“Nuk do të jeni në parajsë, por në ferr”, arrestohet prifti rus që krahasoi Putinin me militantët islamikë
At Ioann besohet të jetë prifti i parë i burgosur sipas ligjeve të futura në Rusi për të ndëshkuar ata që përhapin informacione që kundërshtojnë narrativën e Kremlinit për luftën.
"Unë jam një i burgosur i ndërgjegjes, që vuaj për besimet e mia. Unë i konsideroj të paligjshme akuzat kundër meje dhe paraburgimin tim," ka thënë prifti pas arrestimit të tij, duke shtuar se ai është një pacifist i krishterë, pikëpamjet morale të të cilit bazohen tërësisht në urdhërimet e Ungjillit dhe kanonet e Kishës Ortodokse Ruse.
Sipas BBC-së, më 12 mars, pak më shumë se dy javë pasi Vladimir Putin filloi pushtimin e tij në Ukrainë, At Ioann Kurmoyarov ka ngarkuar një video 8 minuta e gjysmë në YouTube. Në këtë video ai thoshte se ata që nisën agresionin nuk do të shkojnë në parajsë dhe se në këtë rast nuk ishte Ukraina ajo që sulmoi Rusinë, por anasjelltas.
"Ju jeni agresorët që sulmuan dhe vranë civilët. Nuk do të jeni në asnjë lloj parajse, do të jeni në ferr," u është drejtuar prifti liderëve rusë.
Më tej në videon e tij, ai ka vazhduar të krahasojë pushtimin rus me “xhihadin”, duke sugjeruar se liderët gjakatarë në Moskë duhet të ishin konvertuar për t'u bërë "militantë islamikë".
Tani pas arrestimit të tij, i vetmi vizitor që ka parë priftin në burgun e Krestyit është avokati i tij Leonid Krikun i cili ka thënë se klienti i tij dukej se ishte në gjendje të mirë shëndetësore dhe ishte sfidues.
"I thashë At Ioann se nëse ai pranon fajin, ndoshta do të marrë një dënim më të shkurtër, por ai refuzon të thotë se ka kryer ndonjë krim," është shprehur avokati.
"Ai thotë se do të preferonte të vuante një dënim më të gjatë sesa të pranonte ndonjë keqbërje dhe nëse kjo ndodh, ai do t'u predikojë të burgosurve të tjerë."

At Ioanni ka treguar edhe më parë se nuk ka frikë të flasë. Ai është pezulluar nga kisha në vitin 2020 pasi e ka cilësuar Kishën e Forcave të Armatosura Ruse një "tempull pagan", pasi katedralja në Moskë ishte ideja e ministrit rus të Mbrojtjes Sergei Shoigu mbante afreske që shfaqnin presidentin Putin, Josef Stalin si dhe skena që festonin pushtimin e Krimesë.
Lidhur me këtë, në një postim në rrjetet sociale, At Ioann kishte thënë se Shoigu duhet të arrestohet për ofendim të ndjenjave fetare.
Prifti, i cili tashmë po paguan një çmim shumë të lartë pasi ka folur kundër kufizimeve të lirisë së shprehjes, ndodhet pas hekurave në Qendrën e Paraburgimit Numër Një në Burgun e Krestyit me perspektivën për të qëndruar atje për vite. Është bërë e ditur se periudha fillestare e paraburgimit të tij përfundon më 6 gusht, pas së cilës do të caktohet data e gjykimit të tij.
