Qe edhe dy fjalë për Ukrainën, Kosovën, Serbinë e Rusinë - NACIONALE

Qe edhe dy fjalë për Ukrainën, Kosovën, Serbinë e Rusinë

1 orë më parë

nga NACIONALE

Para nja 3-4 vjetësh, Petrit Selimi pati shkruar në Twitter se Serbia po i shiste armë Ukrainës, tinëz Rusisë.

Meqë këta amaterët e Qeverisë së Kosovës e kishin ndërtuar në kokën e tyre një film autobiografik, me motive lufte, ku Albin Kurti ishte protagonist, e Zelenski pothuajse në rol dytësor, iu patën turrur Petritit.

I thoshin se po përpiqej ta paraqiste Serbinë si anti-ruse. Sepse, sipas doktrinës ushtarake të Vudi Xhimshitit, Donika Gërvallës e Xhelal Sveçlës, anti-rusi kryesor në botë është Albini, pastaj Zelenski, e mandeeeej, ndoshta, Amerika.

Ndërkohë, për tregtinë e armëve serbe në drejtim të Ukrainës raportoi edhe Financial Times. Serbia kishte armë dhe municion të modelit sovjetik, pikërisht të llojit për të cilin Ukraina kishte nevojë.

Ky zhvillim ua prishte skenarin e filmit amaterëve të Kurtit.

Prandaj duhej mohuar realiteti dhe duhej ruajtur me çdo kusht miti i binomit historik Kurti–Zelenski, si boshti më i rëndësishëm anti-rus në planet.

Veçse harronin një detaj të vogël: me Rusinë po luftonin ukrainasit. Ukrainën po e mbante në këmbë, para së gjithash, Amerika dhe aleatët e saj. Dhe Amerika, përmes ambasadorit të atëhershëm në Beograd, Christopher Hill, po përpiqej ta tërhiqte Serbinë sa më shumë në anën e Ukrainës dhe, rrjedhimisht, ta largonte sa më shumë nga Rusia.

Ndikimi rus në Serbi është masiv. Pikërisht për këtë arsye, çdo centimetër që Serbia largohet nga Moska ka rëndësi strategjike për Perëndimin.

Madje, ekziston bindja se Rusia ka interes t’i mbajë presionin Vuçiqit edhe përmes trazirave të brendshme, pikërisht për t’ia ngushtuar hapësirën e manovrimit drejt Perëndimit.

Kjo nuk e bën Vuçiqin demokrat. As nuk e bën domosdoshmërisht pro-perëndimor.

E bën lojtar të shkathët politik.

Dhe këtu është dallimi me këtë cungun tonë, i cili prej bashkësisë ndërkombëtare vazhdon të ketë marrëdhënie të mira kryesisht me Izet Mexhitin dhe Hristijan Mickoskin — pra, me Maqedoninë e Veriut.

Serbia ende nuk ka arritur të dalë prej kthetrave të Rusisë. Ndoshta as nuk dëshiron të dalë plotësisht. Por, ndërkohë, përpiqet t’i thithë dy dele.

Ky i yni, delen e vetme që e thith është Izet Mexhiti.

Sepse politika dhe diplomacia nuk bëhen qysh don ti. Nuk bëhen brenda natës. Nuk bëhen as me do drita që i ndez në objektin e Qeverisë, kinse me ngjyrat e flamurit të Ukrainës.

Politika e jashtme është interes, marrëdhënie, durim dhe aftësi për ta futur vendin tënd në ekuacionet e të tjerëve.

Dhe, në fund, lufta në Ukrainë e ka bërë një ndarje shumë të thjeshtë: kush e ndihmon Ukrainën, objektivisht e dobëson Rusinë; kush punon kundër mbështetjes për Ukrainën, objektivisht i ndihmon Rusisë — drejtpërdrejt ose tërthorazi.

Pikërisht këtu është ironia.

Derisa në Prishtinë luhej filmi se kush është më anti-rus, në Beograd bëhej politikë.

Ne i ndeznim dritat për Ukrainën.

Serbia i çonte armët.

Lajme të ngjashme