“Mos ke Majlinda patëm me fitu Olimpiadën e Vrasjeve” - çka flitet në autobusët Prishtinë-Pejë
- Shkrimi i parë nga seria e reportazheve nga autobusët, mbi krizën e naftës që po mbingarkon autobusët
- Shkrimi i dytë nga linja e autobusëve Prishtinë-Gjakovë
- Shkrimi i tretë nga linja e autobusëve Prishtinë-Drenas-Skenderaj
- Shkrimi i katërt nga linja e autobusëve Prishtinë-Klinë-Istog
Udhëtimi me autobusët e linjave Prishtinë-Pejë është një eksperiencë që dallon prej linjave të tjera. Brenda në autobus mund të takosh studentë që krenohen me Faruk Begollin, badihavgji që krenohen me “të fortit e Pejës” ose thjesht që të flasin për “Bjeshkët e Rugovës” por të gjithë ata krenohen me Majlinda Kelmendin, xhudisten më të njohur në botë, që vjen nga Peja. Ky është shkrimi në të cilin përshkruhet udhëtimi dhe llafet me pejont në linjat e autobusëve Prishtinë-Pejë.
“Foret me zorragji dhe karakteri pejon”
Për nja 5-6 vite më ka rënë që të udhëtoj e të qëndrojë në Pejë për më shumë se një javë, kur në këtë qytet mbahet festivali i filmit të animuar “Anibar”. Sivjet ky festival do të mbahet nga 13 deri me 19 korrik. Por pak pejon janë të interesuar për këtë festival edhe pse në industrinë e filmit të animuar, po gëzon çdo vit e më shumë respekt dhe famë.
“Jo bre ai është festival i zorragjive të Prishtinës”, thotë Jetoni një 30 vjeçar nga Peja, kur më pyeti për çfarë arsye kam qenë ndonjëherë në Pejë.
“Krejt do qesi kullera të Prishtinës vijnë aty, s’po çuditna që je kon edhe ti”, vazhdon ai duke insistuar në narrativën e tij për festivalin dhe vizitorët e tij. E vërej këtë tendencë, dhe nuk dua ta vazhdojë më këtë lloj debati. Por me pejon, është pak e vështirë që të flasësh për të tjerët, pa përdorur doza cinizmi, sidomos për prishtinali.
Por një udhëtare që e takova në autobus që jeton moti në Prishtinë por me prejardhje nga Peja, thotë se ka një përshkrim për këtë cinizëm të pejanëve për prishtinali.
“Mu më duket se disa pejon janë indifferent ndaj prishtinalive. Se prishtinalitë janë pak ma të hapur ndërsa pejont janë pak hala me idenë e të fortit”, thotë Rita, 26 vjeçare. Ajo thotë se shkon në Pejë vetëm për shkak të natyrës së mrekullueshme që ka. “Mos me kon Rugova nuk besoj që isha kthy në Pejë”, thotë ajo.
Kur një tjetër pejon, në moshë pak më të vjetër e takoj në një udhëtim tjetër, ai më flet për atë se pse pejont janë më të mirë se prishtinalitë, por në fakt e konfirmon atë që më tha Rita.
“Na pejont jaro jena burra, kena fjalën e burrit edhe besën,në Prishtinë krejt janë interesgji”, thotë Fitimi një 35 vjeçar. Interesa të ndryshme, ndër më të ulëta sikurse “Kanuni” kanë qenë arsyetimet pse Peja, për një kohë të gjatë e ka pasur edhe imazhin e një qyteti ku njerëzit vritet ende për hakmarrje.
“Ishalla harrohen Kelmendët e Elshant”
Peja gjithmonë ka qenë një vend problematik sa i përket natyrës së egeër por edhe vrasjeve të egra që kanë ndodhur aty. Pejanët për vite kanë qenë të tronditur nga vrasjet e njohura si “hakmarrja mes familjeve Kelmendi dhe Elshani”. Në natën e parafundit të vitit 2018 u tentua të vritet mashkulli i fundit i familjes Kelmendi, në Pejë. Nga 24 vrasje dhe 38 sulme në mes të familjeve Elshani dhe Kelmendi, ndodhi edhe sulmi i 39-të pikërisht 10 ditë kur rasti i Granit Elshanit u kthye në rigjykim nga Gjykata e Apelit. Për Agimin, 43 vjeçar, kjo seri e vrasjeve ka qenë për vite damka kryesore e këtij qyteti.
“Shyqyr që dul Majlinda Kelmendi e fitoi medalje olimpike në xhudo se nëse vazhdojshim me Kelmendët dhe Elshanët patëm me fitu Olimpiadën e Vrasjeve”, thotë Agimi, me profesion inxhinier që punon mes Prishtinës dhe Pejës. Ai madje edhe flet për ironinë e mbiemrit të xhudistes dhe familjes së përfshirë në hakmarrje me gjak.
“Nuk kanë kurgjo mes vete, mos gabo me shkru najsen me i lidh se s’kanë kurgjo mes vete”, thotë ai. Normalisht që unë se kam pasur në plan ta bëjë një lidhje të tillë, por për shkak të mënyrës jashtëzakonisht insistuese të tijin për ta veçuar këtë detaj, e përfshiva në tekst.
Një tjetër udhëtarë që takova, pensionist nga Peja, me emrin Bajramm, muhabeti ishte befasues. bie jo edhe shpesh të udhëtoj me autobus, por thotë se ka vërejtur që viteve të fundit, rinia e Pejës ka ndryshuar me të madhe.
“Unë vetëm shpresoj që ky trend nuk do të ndalet dhe rinia e Pejës ta kthej qytetin në pozitën ku e kemi pasur: një qytet të pasur me kulturë, një qytet me teatër e kinema, edhe pse kino është kthyer tash së voni, ama një qytet sikur e kishte bërë të njohur Faruk Begolli”, thotë Bajrami 68 vjeçar.
Ai nuk kursen as kritikat për gazetarinë në Kosovë. “Valla është marre që nuk kena ma gazeta në letër. Krejt në telefona tu lexu lajme”, thotë Bajrami.
Teksa një ditë po bëhesha gati të zbres në stacionin e fshatit Orllat, dhe po flisja me një pejon, ai më tha diçka që ishte inspiruar nga llafi im me të tjerë udhëtar.
“Mos harro me përmend që Dua Lipa është e Pejës”, thotë djaloshi që dukej se ishte adoloshent. Por në fakt, vet Dua Lipa nuk e përmend që është nga Peja. Më shumë e përmend Prishtinën.