Armenët, pakica e panjohur e Shqipërisë - NACIONALE

Armenët, pakica e panjohur e Shqipërisë

8 muaj më parë

nga Col Mehmeti

The Armenian Mirror-Spectator*

Për pjesën më të madhe të historisë së tyre bashkëkohore, shqiptarët i kanë ngatërruar armenët me hebrenjtë, ose anasjelltas. Kjo nuk është fort e habitshme, meqë të dyja pakicat i kanë të përbashkëta kaq shumë gjëra.

Ngatërrimin e shton edhe termi ‘Albania e Kaukazit’ – emër ky i një shteti të qëmoçëm në Kaukaz, kryesisht në atë që tani është Azerbaixhan. Ai lulëzoi mes shekullit të dytë para erës sonë e deri në shekullin e tetë, por nuk ka asfarë lidhje gjeografike apo çfaredo me Shqipërinë e sotme.

Duke filluar nga fundvitet 1800, si armenët ashtu edhe hebrenjtë nisën të vinin në këtë vendth të Ballkanit, ndanë Detit Adriatik, për t’iu shpëtuar përndjekjeve. Të dyja etnicitetet i jepnin përparësi të lartë arsimimit, nxjerrjes së mjekëve, dentistëve dhe intelektualëve fare shpërpjeshtimisht me numrin e tyre. Dhe përgjatë gjithë viteve të gjata e të errëta të komunizmit, të dyja grupet u përfytën me izolimin dhe asimilimin.

Në fillim të 1991-s, kur regjimi marksist po bëhej copë e grimë, thuajse të gjithë hebrenjtë e Shqipërisë ikën për në Izrael. Kjo i la nja 300 e diçka armenë si pakicën më të vogël, e mbase më pak të njohur, në Shqipëri.

Ç’prej atëherë, kur për herë të parë për gjysmë shekulli shqiptarët qenë të lirë për t’u larguar nga vendi, komuniteti është pakësuar mbase deri në 100 frymë.

Pas Gjenocidit Armen, që filloi më 1915, si nja 20 deri në 30 familje armene u vendosën në Shqipëri, duke iu bashkuar atyre që tashmë ishin aty. Shumë syresh u vendosën në Tiranë, anipse disa përfunduan edhe në Durrës e Vlorë, ku qenë vendosur pjesa më e madhe e hebrenjve. Njësoj si hebrenjtë, edhe armenët u bënë mjekë, dentistë, biologë, ekonomistë e llogaritarë dhe kryesisht qëndruan larg politikës.

Gjatë sundimit të Mbretit Zog në vitet ’20 dhe ’30, komuniteti lulëzoi, dhe disa prej armenëve u bënë të pasur. Një prej më të shquarve prej tyre ishte Mokini Poturljan, mjeku personal i mbretit. Në Luftën e Dytë Botërore, armenët luftuan trimërisht, duke fituar mirënjohjen e shokëve të tyre shqiptarë. Një luftëtar i tillë, Emanuel Assadurian, u vra për shkak të veprimtarisë së tij antinaziste.

Për shkak të trimërisë në luftë, armenët e Shqipërisë nuk u bënë cak i trajtimit të ashpër nga kreu komunist Enver Hoxha, siç ndodhi me disa prej grupeve të tjera të vogla etnike. Ata po ashtu u përjashtuan pjesërisht nga fushatat e mëvonshme shqiptarizuese të Hoxhës.

Për fat të keq, përgjatë regjimit tiranik të Hoxhës, asnjë organizim etnik i çfarëdolloji nuk qe i lejuar, anipse komuniteti merrte herëpashere literaturë nga Armenia sovjetike. Dhe në disa raste fort të veçanta, ata u lejuan të bënin vizita familjare në Armeni, falë lidhjeve të ngushta të Shqipërisë me Moskën, që iu dhanë të drejtën cilido shqiptar me prejardhje etnike të bëhej shtetas sovjetik në ndonjërën prej 15 republikave të Bashkimit Sovjetik ashtu sikurse edhe në Shqipëri.

Meqë komuniteti ishte aq i vogël, martesat me joarmenë ishin të pashmangshme. Edhe armenët, që janë kryesisht anëtarë të krishterë të Kishës Aposotolike Armene, në të shumtën e rasteve u martuan me të krishterë shqiptarë – rrallë me myslimanë e hebrenj. Në këtë mënyrë, ata së paku e mbajtën fenë e tyre, anipse nuk lejoheshin ta ushtronin haptas.

Më 1985 kur vdiq Hoxha, pasrendësi i tij, Ramiz Alia, e mbajti Shqipërinë ngultazi në kampin komunist, megjithëse lejoi ca reforma të kufizuara politike. Sidoqoftë, ndryshimet vërtet të mëdha ngjanë në fillimvitet 1990, kur demonstruesit rrëzuan përmendoren e bronztë të Hoxhës në Tiranën qendrore dhe kështu sheshuan udhën për zgjedhje shumëpartiake.

Më 29 prill 1990, pa miratim zyrtar të Qeverisë, prifti katolik Zef Pëllumbi mbajti meshë për të përkujtuar viktimat armene të represionit, veçmas ata që vdiqën pa varrim fetar. Në mars 1991 – po atë muaj kur në fund u mbajtën zgjedhje shumëpartiake – në Tiranë u themelua organizata vëllazërore ‘Armenët e Shqipërisë’.

Po atë vit, në shtator, komuniteti shënoi një tjetër të arritur: themelimi i një Armenie të mëvetësishme pas shpërbërjes së ish-Bashkimit Sovjetik.

Armenia nuk ka ambasadë në Tiranë. Përkundrazi, ambasadori armen në Athinë, Tigran Mkrtchyan, është përgjegjës për Greqinë dhe Shqipërinë; për më tepër, Varuzhan Piranjani ka shërbyer që prej 2016-s si konsull nderi i Armenisë në Tiranë.

* Përkthim i shkurtuar nga shkrimi me titull “Pakica e vogël e armenëve në Shqipëri iu mbijetoi 50 viteve komunizëm, por tani po zhduket”, botuar në gazetën javore The Armenian Mirror-Spectator që drejtohet nga Baikar Association në Watertown, Massachusetts. Përgatiti: C. Mehmeti

Lajme të ngjashme