Kënga e Getinjos dhe Ana Kabashit është gjëja më e keqe që e kam dëgjuar gjatë tërë këtij muaji - NACIONALE

Kënga e Getinjos dhe Ana Kabashit është gjëja më e keqe që e kam dëgjuar gjatë tërë këtij muaji

3 vjet më parë

nga Burim Pacolli

Nuk është parë e dëgjuar ndonjë gjë më e dobët se "je e vetmja dashuri", nga Getinjo dhe Ana Kabashi, këtë muaj.

Kënga vjen me një storie prapa, pasi ka zanafillë nga "Big Brother Vip Kosova", ku dy autorët kanë qenë konkurrentë, para se njëri të eleminohej e tjetri të largohej me vetëdëshirë.

Të dalë nga shtëpia, dhe duke përfituar nga ndërtimi i një marrëdhënieje brenda saj, dyshja publikoi këngën e krijuar në studio profesionale, por jo që do ta vërenit shumë për nga përmbajtja dhe ndjesia që përcjellë me të dëgjuar.

Ke përshtypjen se fillimisht kanë qenë dy këngë të ndara, që pastaj janë bashkuar. Pjesa e Anës thjesht nuk shkon. Është e vështirë ta ilustrosh me fjalë realisht cili element i paraqitjes së saj vokale e katandisë punën, pasi duket se gjithçka dhe çdo gjë që ka të bëjë me të nuk është në rregull. Si të hash një picë me përbërës që nuk i shkojnë, që pastaj të lë të hutuar e të vështirë ta përshkruash eksperiencën.

Performancën vokale të Anës e kam të vështirë ta përcaktoj, folk, pop, R&B? Nuk e di...

Thjesht tingëllon çuditshëm dhe jo në kuptimin pozitiv, andaj është larg gjëja më e keqe që kam dëgjuar në shqip gjatë muajit shkurt.

"Je e vetmja dashuri, zemrën ma more vetëm ti.

"Edhe pse shumë m'ke lëndu, pa ty s'mundem me jetu", është refreni i këngës, i cili interpretohet dy herë, përcjellur me pamje qartazi të inspiruara nga "Love the way you lie" para 12 viteve.

Pjesa e Getit, të paktën për veshin tim, tingëllon paksa më normale:

"A jena, a s'jena?

"A jena mirë, a jena keq?

"Po sillna mirë, ti sillësh bad (keq)

"Ku je qitash, me kon je n'krevet"

Thotë ai në një performancë me përmbajtje mediokër, e që ndoshta nuk do ta gjente veten pjesë të këtij artikulli po të mos ishte për Anën.

"Okej.... Po ta bëj pyetjen e njëjtë

"Me kon prom ti ke flejtë

"Amo s'po du me m'rrejtë"

Si një veturë që e ka humbur kontrollin dhe ecën në cep, vazhdimisht duke rrezikuar të përfundojë në fund të greminës - gjithçka që ka të bëjë me Anën në këtë këngë është vështirë e pëlqyeshme.

Ke përshtypjen se teksti i refrenit është gjetur në revistën “Zog Mëngjesi” – sa herë që e dëgjon shkon duke u bërë më keq.

Oh, dhe ajo pjesa kur thotë: “S’ki nevojë me m’bo filma, mos m’shkruj po hajde rrina…” thjesht sa më pak që flas për këtë, më mirë do të ishte për ta kursyer veten nga sikleti i përbrendshëm.

Aventurat e Anës me zgjatje zanoresh e gjej jashtëzakonisht të vështirë t’i dëgjoj. Imagjinoni një mace duke u munduar të këndojë opera, derisa është duke u ngulfatur. Nuk e di nëse është kjo mënyra e duhur si është dashur të prezantohej ajo pas një momenti vëmendjeje në “Big Brother”, mundësi të cilën ka mundur ta shfrytëzonte shumë më mirë, mirëpo, kjo këngë padyshim mbetet gjëja më e keqe që kam dëgjuar gjatë tërë muajit.

Lajme të ngjashme