“Unë s’jam cikloni”: Macroni përplaset me banorët në Mayotte, i kërkohet dorëheqja
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, është pritur me brohoritje kundërshtuese e kërkesa për të dhënë dorëheqje në ishullin francez të Oqeanit Indian, Mayotte. Në disa video, ai shihet i nervozuar duke diskutuar me banorët.
Pasi u ballafaqua me brohoritje negative e thirrje për të dhënë dorëheqje nga banorët lokalë që po kërkojnë më shumë ndihma në zonat e shkatërruara nga cikloni “Chido”, presidenti francez dëgjohet duke iu kundërpërgjigjur banorëve: “Unë nuk jam cikloni, unë nuk jam përgjegjës”, raporton televizioni BBC.
Macroni u tha gazetarëve se e ka zgjatur vizitën e tij në ishull deri të premten si shenjë respekti dhe se largimi të enjten do të mund ta “instalonte idenë që ne vijmë, shikojmë dhe largohemi”.
Pritet që presidenti të vizitojë edhe disa lagje shtesë të premten. Ai tha se autoritetet qeveritare do të dërgojnë së shpejti më shumë mbështetje dhe shtoi se Franca do të mbajë ditë zie kombëtare të enjten.
Macron toute honte bue en direct de Mayotte entrain de crier on est dans la même équipe alors qu’ils ne sont pas sur le même terrain
— Carlos Martens Bilongo (@BilongoCarlos) December 20, 2024
Sous investissement…
Désengagement de l’état…
Abandon
pic.twitter.com/T8USKf4Gr7
Zyrtarët francezë kanë raportuar për të paktën 31 njerëz të vdekur, por shifra e viktimave pritet të jetë shumë më e lartë, pasi mijëra persona janë ende të zhdukur. Një pjesë e madhe e arkipelagut është gjithashtu ende pa furnizim me rrymë.
Sipas zyrtarëve, furnizimet me ushqim dhe ujë janë prioriteti kryesor. Macroni tha se gjatë vizitës së tij solli katër tonë ushqim e produkte shëndetësore.
Pasi e pa shkatërrimin e shkaktuar nga stuhia përmes një fluturimi me helikopter, ai tha se e enjtja është ditë që nuk do ta harrojë kurrë. Macroni gjithashtu u zotua për rindërtimin e shtëpive dhe të infrastrukturës së ishullit.
🔴 DIRECT : Macron HUÉ à Mayotte, les Mahorais réclament sa démission !
— Ilies Djaouti (@IliesDjt) December 19, 2024
« Démission, démission, démission »
pic.twitter.com/UJojVmJM5v
Sidoqoftë, përderisa presidenti po i inspektonte zonat e dëmtuara, disa njerëz brohoritën “Macron, jep dorëheqje”, “po flet marrëzira” dhe “ujë, ujë, ujë”.
Gjatë një vizite në një qendër spitalore në kryeqytetin Mamoudzou, agjencia e lajmeve AFP raportoi se një grua i tha Macronit: “Askush nuk ndihet i sigurt këtu… njerëzit po përleshen për ujë.”
“Shërbimet tuaja janë të dërrmuara. Ndihma nuk ka arritur aty ku jetoj unë” – i tha një burrë presidentit, sipas agjencisë së lajmeve “Reuters”.
Megjithatë, disa banorë të tjerë thanë se ishin mirënjohës për vizitën e Macronit dhe i bënë thirrje atij që të qëndronte më gjatë./Nacionale