Betejë e përgjakshme për rajonin lindor, ukrainasit rezistojnë me artileri perëndimore - NACIONALE

Betejë e përgjakshme për rajonin lindor, ukrainasit rezistojnë me artileri perëndimore

4 vjet më parë

nga Miranda Shala

Ndërsa beteja e përgjakshme për kontroll në rajonin lindor të Donbasit po vazhdon, ushtria ukrainase ka kundërshtuar përparimet ruse në Donetsk gjatë fundjavës.

Nga e shtuna deri të dielën, CNN shkruan se të paktën tetë vendbanime në pjesën lindore të Donetsk janë vënë nën zjarr, ndërsa Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës tha se: "Ushtarët ukrainas zmbrapsën me kompetencë një tjetër përpjekje ruse pranë Berestove dhe Bilohorivka," duke shtuar se forcat ruse "u zbrapsën fuqishëm, pësuan humbje dhe u tërhoqën".

E ndërsa forcat ruse janë duke sulmuar pozicionet ukrainase në Donetsk në përgatitje për fazën tjetër të luftimeve në shkallë të plotë, ministria e Mbrojtjes e vendit në Moskë të shtunën urdhëroi komandantët të ndërmarrin veprime për të parandaluar sulmet ukrainase në territorin e kontrolluar nga Rusia.

"Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu dha udhëzimet e nevojshme për të rritur më tej veprimet e grupeve në të gjitha zonat operative, në mënyrë që të përjashtohet mundësia e regjimit të Kievit për të kryer sulme masive me raketa dhe artileri mbi infrastrukturën civile dhe banorët e vendbanimeve në Donbas dhe rajone të tjera”, thuhej në deklaratën e dhënë nga ministria.

Urdhri i fundit vjen si përgjigje ndaj një rritjeje të mprehtë të sulmeve ukrainase shumë prapa vijës së frontit duke përdorur obuset dhe artilerinë perëndimore të blera së fundmi.

Ushtria ukrainase i reziston përparimeve ruse

Pasi forcat ruse pushtuan qytetin e fundit në rajonin e Luhanskut, Lysychansk, ato kanë shtuar bombardimet e qyteteve në rajonin fqinj të Donetskut.

Për disa javë me radhë, ushtria ruse e ka mbajtur rajonin në një breshëri të vazhdueshme sulmesh artilerie dhe raketash. Kremlini thotë se qëllimi i atij që e quan "operacioni special ushtarak" është të marrë kontrollin e Luhanskut dhe Donetsk. Aktualisht, rreth 45% e Donetskut, një rajon i industrisë së rëndë i ndërthurur me tokë bujqësore, ende mbahet nga ukrainasit.

Por ata janë nën presion nga tre drejtime - lindja, veriu dhe jugu.

Sipas Shtabit të Përgjithshëm, forcat ruse po qëllojnë gjithashtu pozicionet ukrainase në jug të qytetit Bakhmut, duke përfshirë sulme raketore dhe ajrore, si dhe artileri.

Sipas Pavlo Kyrylenko, kreu i administratës ushtarake të rajonit Donetsk, tre raketa kanë goditur komunitetin Toretsk, por nuk kishte asnjë informacion për viktima. Ai shtoi se edhe në qytetin e Kostiantynivka, rusët kishin bombarduar një kolegj mjekësor.

Nga ana e tyre, forcat e armatosura ruse kanë pretenduar "sulme me precizion të lartë" që "rezultuan në eliminimin e Brigadës 115 të Mekanizuar të Forcave të Armatosura të Ukrainës (AFU) që kishte operuar drejt Siverskut".

Zona kjo e cila është kontestuar shumë në dy javët e fundit, por duket se forcat ukrainase po rezistojnë.

Ndërsa më në veri, zyrtarët kanë njoftuar se qyteti i Kharkiv është goditur sërish nga raketat.

"Rusia po lufton"

Ndërsa lufta në Ukrainë po afron pesë muaj dhe të dyja ushtritë po pësojnë humbje të mëdha, zyrtarët perëndimorë thonë se Ukraina "absolutisht" beson se do të rimarrë territorin nga Rusia dhe do të fitojë luftën.

"Ata janë absolutisht të qartë se planifikojnë të rivendosin të gjithë territorin e tyre në lidhje me Ukrainën, dhe ata shohin një Rusi që po lufton, një Rusi që ne vlerësojmë se ka humbur më shumë se 30% të efektivitetit të saj luftarak tokësor," është shprehur admirali i Shtabit të Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, Tony Radakin.

“Ajo që në fakt do të thotë është 50,000 ushtarë rusë që ose kanë vdekur ose janë plagosur në këtë konflikt, gati 1,700 tanke ruse të shkatërruara, rreth 4,000 automjete të blinduara luftarake që i përkasin Rusisë janë shkatërruar.”

“Rusia e filloi këtë pushtim me ambicien për të marrë të gjithë Ukrainën, Rusia kishte ambicie të merrte qytetet në 30 ditët e para, Rusia kishte ambicien të krijonte thyerje dhe të ushtronte presion ndaj NATO-s. Por, Rusia po dështon në të gjitha ato ambicie, Rusia është një komb më i pakësuar se sa ishte në fillim të shkurtit”, shtoi Radakin.

Mbretëria e Bashkuar ka qenë një nga mbështetësit më të fortë të presidentit Volodymyr Zelensky dhe përpjekjeve të luftës në Ukrainë.

Por ukrainasit shtrihen përgjatë një linje të madhe fronti nga Deti i Zi deri në kufirin verilindor me Rusinë - mbi 1000 kilometra në gjatësi. E pavarësisht nga një rrjedhë e qëndrueshme e armëve perëndimore, Ukraina mbetet e pushtuar nga sasi të mëdha të artilerisë ruse, bateri raketash dhe mortajash.

Megjithatë, nga secila palë shumë pak terren është fituar ose humbur këtë muaj dhe analistët perëndimorë thonë se konflikti do të kalojë në një luftë të ashpër rrënimi.

Lajme të ngjashme