Dizajneri zbulon kombinimet ‘kriminale’ të veshjeve nga kosovarët - si më bëri Berlini të reflektoja mbi modën
Në botën e modës unikja del të jetë sunduesja, por mos të harrojmë edhe shakanë e bluzave fallco me një print "Balenciaga" të vendosur në mënyrë të shëmtuar përpara, të cilat gjejnë përfaqësim dinjitoz në popullatë.
Për mua personalisht, moda gjithmonë ka qenë një lloj praktike me një filozofi prapa që ndërlidhet dukshëm me mënyrën si dua të përceptohem nga të tjerët.
Të kesh ndjesinë se po dukesh flutur derisa ecën në një hapësirë të mbipopulluar nga njerëzit, me një palë "stacked" xhinse, një pallto të gjërë dhe "patika" të freskëta bilur, është e pamundur ta mohojmë se na shton një dozë vetëvlerësimi, pavarësisht se për disa nga ju veshja mund të mos jetë aq e rëndësishme dhe mund të keni pikëpamje krejtësisht ndryshe për gjërat materiale.
Në anën tjetër, të veshurit keq mund të ketë efektin e kundërt, derisa nuk është se ndodh rrallë të ndikojë në gjykimin e tjerëve dhe mundësitë që ata mund të ofrojnë për ne, për shkak të veshjes tone nonshalante në takim të parë.
Një prej kujtimeve më të freskëta që i kam nga shkolla e mesme janë një palë "Yeezy Louis Vuitton Jasper", të cilat - kur i mbathja e i bartja - më jepnin superfuqi sa i përket shtimit të vetëbesimit dhe mënyrës si funksionoja në raport me të tjerët gjatë ditës.
Me pak fjalë, mënyra si vishemi mund të ketë influencë direkte në emocionet tona.
Rrëshqitni djathtas për të parë koleksionin me veshjet e dizajnuara nga Dema
Për Visar Demën, dizajner rrobash dhe themelues i "Dardalfabet"-it (alfabet i krijuar duke përdorur simbole të moçme ilire) - shikoni disa xhaketa e të veshura absolutisht flutur më lart të tij - të veshurit keq nuk ka arsyetim.
Qe çka më tha Dema kur e pyeta cili është gabimi më i madh që e bëjmë në përzgjedhjen e veshjeve.
"Diqysh puna e veshjes është çështje shijesh, por mendoj se gabimin më të madh e bëjnë butiqet, pasi ka shumë që shesin brende fallco. Shembull, 'Balenciaga' krijon shumë gjëra me stil, e njerëzit e marrin veç një bluzë të zezë, super bazike, që shkrunë 'Balenciaga' n'mes edhe osht fallco edhe duket tmerr".
Sipas Demës, fajin kryesor e bartin butiqet që shesin imitime të brendeve të njohura.
Tutje, sa për të nënvizuar vizualisht veshjet e këqija, ai më dërgoi foton e kësaj xhakete duke e përshkruar si "seni ma i keq që i ka ndodh botës së modës".

"Mendoj se gabimi më i madh është se njerëzit veshin farmerka pa shije edhe mendojnë se shkojnë me gjithçka. Për më tepër, brendet 'Nike' dhe 'Adidas' janë goxha të çala".
Kur jemi te “Nike” e “Adidas”, duhet të them se disa muaj më parë bëra një udhëtim në Berlin duke menduar se do lija nam me xhaketën time “New Balance” dhe të mbathurat “Nike”, por më lejoni t'ju them, po ndjeja një barrë të madhe zhgënjimi kur kuptova se Berlini, si një nga qendrat e Evropës, kishte ecur tutje nga këto brende.
Njerëzit në kryeqytetin gjerman, ata që dukeshin flutur të paktën, po e kallnin lojën e modës me zgjedhjet e tyre, si çizme dhe rroba të veçanta, me ngjyra të errëta, që dukeshin të thjeshta në pamje të parë, por linin përshtypje për hapje sysh në pamjen e tyre të përgjithshme. U desh të bëja shoping të paplanifikuar pasi nuk mund ta pranoja inferioritetin, burrë. Berlini në një nivel krejt tjetër.
Në fund të fundit, duket se gabimi më i madh që bëjmë kur përzgjedhim rrobat është se harrojmë faktin se ajo që veshim na përfaqëson neve dhe, deri diku, personalitetin tonë. Në kërkim opsionesh për copëzën pëfundimtare si ta mbyllja këtë artikull, mu kujtua thënia e dizajnerit të ndjerë, Oscar De La Renta: "Moda ka të bëjë me veshjen sipas asaj që është në modë. Stili ka të bëjë më shumë me të qenurit vetvetja."







