“Kena me lyp Hashimin, ama deri të kthehet krejt Drenica në Fushë Kosovë ” - çka flitet në autobusët Prishtinë-Drenas-Skenderaj - NACIONALE

“Kena me lyp Hashimin, ama deri të kthehet krejt Drenica në Fushë Kosovë ” - çka flitet në autobusët Prishtinë-Drenas-Skenderaj

1 vit më parë

nga Vullnet Krasniqi

Dilema se me çka t’ia nisi këtij shkrimi, i treti nga seria e shkrimeve që po bëjë si tentim për të skanuar një realitet jashtë Prishtinës burokratike dhe ku është i përqëndruar debati publik, nuk ishte e komplikuar.

Në linjat e autobusëve Prishtinë-Drenas-Skenderaj dhe anasjelletas ka shumë politikë dhe fake news. Egziston njëfarë histerie kur vjen puna tek politika, që me shumë udhëtarë të kësaj linje, me të cilët kam bërë muhabet, e kanë të ndjellur kryesisht nga rrjetet sociale dhe debatet televizive.

“Unë nganjëherë ndjehem edhe sikur po na përdorin shumë”, thotë Egzoni nga Drenasi, punëtorë në një kompani të telefonisë në Kosovë.

Më bëri shumë përshtypje një qasje e tillë e këtij udhëtari, me të cilin teksa po flisja e po i tregoja për idenë e shkrimeve nga udhëtimet me autobusë. Ai nuk përtoi me ma sqaru edhe më tej.

Shumë politikanë nga ana jonë, të cilët e kanë pasë rastin me bo dicka për Drenicë, tash që janë në opozitë, po e përdorin Drenicën për të akuzu Qeverinë. Po më pengon sepse edhe kanë të drejtë edhe janë fajtor”, tha Egzoni.

Nëse, edhe pas këtij shpjegimi nuk po e kuptoni Egzonin atëherë qe edhe një sqarim nga unë (drenicak jam edhe unë ): Qeverisja e re Kurti II ka ardhur në pushtet edhe për shkak të një narrative e cila ka qenë e bazuar mbi përqeshjen e paaftësisë së politikanëve nga Drenica për të qeverisur, dhe kjo ka shkaktuar edhe një injorim të kërkesave të drenicakëve nga Qeveria e re.

Ende s’po e kuptoni? Lexojeni tekstin se çka thonë gjakovarët për këtë punë:"Shpëtuam prej drenicakëve, ama Gjakova po zbrazet" - çka flitet në autobusët Prishtinë-Gjakovë.

“Shumë fake nes për ta diskutuar realitetin”

Një gjë që kam vërejtur nëpër udhëtimet e mia të përditshme me autobusë që 4 muaj, është se shumë kosovarë, e sidomos ata të rajonit të Drenicës, po lexojnë e po informohen çdo ditë e më shumë nga kanale të caktuara jo të decentralizuara të informimit.

Dëgjojnë dhe i besojnë disa analistëve të caktuar. Kësisoj i besojnë çdo ditë e më shumë një të vërtete të caktuar. Ndërsa “të vërtetat” e tjera janë krijime dashakeqe ndaj tyre. Kësisoj për shumë udhëtarë drenicas që janë të papunë, e me shumë halle, realiteti kosovar nuk është aspak i mirë. Madje pak panikues.

Ganiun, një 57 vjeçar nga një fshat i Skenderajt e takova në një mëngjes teksa unë po udhëtoja për punë e ai po shkonte për në “spital të Prishtinës” siç i thoshte ai, që bëhet fjalë për QKUK-në në Prishtinë. Atij i duhet që për shumicën e analizave mjeksore të shkoj në Prishtinë, por politika megjithatë mbetet kryetema e muhabetit më të.

Hiq s’a ndryshu, kurgjo ska ndryshu. Pasha një zot kena me lyp Hashimin, maje në mend qa po të thom”, më thot Ganiu, në një pyetje timen të thjeshtë: “qysh po të doket Qeveria e Kurtit?

Si Ganiu mendojnë edhe shumë të tjerë, të cilët i kam takuar. Rreth moshës 40-60 vjeçare. Ata janë të mbingarkuar me lajmet për liderët e UÇK-së në Hagë, me lajme sesi Qeveria e Albin Kurtit është pak anti-UÇK, e shajnë nga pak Donika Gërvallen dhe mbi të gjitha janë të revoluar edhe për veteranë.

Të gjitha këto, tema të cilat janë përtypur e stërfolur këtë vitin e fundit në debatin mbi Qeverinë e re. Më së shumti, ndikohen nga llafet që dëgjojnë nëpër debatet politike të cilat e stërngarkojnë programin “prime time” nëpër televizionet tona.

Occupy Fushë Kosova”

Një numër i madh i udhëtarëve në linjat e autobusëve Prishtinë - Drenas - Skenderaj janë studentë ose që punojnë në ndonjë zyrë burokratike. Dhe janë një grup tjetër më i madh që ndalen në Fushë Kosovë. Vërehet qartë një trend i jashtëzakonshëm i emigrimit të drenicakëve sidomos nga fshatrat e Drenasit në Fushë Kosovë.

Vetëm në fshatin tim, kanë emigruar gati gjysma e tyre për në Fushë Kosovë. Kësisoj në këto linja të autobusëve është fare e zakonshme që të takosh udhëtarë të cilët tashmë janë banorë të Fushë Kosovës.

Albina, një 25 vjeçarë është njëra nga to që takova në një pasdite teksa po kthehesha për nga puna në fshat. Ajo qëlloi të më njihte. I kishte bërë përshtypje, vendimi im që të kthehem në fshat pas 12 viteve qëndrimi në Prishtinë.

“Allahile qysh ja qite lapsin” më pyet ajo. . Për të, dhe shumë të gjeneratës sime (jam 33 vjecar) blerja e një banese, ose emigrimi në Fushë Kosovë është goxha sukses. Egziston një bindje e thellë tek shumica që “qëndrimi në fshat është vendim i keq”. Për shumë arsye.

Disa edhe kanë të drejtë. Ata që duan të krijojnë familje dhe janë më fëmijë të cilët duhet ta kenë më të qasshëm edukimin dhe të tjera shërbime të nevojshme, qëndrimi në një fshat nuk është i leverdishëm. Afërsia mes qyteteve, për shembull Drenas-Fushë Kosovë tashmë është 15 minuta me veturë, ama shumica e prindërve tashmë punojnë dhe t’i lënë fëmijët e tyre 8 orë në fshat, nuk është kalkulim i mençur.

Kësisoj edhe llafet me shumë prej tyre, për të kërkuar arsye të tjera të emigrimit, janë të kota.

Kur Albertin, një tjetër drenicak rreth të 30-ve, kur vendosi ta pyes se çka mendon për deklaratën e Ganiut se drenicakët e shumë kosovar “do ta kërkojnë Hashimin” ai e thotë me humor edhe fjalinë me të vërtetën absolute “do ta lypim Hashimin, por deri të kthehet ai kam frikë se krejt Drenica do të emigroj në Prishtinë, e kena me pas halle të prishtinalive”.

Së shpejti: reportazhe dhe biseda me udhëtarë të linajve të autobusëve nga Prishtina në Pejë, Istog, Malishëve, Klinë e Rahovec.

Lajme të ngjashme