Ukraina raporton për “sukses të pjesshëm” në jug e zmbrapsje të ofensivës ruse në lindje
Ushtria ukrainase pretendoi të premten se ka shënuar “sukses të pjesshëm” në dy zona të frontit jugor.
“Në drejtimet e Novodanylivkas – Robotyne dhe Mala Tokmachka – Novofedorivka, ato (trupat) kanë arritur sukses të pjesshëm dhe janë duke e ngulitur veten në kufijtë e arritur”- tha në një deklaratë zëdhënësi i Shtabit të Përgjithshëm, Andriy Kovalov.
Në deklaratë thuhet, gjithashtu, se forcat ukrainase vazhdojnë që të kryejnë operacione sulmuese në drejtim të qytetit të pushtuar jugor, Melitopol, dhe drejt portit të Berdianskut, raporton televizioni CNN.
Në lindje, trupat ukrainase e kanë ndalur përparimin e rusëve drejt qyteteve Kupyansk dhe Lyman, tha të premten në një shkrim të publikuar në rrjetin “Telegram” zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Maliar.
“Në drejtimet e Kupyanksut dhe Lymanit, forcat tona të mbrojtjes e ndalën avancimin e armikut”- shkroi ajo.
Këtë javë, zyrtarët ukrainas theksuan se kundërsulmi i forcave të tyre do të marrë kohë. Kryeministri i Ukrainës, Denys Shmyhal, ka bërë thirrje për durim, ndërsa presidenti Volodymyr Zelensky i ka paralajmëruar aleatët që të mos e shikojnë kundërsulmin si film të Hollivudit.
