijohej një demarkacion i madh etnik, gjuhësor e fetar.

Tani po bëhej gati një qindvjetësh prejse shqiptarët vendës e kishin braktisur ortodoksinë.

Brenda një shekulli përthekohen katër breza nëse e llogarisim një brez me 25 vjet.

Nëse në dy brezat e parë të konvertëve ka atashim minimal në fenë e re, në dy brezat pasues besimi i ri fillon të bëhet përkatësi.

Kjo është arsyeja pse tani njerëzit e Kishës së Pejës – e cila fundja mbrohej nga Rugova – shiheshin me përçmim të plotë në popull.

Pop je svinja” (Popi është derr), thuhej edhe nga kalamajtë shqiptarë.

Në këtë ‘verdikt’ lexohej një stereotip shekullor.

Jo më kot thuhet se stereotipi gjithmonë e ka një arsye pas vete dhe gjithmonë e shkruan vetëveten.

Kishat ortodokse në Kosovë, edhe kur hynë nën dëgjesën e Kostandinopojës më 1766, krijuan krupë të përgjithshme me kulturën e korrupsionit dhe allishverisheve.

Patriarkana e Pejës, njësoj si edhe Kisha e Deçanit, thuajse kishin ngelur pa grigja të vetat dhe të vetmit që i popullonin ato ishin kallogjerët e murgjërit që tashmë e kishin krijuar imazhin e njerëzve batakçi.

Kjo frymë sinistre përforcohej edhe nga fakti se shumë prej tyre mbanin lidhje me Malin e Zi dhe konsullin rus në Prizren. /Nacionale/

Lajme të ngjashme