“Bideni i Klinës dhe fantazma e Rugovës” - Çka flitet në autobusët Prishtinë-Klinë-Istog - NACIONALE

“Bideni i Klinës dhe fantazma e Rugovës” - Çka flitet në autobusët Prishtinë-Klinë-Istog

1 vit më parë

nga Vullnet Krasniqi

Në asnjë linjë tjetër të autobusëve ndër urban në Kosovë nuk ka përzierje më të madhe të njerëzve dhe llafeve sesa në autobusët e linjave “Prishtinë-Klinë-Istog-Vrellë” që në zhargonin e autobusëve njihet me termin “as me sheher as me Barilevë”. Lidhja bëhet për shkak se udhëtarët e këtyre autobusëve nuk janë as taman të Dukagjinit e as të Rrafshit, as të Pejës e as të Gjakovës. Por kjo përzierje e udhëtarëve është mundësi fantastike për të nxjerrë një tekst të larmishëm. Sikur ky që do ta lexoni.

Shtëpia e bardhë me mure që po nxihen

Cilen gazetë ki me shkru kto”, më pyet Bajrami një banor i Klinës rreth të 50-ve, sapo ia nisi bisedës me të. “Në Nacionale, gazetën e re, qe 6 muj kena dalë”, ia kthej unë teksa tentoj të ia sqarojë në rast se nuk e ka idenë.

Për gazetën e ktij tonit a?”, ma kthen Bajrami, dhe unë e di që ai po aludon për Berat Buzhalën. Ia konfirmoj, duke mos dashur që të vazhdoj të flas për këtë temë, por Bajrami ka edhe diçka për të thënë: “Dreq osht ky i joni”. Nuk e kuptoj saktësisht për çka e ka fjalën e as që dua ta kuptojë pasi që fokusi im nuk është aty, dhe pak a shumë e kuptoj tendencen e shumë kosovarëve për të “folur për t’vet”, herë mirë e herë keq.

Unë e rikthej fokusin në bisedë duke e pyetur diçka në mënyrë më provokuese: a po punohet në Shtëpinë e Bardhë të Klinës?

A ja q**ve nanen me qet pyetje, ani shpia e bardhë e Klinës hahahah”, qeshet Bajrami.

Dreq koke edhe ti…”, vazhdon ai duke qeshur. Duke vazhduar me të njejtin humor e pyes “nëse po punon najsen Bideni i Klinës”, duke aluduar në kryetarin Zenun Elezaj që ka dy mandate si kryetar.

Aty në atë Shpinë e bardhë, ky Bideni i Klinës që po i thu ti, të bardha nuk janë ma as muret, ju ka nxi edhe fasada”, thotë Bajrami. “Ai Trumpi i Klinës, Bashota, bile ju bike do punëve rrap-tap. Ky tjetri, sen hiq, veç llafe”, thotë Bajrami.

Nuk kam nevojë që ta vazhdojë më tutje bisedën për të kuptuar se ai nuk është aspak i kënaqur me qeverisjen lokale në Klinë. Kjo paknaqësi ndaj qeverisjes lokale vërehet edhe tek shumë udhëtarë të tjerë të Klinës. Andaj me të tjerë udhëtarë sikur Besimi rreth të 40-ve nga një fshat i Klinës, llafin e vazhdoj për qeverisjen qendrore. Ai del të jetë një fans i Qeverisë së Albin Kurtin por pesimist se ajo mund të ndryshojë diçka, shpejt e shpejt.

Qyre se ju nashta se qitni se nuk jeni me Albinin ama pernime s’kena kërkan ma të mirë. Veç edhe ky se ka kërkon sikur vetja kështu që nuk ka far shpresa që ka me ndryshu”, thotë Besimi.

Egziston njëfar bindje false tek shumë qytetarë, udhëtarë që kam takuar në linjat e autobusëve nga qytete të ndryshme se mediat në Kosovë publikojnë gjëra që vetëm atyre iu konvenojnë dhe çdo gjë që publikojnë duhet t’ë ju shkojë për shtati mediave dhe jo të vërtetës. Normalisht që kjo nuk është e vërteta për shumicën e mediave dhe gazetarëve në Kosovë. E di këtë sepse punoj që 10 vite e më shumë në media dhe e vërteta për shumë gjëra në Kosovë ka dalë nga mediat. Por është e kotë që të vazhdojë debatin me udhëtarë, që tashmë kanë mendimin e tyre të përcaktuar, mbi rëndësinë e mediave. Kjo është tjetër temë, që kalon Klinën. Klinën e kaluam edhe me autobus, dhe udhëtarët nga ky qytet tashmë zbresin në stacionin e njohur si “te ura e Klinës”. Në autobusë kanë mbetur udhëtarët e Istogut.

