Fero reagon pas lirimit nga paraburgimi: Aludon në njëanshmëri të ligjit, ka ca fjalë për Berat Buzhalën - NACIONALE

Fero reagon pas lirimit nga paraburgimi: Aludon në njëanshmëri të ligjit, ka ca fjalë për Berat Buzhalën

3 vjet më parë

nga Burim Pacolli

Feronit Shabani, a.k.a Fero, hip-hop artist, ka reaguar pas lirimit nga paraburgimi të martën, duke aluduar në trajtim jo të barabartë para ligjit.

Por, Fero ka përmendur Berat Buzhalën në lidhjen direkte në TikTok me personalitetin e njohur të kësaj platforme, Kozak Brace.

“Ankesa” e Feros

Fero u lirua nga paraburgimi të martën, pasi ishte arrestuar në korrik për shkak të një sulmi ndaj disa të rinjve në Gjilan, me pamjet nga sulmi që i publikoi ekskluzivisht Nacionale.

Pas publikimit të këtyre pamjeve, policia filloi hetimet dhe arrestoi Shabanin, derisa Gjykata i shqiptoi masën prej një muaji paraburgim.

Sidoqoftë, të martën i njëjti u lirua, dhe të mërkurën u kyç në një TikTok direkt me Bracen, ku zbuloi ndjenjat e tij rreth krejt ngjarjes.

"Qajo çka m'ka ndodhë mu, që jom futë n'burg, unë s'kom dalë me i ra njerit, a po kupton... përkundrazi, ti e di Kozak, nëse një njeri m'respekton mu, unë e respektoj dhjetë herë më shumë. Po, 'të barabartë me ligjin' [e thotë me ironi]", thotë fillimisht ai.

"Pse s'po shkon me folë për ata njerëz që kanë vepra me vendim të rona, i majnë një muaj burg, e unë i maj një muaj burg për raport mjekësor."

Tutje, ai pati edhe ca fjalë për gazetarin e Nacionales, Buzhala.

"Berat Buzhala. S'un t'ka bo as Hashim Thaçi t'famshëm, as Albin Kurti t'famshëm, unë sonte t'bona t'famshëm Berat Buzhala", tha Fero paksa i nervozuar.

@blitzz.97 të barabart me ligjin🤣🤣 #fyp #bl1tz #bl1tzbaba #foryou #donzi #donzigaming #fero #kozakbraci1 #megalluks #xoxa_here #allesbaba #tiktok #albani #funny #kosovo #macedonia ♬ original sound - BLITZ⚡️

Avokati flet pas lirimit të reperit nga paraburgimi

Shabani u lirua nga paraburgimi nga Gjykata e Gjilanit, më 16 gusht.

Nacionale ka mësuar nga burimet e veta, që reperi është liruar me aktvendim, pasi i njëjti e kishte pranuar fajësinë.

Avokati i tij, Ilir Shaqiri, e ka konfirmuar për Nacionalen lirimin e klientit të tij.

“Iu ka shkëputë masa e paraburgimit, dhe sot lirohet. Pasi është mbajtur seanca fillestare, e ka pranuar fajësinë, iu ka ndërpre masa e paraburgimit, ndërsa gjykimi për dënim do të mbahet pas disa ditësh”, ka thënë Shaqiri.

“Atij i vjen keq, e kanë arritë marrëveshjen me familjen, i vjen keq për rastin, janë pajtuar me palën e dëmtuar. Gjithçka është në rregull”, tha më tutje ai.

“Kanë pasur marrëveshje me shkrim te noteri, që janë pajtuar dhe nuk ka probleme”, përfundoi avokati Ilir Shaqiri.

Feros i ishte caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, në lidhje me sulmin ndaj disa të rinjve në qytetin e Gjilanit.

“Dissi” i Unikkatilit

Ish-avokati i Feros, Egzon Halimi, kishte potencuar më herët se për shkak të dissit të Unikkatilit, të cilin viktimat e kishin lëshuar me zë të lartë në prani të tij, erdhi deri te rrahja.

"Ai (Fero) e ka pasë ni nejë me do fëmijë, para banesës së vet, edhe do djem të rinj kanë shku aty e kanë fy, e kanë sha, por ky nuk ka reagu. Herën tjetër kur janë kthy (viktimat) e kanë lëshu një kangë të Unikkatilit, ku ai po e ofendojka diçka këta (Feron). Atë kangë e kanë lëshu me zë të lartë, Fero u nervozu edhe u shku i ka sulmu në afekt."

Tutje, Halimi zbulon se i dyshuari nuk i ka njohur fare viktimat më herët dhe gjithçka ka qenë spontane.

Sidoqoftë, i njëjti ka thënë se bëhet fjalë për tre persona që kanë qenë në veturë në kohën e aksidentit, ndryshe nga Kryeprokurori i Gjilanit që aludon në dy persona.

Kryeprokurori i Gjilanit, Arben Kadriu, për Nacionale ka përmendur vetëm dy viktima me inicialet E.E. dhe L.E., ndërsa ka thënë se ende nuk dihet kur do të mbahet seanca për caktimin e masës, por që dihet se kjo do të ndodhë brenda 48 orëve.

Lajme të ngjashme