“Eeeeh kur u kon Rugova gjallë…”

Nëse flet për politikë me “istogalitë” atëherë e ke të garantuar kthimin në kohë. Kthimin në kohën e Ibrahim Rugovës më saktësisht. Është interesante sesi fanatizmi i istogalive për Rugovën është shumë i shprehur sesa fanatizmi i drenicakëve për Hashim Thaçin. Për shumë udhëtarë nga Istogu dhe fshatrat për rreth, “prej që ka vdekë Rugova kurgjo në shtet nuk shkon mirë”.

Nuk ka lider tjetër që mundet me zëvëndësu. Këta të tjerët janë hajgare”, thotë Agimi, rreth të 60-ve. Ai është ish-punëtor i një fabrike e cila ka kohë që është privatizuar por ai ende ka probleme që të marrë “20 përqindëshin” e tij të premtuar nga privatizimi.

Po më duhet me shku këto kohë shpesh në Prishtinë se po thojnë ka mu mshel AKP-ja e po du me dit mos po mbes kërkah. Ama ata po thojnë që janë tu e mshel a knej po punojnë”, thotë Agimi. E ka fjalën për procesin e mbylljes së AKP-së një iniciativë e Qeverisë Kurti II për të mbyllur këtë agjenci dhe për “të shpëtuar Kosovën nga privatizimi i egër neo-liberal” qysh kanë pasur qejf ta quajnë VV-ja procesin e privatizimit. Kjo iniciativë është ende “on-going” teksa po shfrytëzohet për punësime partiake e familjare të Qeverisë së re.

Erëblinen, një studente 24 vjeçare, e takoj në një ditë tjetër teksa po udhëtoja nga Prishtina në Orllat, ndalesa ime e përditshme. Meqense koha nga Prishtinë në Orllat është shumë e kufizuar (20 minuta) edhe muhabetin tentoj ta bëjë me dinamik. Për Erëblinen, halli kryesor i kohëve të fundit në Kosovë janë “vizat” dhe njëfar ndjesie se “Istogu po harrohet shumë”.

Ndoshta pas disa vitesh, i vetmi sen që kanë me u majt mend kur të përmendet Istogu është Rugova dhe trofta. Troftat mund të zëvëndësohen sepse tash po ka gjithakh restorante me peshk, edhe sigurt del dikush që e tejkalon edhe Rugovën edhe Istogu mund të mbetet një qytezë e harruar”, thotë ajo. Sikur në shumë qytete të tjera, problemi i emigrimit të banorëve nga qyetet e vogla drejt atyre të mëdha, është në rritje. Shumë prej banorëve të Istogut përfundojnë duke emigruar në Pejë ose Gjakovë.

Shumë po dalin edhe në Prishtinë. Për shkak se qeshtu ka ardhë puna në Kosovë, veç në Prishtinë ndodhë diçka që ia vlenë me emigru”, thotë Agimi rreth të 30-ve nga Istogu. Ai banon me qera në Prishtinë, dhe udhëton një herë në javë për në Istog. Kur e pyes se si po “reagojnë mushkëritë” kur po e lënë Prishtinën dhe po vijnë në Istog për fundjavë, ai e kupton menjëherë idenë e pyetjes.

Marre më vjen prej trupit tem qa i boj me jetesën në Prishtinë. Edhe ftyra mu ka prish prej ndotjes. Në Istog krejt mushkëritë më hapen, por mushëkritë nuk janë gjëja kryesore e imja. Janë paratë me të cilat duhet me mbajt familjen”, thotë Agimi.

Për para, ose më mirë të themi, për një rrogë që është më e madhe në Prishtinë sesa në qytetet tjera, shumë njerëz të tjerë e bëjnë të njejtin veprim: i shkaktojnë mushkërive të tyre probleme të mëdha. Por fakti që shumë kosovarë duhet të vendosin mes një dileme të tillë, tregon shumë për gjendjen në të cilën janë ata. Një gjendje që duhet të ndryshojë. Urgjentisht.

Lajme të ngjashme